– Përshëndetje e dashur redaksi e “Intervista”! Jam 22 vjeçe dhe kam lidhje një viti me një djalë që nuk e di nëse e dua ende.
Ai më ka ndryshuar, më ka mbyllur në shtëpi dhe nuk më lë të shkoj askund.
Unë mbyllem brenda dhe qaj, nuk takoj më as shoqet e mia. Jam bërë shumë nervoze e nuk më pëlqen më asgjë. Nuk e di çfarë të bëj… Them të ndahem, por më pas mendoj që ndoshta me kohën, ndryshon dhe gjithçka do shkojë më mirë. Më jepni edhe ju një mendim…
Redaksia:- Mendoj se ajo që është e qartë nga çfarë shkruani dhe nga sa keq ndiheni, është që realisht jeni e çorientuar dhe në një gjendje kaosi absolut. Jeni konfuze dhe pa ditur as ju vetë se çfarë doni, pse dhe çfarë duhet të bëni në lidhje me këtë. Jepini vetes mundësinë për të bërë një punë, vetëdije për të kuptuar arsyet pse jeni ende në dilema, arsyet që ju bëjnë të humbisni të tashmen dhe ju bëjnë të ëndërroni të ardhmen me të, ashtu siç ju dëshironi. Nga të thënat tuaja nuk mund të gjej asnjë arsye që të qëndroni akoma në pritje, as nuk mund t’ju sugjeroj durim e përpjekje për këtë lidhje, pasi nuk mund t’ju siguroj për një ndryshim të karakterit të njeriut që keni pranë.
Në realitet, ne duhet të marrim përgjegjësinë për lumturinë tonë. Ajo është në duart tona, ne duhet të kërkojmë dhe të mbrojmë zgjedhjet tona. Unë ju uroj gjithë të mirat, e dashur!