– Doktor Evi, kam disa pyetje mbi sterilitetin te meshkujt. Cilat janë ato hormone që ndikojnë në riprodhimin te një mashkull dhe a ndikon stresi te steriliteti? Nëse po, si mund të trajtohet steriliteti? Pres përgjigje këtë javë. Faleminderit.
Dr. Evi Dani, seksolog-androlog, Poliklinika Qendrore, 0682213329:- – Riprodhimi te meshkujt është i varur nga një sistem hormonal, që është specifik vetëm për sistemin e riprodhimit. Në pjesën e sukorteksit, mund të prodhohen një sërë hormonesh, më i rëndësishmi ndër të cilët, për riprodhimin, është gonotropina ose hormonet çliruese të gonotropinës, të cilat ngacmojnë hormonet folikulostimuluese dhe lutinizuese të hipofizës (gjendërr e cila prodhon disa hormone dhe ndodhet brenda në tru). Lutemizuesi dhe folikujt ndikojnë në qelizat leidike për prodhimin e testosteronit, si dhe influencojnë tubat seminiferë. Tubat seminiferë dhe qelizat leidike ndodhen në teste. Pikërisht çrregullimi i këtij mekanizmi sjell pasoja për dëmtimin e spermatogenezës, pra, ndikon në uljen e nivelit, lëvizshmërinë ose formën të spermatozoideve, duke u bërë kështu problem për aftësinë fekonduese të mashkullit. Ky mekanizëm vepron edhe te femrat për të mbajtur një cikël të rregullt të zhvillimit të vezës.
– Gjatë punës sime të përditshme, kam parë se nuk janë të pakta rastet që, kur çiftet nuk arrijnë të kenë një fëmijë, i nënshtrohen një gjendjeje stresante dhe e shndërrojnë këtë në një problem psikologjik. Çifti është i stresuar, i preokupuar dhe është parë se kjo gjendje, për fat të keq, influencon në sistemin hormonal, duke penguar apo frenuar spermatogenezën ose ovulogjenzenën. Përveç kësaj, sigurisht, stresi i përditshëm është parë se vepron edhe në drejtim të infertilitetit, sepse stresi ndikon në prodhimin e adrenalinës, e cila vepron në sistemin hormonal. Trajtimi i meshkujve infertilë bëhet duke përcaktuar në radhë të parë shkakun. Vetëm duke përcaktuar një diagnozë të qartë, mund të bëhet trajtimi si duhet i sëmundjes. Përsa i përket mjekimit, ai konsiston kryesisht në atë hormonal dhe bazohet në dhënien e gonotropinës. Stimulimi i spermatozoidëve bëhet në bazë të shkallës së spermatogenezës apo aftësive fekonduese që shfaqin në spermogramë. Sigurisht, çiftet që kanë probleme të tilla, e kanë të nevojshëm edhe një trajtim psikologjik. Në pamundësi për të arritur sukses me metodën stimuluese hormonale, mund të përdoret fertilizimi in vitro.