Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Më ka mallkuar ai që tradhëtova

Në periudhën kur filloi historia ime,

isha një vajzë 22 vjeçare që sapo kisha mbaruar shkollën për police dhe u riktheva përsëri në qytetin tim të lindjes,

emrin e të cilit dua ta mbaj sekret.

Advertisement

Me ndihmën e xhaxhait tim, i cili punonte si polic i thjeshtë, u punësova në zyrat e policisë së këtij qyteti. E di që pyetja juaj do të ishte se pse u ktheva në qytetin tim kur shumë prej studentëve preferojnë Tiranën mbas mbarimit të fakultetit. Arsyeja ishte se i fejuari im jetonte në atë qytet, ai punonte mësues dhe asnjëherë nuk kishte dashur që ne të banonim në Tiranë. Kur unë fillova punë, menduam se gjërat do të ishin më të thjeshta për ne të dy. Arritëm të blinim shtëpinë tonë, blemë mobiliet dhe me gjëra të thjeshta, e bëmë banesën tonë model për të jetuar një çift i ri. Arturi, i fejuari im, ishte tip që i pëlqente humori dhe ne ia kalonim shumë mirë bashkë, edhe pse dy vjet kishim diferencë e kuptoheshim mirë me njëri–tjetrin. Ai më kishte lënë të vazhdoja shkollën, të filloja punën. Pra, nuk ishte si ata tipa që gruan e tyre e mbyllin në shtëpi dhe nuk e lënë të dalë vetëm. Arturin e adhuroja për këtë mënyrë komunikimi që na kishte krijuar në çift. Një ditë, ndërsa përgatisnim shtëpinë me mobiljet e reja, ai më erdhi me një pako të madhe në dorë.

“Është një dhuratë për ty”, më tha. Hapa kartonin dhe pashë një set me tenxhere. Po më qeshej dhe më qahej njëkohësisht. Mendova se do të ishte ndonjë gjë për mua, kurse ai më kishte sjellë tenxhere! Ai e pa që unë u mërzita dhe më tha: “Shikoji tenxheret me radhë se ke një surprizë brenda”. Në njërën prej tyre ishte një kutizë e vogël. E hapa dhe pashë një unazë shumë të bukur. U gëzova! Arturi më propozoi për martesë dhe që në atë moment, ne vendosëm ditën e dasmës, të cilën e lamë pas dy muajsh. Deri në atë kohë ne ishim shumë të lumtur derisa unë fillova të impenjohesha më shumë se sa duhej me punën time të re.

Drejtori i policisë për qytetin tonë ishte një burrë rreth të dyzetave, ndoshta dhe më shumë, por që nuk e tregonte moshën fare. Ai ishte i gjatë, me flokë të zeza, të kthyera në një krah, me një trup shumë të bukur dhe të kujtonte ata aktorët e filmave policeskë. Ai ishte një tip mospërfillës që nuk donte t’ia dinte për asgjë, ishte njeri shumë punëtor dhe enigmatik, njëkohësisht. E shikoja që rrinte gjithmonë i menduar dhe i heshtur. Shpeshherë vinte në zyrën time dhe më jepte dokumente, në mënyrë që unë t’u gjeja vendin. Nuk e di pse, por çdo ditë e më shumë ai njeri më ishte fiksuar në mendje, e mendoja e fillova të ëndërroja për të. Ai kishte diçka të veçantë që nuk e kisha parë tek asnjë njeri tjetër. Doja ta pyesja pse rrinte i mërzitur, por nuk dija se si. Unë isha e re aty dhe nuk e kisha këtë të drejtë.

Një ditë, teksa po kërkonim disa dokumente, të cilat nuk e dinin se ku i kishte vendosur punonjësja e parë, dora e tij preku padashje dorën time dhe ai më kërkoi të falur. Unë ndalova. M’u duk sikur për një çast nuk po merrja dot frymë. Ishte një gjë e bukur, që nuk mund t’jua shpjegoj dot me fjalë. Ai po më shikonte i habitur dhe më kapi nga krahët, duke më thënë: “Ela, ndjehesh mirë?”. Nuk e shpjegoja dot atë ndjesi. U përgjigja se ndjehesha mirë dhe sërish filluam të kërkonim atë dokument që na duhej. Nuk e di pse, por në mendjen time nuk doja që ta gjenim, doja që ai të rrinte aty me mua, por koha kur isha me të, kalonte shumë shpejt. E dija që ai ishte i martuar dhe kishte edhe një djalë, por nuk e dija se pse në sytë e tij kishte aq trishtim. Nuk prita dot më dhe e pyeta:

– Mos ndoshta pozicioni i punës suaj ju bën kaq të trishtuar?”. Ai qeshi: “Pse mendon kështu?”. Iu përgjigja se ishte hera e parë që e shihja të qeshur. “Ti je akoma e vogël dhe sapo e ke nisur jetën tënde me të fejuarin. Kur të martohesh dhe të kalojnë vite, do ndjehesh kështu si unë”, tha ai. Fjalët e tij më bënë të merrja më shumë informacion për të. Pyeta një kolege që ishte më e madhe në moshë se çfarë problemi mund të kishte ai që rrinte kaq i mërzitur dhe ajo m’u përgjigj se ishte duke u ndarë nga gruaja.

“Ajo është një femër mjaftë xheloze. Nga xhelozia, ka mbaruar fare. Djalin e kanë të rritur dhe tani është në shkollë. Këta kanë qenë shumë të dashuruar dhe janë lidhur që në gjimnaz, por me sa duket, edhe dashuria…”.

