Hej miq, jam ca e trishtuar këtë javë…
Po lexoja letrat e mëparshme që ju kam shkruar dhe arrita në përfundimin se kam shkruar shumë për femrat, ndaj zonja e zonjusha, të më falni, por këtë herë do t’u dedikohem meshkujve, këtyre që…
nejse, më mirë, po e nis nga e para.
Gjithçka filloi qëkur linda.
Linda vajzë dhe të lindësh vajzë nuk është gjë e lehtë, është tepër e mundimshme. Më kujtohet fare mirë kur fillova të luaja të lagjja ime… Djali i parë që më pëlqeu ishte çuni i lagjes përballë, më saktë, ai bjondi me dy sy blu e me flokë kapelon, si drita! Sigurisht, gjuajtja ime filloi me gurë se unë nuk e kisha fare idenë se ç’do të ishte një gjuajtje në kuptimin e tanishëm të fjalës. Pas disa ditësh gjuajtjeje me gurë, lojë me hithra e kala dibrançe me djalin, e kuptova që ky lloj pëlqimi ishte pak sadist dhe hoqa dorë e mendova të kërkoja dikë që të më respektonte e të mos më lëndonte.
Sa mirë do të kishte qenë të vazhdoja në të tillë formë, sepse që thoni ju, të dashura zonjusha, unë ju mirëkuptoj në ato situata kur të vjen t’i gjuash e ta shqelmosh atë personin, defiçentin përballë, njësoj si në ato lojërat e dhunshme të fëmijërisë. Tani më ka ardhur koha për burrë e s’mund të bëj më të këtilla lojëra, por përbrenda vetes e ndjej dhe më vjen gjithmonë e gatshme ideja e sadizmit ndaj tyre.
Nëpër kafet ku rri zakonisht, më vjen shpeshherë të qesh me ç’kam përballë dhe, që të jem më e sinqertë, e kam ndarë gjininë mashkullore në tre stade evoluimi.
Të parët, janë ata djemtë e bukur, të larë, të krehur e veshur bukur, falë një nëne të shkretë që bëhet copa që djali i saj të jetë sa më i mirë. Janë përgjithësisht ata çuna të cilëve mami u thotë çdo mëngjes që janë më të bukurit e botës, që meritojnë më të mirën e më të mirë për ta s’do ketë asnjëherë, sepse asnjë s’ka për t’u krahasuar me “të bukurin e nënës”. Këta bëjnë biseda të lezetshme herën e parë, por kur i takon për herë të dytë, kupton që s’kanë asgjë ç’të të japin. Këtë herë, ata do të bëjnë disa komplimente sa për t’u dukur ose do të tregojnë ndonjë barcaletë të lezetshme. Herën e tretë do të jenë totalisht vetvetja, do të flasin për playstation, se sa bukur ia kalojnë me çunat, se s’kanë si të shtyjnë ditën dhe që kërkojnë diçka serioze, por që duan të gëzojnë lirinë e tyre. Janë si ata librat që sapo e ke lexuar kapitullin e tretë, e imagjinon vetë se si do të shkojë historia dhe e mbyll fare se e di si do mbarojë.
Të dytët janë ata simpatikët që janë gjithmonë, po gjithmonë me çunat; edhe në kafe i sheh bashkë duke mos bërë asnjë lloj bisede, thjesht duke parë ato që kalojnë rrugës, me ndonjë koment sporadik për fundshpinën e ndonjërës. Tipat e këtillë, zor se kanë ambicie. Ata e dinë që do të bëjnë një lloj pune gjithë jetën, do kenë ndonjë shef mbi kokë dhe kërkojnë ndonjë vajzë të bukur sepse ajo u mungon që të ndjehen të realizuar. Që thoni ju, këta janë ata që kur ti je duke ecur për qejfin tënd në rrugë në mëngjes duke shkuar në punë ose në shkollë, je ngritur me qejf, je trukuar sa për të qenë okej dhe je munduar të veshësh rrobat më të rehatshme për ditën (me një lloj optimizmi që dita do të ecë mirë), të hedhin atë komentin: “S’qenka gjë!”. Ti kthen kokën të shohësh kush flet dhe shikon njërin që nëse do t’i vije një notë nga 1 në 10, do të merrte thjesht një 0. Eh, aty fillon dita ters. Nëse je vajzë e zgjuar, do të bezdisesh, por s’do ta vrasësh mendjen e do të vazhdosh, por duke e ditur si jemi ne femrat, me siguri do të mendosh që s’je mirë dhe do të fillosh direkt të bëhesh me komplekse.
