Sa mirë e njihni veten? Sa i mirë është komunikimi me seksin tjetër? Mbi marrëdhëniet burrë-grua janë bërë shumë studime.
Ndonjëherë shkencëtarët dalin në përfundime befasuese. Zbuloni se çfarë urrejnë më shumë bashkëshortët tek njëri-tjetri!
Vlen njësoj si për burrat dhe gratë: Partneri vjen nga një planet tjetër
Çfarë shkakton më shpesh zemërim në çift? Nuk e kuptojnë më njëri-tjetrin, apo janë problemet financiare? Edhe kur një lidhje martesore ka mbijetuar, jo rrallë takojmë famëkeqen “prishje e lidhjes për arsye të monotonisë”.
E vërteta është se pas këtyre qëndrojnë kryesisht arsye pa rëndësi, të cilat
ia marrin frymën dalëngadalë dashurisë.
Çfarë nervozon gratë:
Nuk më thotë asnjëherë se sa e rëndësishme jam për të
Më duhet gjithmonë të sistemoj shtëpinë pasi ai di vetëm të bëjë lëmsh
Nuk më kujtohet hera e fundit që më ka sjellë lule
Çfarë nervozon burrat:
Gjithmonë do të dijë çdo gjë për mua
Kur bën shopping më duhet ta pres me orë të tëra
Shpik gjithmonë ndonjë punë që duhet ta bëj unë
Është një konflikt, për të cilin Psikologjia njeh tre shkaktarë kryesor:
“Burrat dhe gratë flasin dhe jetojnë shpesh pranë dhe njëkohësisht kalimthi me
njëri-tjetrin”.
1. Komunikimi
Ndërsa bisedat e grave në shumicën e rasteve nevojiten për të shprehur ndjenjat e tyre, për burrat bisedat janë për të shkëmbyer informacion. Klasike është situata: Ajo shkon në sallon bukurie dhe kthehet me një “look” të ri në shtëpi.
Ai konstaton pa asnjë lloj shprehje: “Oh, ishe në floktore sot”. Këtë ajo e
di edhe vetë dhe do të donte më mirë të dëgjonte: “Zemër, dukesh fantastike”.
2. Pritshmëria nga partneri
Nga dashuria pa kushte e fillimit, ku vlente që ta zbuloje dhe ta bëje për vete tjetrin pa rezerva apo kufizime, zhvillohen me kalimin e kohës qëndrime pritshmërie, të cilat duhet t’i përmbushë partneri.
Nëse ai s’e bën këtë, i duhet të ndryshojë. Kjo çon thuajse në mënyrë të
pashmangshme – pavarësisht nga seksi – në reagim mbrojtës.
3. Stresi
Faktori i tretë vjen nga jashtë dhe quhet stresi i përditshëm. Një studim i Universitetit zviceran Fribourg – sipas periodikut Psikologjia sot – tregon se rreth 25 % e çifteve jetojnë në një lidhje jo të lumtur.
Nëse një lidhje qëndron për një kohë të gjatë, kjo përqindje mund të shkojë deri në 50%. Më të ndjeshëm ndaj një lidhje jo të lumtur janë partnerët që flasin pak me njëri-tjetrin, por që të dy akuzojnë për një mbingarkesë të madhe stresi.
Dhe në vend që ta përballojnë së bashku këtë stres, “gatuan secili gjellën e
vet “. Lidhja mbetet, në këtë mënyrë, në mes të rrugës. Dhe si përfundim
kthehen në të panjohur për njëri-tjetrin.
Çfarë duhet bërë?
Zgjidhja tingëllon e thjeshtë dhe quhet pranim. Kjo zgjidhje është terapia e
përdorur nga profesorët amerikan të psikologjisë Neil S. Jacobson dhe Andrew
Christwnsen.
Hapi i parë: Të pranosh nëpërmjet të kuptuarit
Partnerët të cilët i hedhin njëri-tjetrit akuza, natyrisht që besojnë se tjetri bën diçka të gabuar. Sipas Christwnsen dhe Jacobson çifti duhet të përpiqet ta shohë problemin nga një këndvështrim tjetër.
Nuk duhen diskutuar si të vërteta veset negative të hamendësuara të
partnerit. Përpiquni ta kuptoni dhe të zbuloni motivet e vërteta të problemit
për t’u çliruar nga paragjykimet.
Hapi i dytë: Pranim nëpërmjet ndjenjës
Kush i thotë bashkëshortit apo bashkëshortes pas një zënke të fortë, se tani ndihet i vetmuar dhe që do të donte që partneri ta mbështillte në krah? Kjo mund të konsiderohet si dobësi, por prej saj mund të nxirren avantazhe.
Apo më mirë t’i kthehesh me ashpërsi dhe më në fund je më i plagosur se asnjëherë tjetër. Këto ankthe, sipas mendimit të ekspertëve, duhen kaluar. Kush hapet, i jep mundësinë tjetrit të reagojë me mirëkuptim dhe ndjenjë.
“Nuk bëhet fjalë të fitosh kundrejt tjetrit. Në çift duhet të qëndrojë në qendër zgjidhja e përbashkët e problemit. Në fund të fundit, përse na nevojitet partneri?”, pyet Profesor A. Christwnsen.