Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

“Poshtë pallatit tim…”

Përshëndetje! Unë që po ju shkruaj jam Marjana. Jam njëzet e një vjeçe. U frymëzova për t’ju shkruar pasi përpara disa ditësh më ka ndodhur edhe mua që të mëkatoj…

Unë jam në shkollë të lartë. Shtëpia ime është në periferi të Tiranës dhe më pëlqen që rrugën për në shtëpi ta bëj më këmbë. Preferoj më mirë të zgjohem më herët dhe ta shijoj një “shëtitje” të vogël në mëngjes.

Poshtë pallatit tim është një kafene. Ndonjëherë, nëse ngrihem shumë herët, pi një kafe me babain ose poo aty e pres kur dal nga shkolla dhe shkojmë bashkë në shtëpi.

Advertisement

Një nga këto ditë, teksa po kthehesha nga shkolla hodha sytë nga kafeneja nëse ishte babai im aty, por sytë e mia u ndeshën me ato të një djali shumë simpatik që po më shihte me ngulm. E pashë për pak, por pastaj e ndjeva që u skuqa dhe i hoqa sytë prej andej. U ngjita sipër, por vazhdoja ta mbaja mendjen tek ai.

Të nesërmen u nisa si zakonisht për në shkollë. Duke qenë se isha herët, vendosa ta pija kafenë e mëngjesit me babin, të cilit i thashë që po e prisja poshtë, kur, sapo hyra tek kafeneja, u ndesha me shikimin e djalit të ditës së kaluar. Ngaqë e kisha mendjen tek ai, desh u pengova tek një karrige. Nuk e di se çfarë, por ai djalë kishte diçka që më tërhiqte shumë. Jo sepse ai më shihte me ngulm, aspak. Mund t’ju them se jam një vajzë tërheqëse dhe nuk e kam pasur ndonjëherë problem që të bija në sy, madje nuk më pëlqente kjo gjë, por ai më tërhiqte shumë. Më dukej sikur nga prapa shpinës kisha një magnet që më detyronte ta ktheja kokën. Bëja sikur po shihja për babain, por në fakt kontrolloja nëse ai ishte akoma aty apo jo.

Dhe ai, vazhdonte të ishte aty, vazhdonte të më shihte. Dhe unë, brenda vetes, qeshja nga kënaqësia.

Babai im erdhi, por unë as një sekondë të vetme nuk e pata mendjen tek ai. Mendoja për të panjohurin dhe imagjinoja se si mund ta kishte emrin, sa vjeç mund të ishte, çfarë profesioni kishte… Kur u përmenda, e kuptova se isha bërë vonë për në shkollë.

Pasdite, kur u ktheva, hodha edhe një herë vështrimin në brendësi të kafenesë. Ai ishte aty. Vështrimet tona u kryqëzuan sërish. Unë qesha dhe vazhdova përpara. Thellë meje shpresoja që ai të më ndiqte, ndaj dhe kur dëgjova hapa prapa meje, u lumturova.

Por ishte babi.

“Nuk më dëgjon kur të thërras? Si ia kalove sot?”, më pyeti dhe ma hodhi dorën në sup.

Me zemrën që më dridhej, munda të shqiptoja një “mirë” të thatë.

Tashmë ishte kthyer në një lojë. Unë prisja mëngjesin dhe kthimin nga shkolla që ta shikoja atë djalë. Prisja që ai të ngrihej dhe të vinte pas meje, por kjo nuk ndodhte asnjëherë, deri një ditë, kur pas kryqëzimit të zakonshëm të vështrimeve tona dëgjova sërish hapa. Zemra më brofi, por nuk doja ta mendoja se ishte ai. Mund të ishte kushdo. Ktheva kokën.

Ishte ai.

“Besoj se mjaft u pamë, apo jo?”, më tha dhe më zgjati dorën. “Unë jam Genci!”.

Ia zgjata dhe unë dorën dhe i thashë: “Marjana!”

“Mund të të ftoj për një kafe?”, më pyeti.

“Tani është pak vonë”, i thashë unë, “por nesër po. Unë studioj tek Filologjiku. Hajde nesër atje nga ora tre. Besoj se deri atëherë kam mbaruar!”.

“Do të vij!”, më tha, më dha sërish dorën dhe iku.

Teksa ngjisja shkallët mendoja se çfarë kisha bërë. Atë njeri nuk e njihja fare. Vetëm e kisha parë disa herë dhe aq. Me raste, edhe i kishim buzëqeshur njëri-tjetrit. Por, a mjaftonte? Në fakt, ishte paksa vonë për t’u penduar pasi unë i kisha thënë ku studioja dhe i kisha lënë takim. M’u duk vetja si e marrë, vetëm se ndieja që nuk ishte pendim ai që kisha brenda. Kisha kuriozitet, dëshirë për ta njohur atë djalë.

Të nesërmen u vesha dhe u bëra gati me kujdes. Doja që gjithçka të ishte perfekte. Në leksione qëndrova si në gjemba. Doja të mbaronin sa më shpejt. Kur ora shkoi tre dhe unë po zbrisja shkallët e fakultetit, gati sa s’po vdisja nga emocioni. E pashë Gencin tek po më kërkonte në mes të turmës, u takuam dhe u ulëm në një kafe. Biseduam gjatë, por ajo që ndodhi ishte më e çuditshme se ajo që unë prisja.

Teksa flisja me të, e kuptova që Genci ishte një djalë shumë i mirë, por aspak ai djali që unë kisha imagjinuar. As vetë nuk e di se si doja unë që të ishte ai, por mund të them se ishte një zhgënjim i vërtetë. Nuk më pëlqente mënyra se si fliste, se si i tregonte gjërat, madje edhe buzëqeshja e tij, ajo që më kishte bërë të ktheja kokën pas, tani më dukej si e flashkët.

Mezi po prisja që të largohesha prej tij. I thashë që po bëhej vonë dhe se më duhet të shkoja në shtëpi. Kërkoi të më përcillte dhe nuk e refuzova. Poshtë pallatit, aty ku e pashë për herë të parë, aty ku i buzëqesha dhe ku i fola për herë të parë, i thashë që të mos më takonte më.

Vetja m’u duk shumë e keqe, por nuk munda të bëja dot ndryshe.

“Nuk e di se çfarë prisja nga ti”, i thashë, “por ndiej që nuk jam gati që të dalim bashkë. Ndoshta është faji im që ëndërroj akoma për princër të kaltër hipur në kuaj të bardhë! Më fal, natën e mirë!”

Dhe u largova, pasi nuk doja që ai të më ndalonte.

Ditët e tjera ai vazhdoi të vinte, por unë tashmë as nuk e ktheja kokën, as nuk i buzëqeshja.

Me vjen keq që ndodhi kështu…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Ç’është sëmundja Chrohn?

Next Post

Shenja me të cilën nuk duhet të bini në dashuri

Advertisement