Këta pra janë ata që të flasin për futbollin, për makinat, për motorrat, që herën e parë janë thëngjill i mbuluar, të lënë ty të flasësh, të dëgjojnë me interes dhe ti mendon: “Ok, ky është i lezetshëm, të respekton”, por më vonë e kupton që nuk flet sepse thjesht nuk ka çfarë të flasë. Këta janë ata që të çojnë “nga lagjja”, që të shikojnë shokët se “ç’mall” ka ai. Këta edhe mund të marrësh përsipër t’i edukosh, duke bërë jetë sociale larg kafeve, t’i çosh në kinema, në teatër, të shkosh për vrap, etj., por do të ta presin shkurt e prerë: “Jam çun”, më saktë “lac, kokë e këmbë dhe s’i bëj këto gjëra”. Atëhere mendon me vete: “Ç’jetë mund të bëj unë me këtë?”. Ai do të vërë skedina, do të të lërë në shtëpi se “shoku ka hall” dhe do të të duhet të punosh sa për dy sepse ai, treçerekun e lekëve i ka lënë për birra…
Kështu, ne femrat e shkreta përfundojmë përsëri në atë lloj libri që e çon deri në fund dhe që as s’të shkon ndërmend ta rilexosh… Harroje!
Dhe vijnë të tretët, bukuroshët e zyrave me këmishë e me kollare, me çantë e me një buzëqeshje të tipit: “Ja ku jam, thjesht, më vështro!”. Këta janë më problematikët sepse këtë buzëqeshjen e bukur e kanë për çdo femër. Këta pinë kafe në vendet më të njohura, mbajnë telefonat më të fundit e mbi të gjitha, janë gjithmonë të kuruar! Herën e parë që do t’i shohësh do të të pëlqejnë sepse janë të muhabetit (përveç faktit se që në fillim tregon se ku ka punuar, se sa i aftë është, se sa lekë merr në muaj e të tjera e të tjera), janë xhentilë dhe dinë të sillen, por kanë vetëm një problem tepër të madh: Që në takim, duan ta pinë kafen “natën vonë”… Ti mendon: “Ok, një kafe është”, por jo… djali do të rrijë e të vërdalliset nëpër rrugët plot trafik të Tiranës sepse do të ketë një vend të veçantë dhe ky vendi do të jetë në një restorant larg vijës së gjelbër, ose në një lokal përgjithësisht afër shtëpisë së tij, sepse e ka më të lehtë parkimin. Ti mendon që çështja u zgjidh dhe i thua vetes: “Ok, do ta njoh, është djalë i mirë”, por çdo gjë që ti i thua për veten, atij s’i duket interesante dhe nëse në një moment i thua që e ka gabim, ah, aty ndryshon gjithçka, do të të hedhë një shikim me atë shprehjen: “Mua më thua ti?!”.
Nejse, këtyre u bie pafundësisht telefoni dhe janë, sigurisht, “telefonata pune”. Por, të lutem, kush është ai që bën telefonata pune në 11 të natës? Po nejse, ti bën sikur s’e kupton. Pasi keni mbaruar atë pijen ose darkën, pa e marrë vesh fare ai se si je ti dhe ç’mendon, të bën atë ftesën klishe: “Hajde të shikojmë ndonjë film nga shtëpia ime…”. Dhe ja tek zhgënjehesh, sepse pret të të lejojë atë grimcë dinjiteti e respekti që t’i marrësh vetë vendimet e tua nëse do të kesh një raport.
Ah, se harrova, ky është thashethemexhiu më i madh, di gjithçka për gjithkënd, kështu që edhe libri i tretë është ai që i sheh vetëm kopertinën, bën shumë bujë, kushton shumë, ama subjekti s’do të të përshtatet aspak.
Morali i ndarjes së stadeve është i njëjti; të tre do të të lëndojnë, ose do të të zhgënjejnë, kështu që tanimë, thjesht, s’kërkoj më! Do të pres atë librin e katërt, atë që do të jetë i bukur, me subjekt të veçantë, që do të kesh qejf ta rilexosh çdo ditë. Nuk e di në do të dalë në botim, por mendoj se ai do të jetë ai që do të dua ta kem afër çdo ditë. Tani s’jam më vajzë, por jam potencialisht femër, e gatshme të jem grua, kështu që lojërat sadiste s’i dua më!