Ditët kalonin dhe unë kisha filluar të mendoja çdo ditë e më shumë për të. Dëshpërimi i tij sikur më kishte mbërthyer edhe mua. Këtë gjë e kishte vënë re edhe Arturi, i cili kishte filluar të mërzitej nga sjellja ime. Unë nuk isha më si më parë dhe ai donte që të më hiqte nga puna, por unë e kërcënoja se nëse e bënte një gjë të tillë, do të ndahesha nga ai. Çdo ditë shkoja në zyrën e drejtorit, gjeja një pretekst të momentit, një pyetje ose një dokument sepse çdo gjë që kishte të bënte me të, doja që ta bëja unë. Këtë gjë e kishte vënë re edhe ai vetë. Në sytë e tij unë isha një vajzë e vogël e fejuar, po nuk dija si të veproja që t’i tregoja se ai më pëlqente, madje shumë. Nuk doja t’ia dija për moshën e tij. Ai ishte kaq i bukur dhe fisnik saqë më kishte bërë për vete. Më kishte mbetur edhe një muaj deri në ditën e dasmës sime. Ishte pikërisht data pesë mars e vitit ’97 kur shefi erdhi në zyrë shumë i tensionuar dhe filloi të bënte gati shumë prej dokumenteve të tij personale. Hyra në zyrë dhe pashë se ishte futur në kërkim, duke bërë shumë rrëmujë. E pyeta nëse mund ta ndihmoja dhe ai m’u përgjigj: “Nuk ka më ndihmë për mua, jam në një pozicion shumë të keq”. Asnjëherë nuk e kisha parë në atë gjendje. Ai gati sa nuk qante dhe, shumë e mërzitur, e pyeta se çfarë i kishte ndodhur. Më tha se me urdhër nga lart, duhet të largohej nga Shqipëria, pasi gjendja ishte shumë e keqe, sidomos për personat që kishin pozicionin e tij.

Atëhere nuk munda të duroja më, fjalët e tij më trishtuan, shumë mendime më erdhën njëherësh në mendje. “Si kështu? Po unë?”. “Po ti një punonjëse e thjeshtë je, nuk do të kesh probleme”, u përgjigj ai. Nuk durova më dhe i thashë: “Unë nuk mund të jetoj pa ty”. Ai për një moment shtangu, më kapi nga krahët dhe më tha: “Çfarë thua moj vajzë?! Ti për një muaj martohesh!”, po unë nuk doja t’ia dija për asgjë. Iu luta me lot në sy të më merrte me vete. “Që në momentin që të kam parë nuk ka patur tjetër njeri në jetën time”. Këto që po i thoja e çoroditën më shumë atë. Përsëri m’u afrua dhe më tha: “Qetësohu moj vajzë, çfarë janë këto që po më thua?”. Ai fliste dhe unë vazhdoja të qaja duke iu lutur të më merrte me vete. Nuk doja t’ia dija për vështirësitë që do të hasnim me njerëzit dhe për mentalitetin, me të cilin do të përballeshim. “Po i fejuari?”, m’u drejtua ai. “Nuk ka rëndësi”, i thashë.

Mbas një jave, pa dijeninë e prindërve të mi, ne shkuam në Itali. Çdo gjë ndodhi në mënyrë shumë të shpejtë, aq sa as unë nuk po e besoja dot. Kur e morën vesh prindërit e mi, u bënë shumë keq. Të dy kishin pasur probleme me tensionin, ndërsa për Arturin as sot e kësaj dite nuk kam marrë vesh asnjë gjë. Largimi për në Itali ishte paksa i vështirë për mua, sidomos për mënyrën se si u largova, por me dashurinë e bashkëshortit tim, arrita ta përballoja mirë. Në fillim i tregova për mënyrën se si u dashurova me të, si e vuaja në heshtje e nuk dija si t’ia thoja. Ai qeshte dhe më përqafonte fort teksa më dëgjonte. Gati pesë vjet jetuam në Itali dhe mund të them se këto vite ishin vitet më të bukura të jetës sime. Më pas u kthyem në Shqipëri dhe me ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet, bashkëshorti im filloi përsëri të njëjtin pozicion pune, por këtë herë, në qytetin e Tiranës. Ai punonte, kurse unë mbaja djalin në shtëpi, mirëpo nisa të ndjehesha keq. Çdo ditë e më shumë bëhesha xheloze për burrin tim. Ai, edhe pse ishte gati 60 vjeç, ngjante shumë i ri, kurse unë kisha filluar të dobësohesha jashtë mase. Një problem tjetër ishte se unë nuk kisha bërë martesë nga ana ligjore dhe ne thjesht bashkëjetonim. Përveç këtyre, prindërit nuk më përkrahnin për shkak të tradhtisë sime. Të gjitha këto ishin bërë bashkë dhe kisha filluar të bëhesha shumë grindavece në familje, nuk e kisha më atë qetësinë që kisha kur u njoha me tim shoq. Çdo ditë i lutem që të bëjmë martesën me dokumente, por ai nuk e pranon një gjë të tillë, ndoshta ngaqë është ndarë edhe me gruan e parë dhe ka më besim. Ditët kalojnë, djali rritet dhe unë jam gjithnjë e stresuar nga kjo situatë. Shpeshherë mallkoj ditën që e bëra këtë veprim. Ndonjëherë mendoj se e gjithë kjo më ndodh sepse Arturi mund të më ketë mallkuar që të mos shikoj një ditë të bardhë. Ai që më tremb më shumë është fakti se im shoq bëhet gjithnjë e më i bukur, ndërsa unë, duke u mbyllur në vetminë time, jam katandisur si grua pesëdhjetëvjeçare, edhe pse nuk i kam mbushur akoma të dyzetat…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

As fëmijët nuk më mbushin dot!

Next Post

9 këshilla për të luftuar alergjitë

Advertisement