– Jam Greta, 55 vjeçe. Kam 12 vjet me diabetin e sheqerit. Do të doja t’ju pyesja, a rrezikohen fëmijët e mi të kenë diabet si unë? Po diabeti i ujit, çfarë është dhe a përbën problem, nëse trashëgohet? Faleminderit.
Dr. Dashamir Gjergji, Doktor i Shkencave Mjekësore, Endokrinolog-Diabetolog, Spitali Amavita, Rruga Pjetër Budi, 75/3, Tiranë:- – E nderuar Greta, ju faleminderit për pyetjen konçize që më keni dërguar.
Kur lexova që kishit 12 vjet me këtë sëmundje, gjëja e parë që mendova ishte nëse nuk po vepronin si duhet ilaçet apo nuk kishit arritur rezultate të mira në kontrollin e diabetit. Por, siç duket, gjërat i keni vënë në vijë në këtë drejtim dhe unë këtë shpresoj, ndaj do të ndalem më shumë tek ajo pjesë e pyetjes që ka të bëjë me trashëgiminë e sëmundjes. Në mënyrë të prerë, po ju them që ju vuani me diabet të tipit 2 dhe kjo sëmundje është thuajse totalisht e trashëgueshme. Kjo do të thotë që edhe ju keni patur predispozitën gjenetike për t’u sëmurur nga diabeti dhe fëmijët tuaj e kanë të njëjtën predispozitë për ta patur këtë sëmundje. Ky informacion nuk duhet t’ju trembë sepse që të shfaqet një sëmundje, nuk mjafton vetëm trashëgimia; rol të rëndësishëm luajnë edhe faktorët e tjerë rrethanorë dhe jetësorë në tërësi. Dua t’ju them se është momenti që fëmijët tuaj jo të alarmohen, por të bëjnë kujdes, në mënyrë që këtij “gjeni të keq”, që deri tani e kanë të fshehur, të mos i japin shkas që një ditë të shpërthejë dhe tek ata të instalohet diabeti i vërtetë. Sa më sipër, fëmijët tuaj duhet të mos shëndoshen, të mbajnë dietë të ekuilibruar, të mos bëjnë jetë sedentare, por të lëvizin sa më shumë. Duhet të minimizojnë në maksimum stresin, si dhe të eleminojnë veset e këqia, si: duhani, alkooli etj.
– Në lidhje me diabetin e ujit, ju informoj ju dhe lexuesit që nuk është e njëjta gjë me diabetin e sheqerit, edhe pse shumë shenja i kanë të përbashkëta. Diabeti i ujit apo insipid, është sëmundje që ka të bëjë me mosmbajtjen dhe eleminimin e tepërt të ujit nga organizmi. Kjo gjë ndodh për shumë arsye, si: Trauma, tumore, dëmtime të kokës etj. Hormoni përgjegjës për mbajtjen e ujit vjen nga gjendrra e hipofizës, që është e vendosur në qendër të trurit dhe nëpërmjet veprimit në veshka, e kthen ujin në trupin tonë dhe e rregullon atë në sasinë e nevojshme që na duhet. Kur ky hormon nuk prodhohet siç duhet, gjë që ndodh për shumë shkaqe të brendshme të hipofizës dhe të kokës apo kur veshkat janë të sëmura dhe nuk i përgjigjen, atëhere kemi mosprodhim apo mosveprim të tij e për pasojë, edhe dalje të mëdha të ujit në urinë, gjë që çon menjëherë në urinim të shpesh, rënie në peshë etj. Kjo sëmundje, për fat të mirë, nuk trashëgohet drejtpërsëdrejti, por kryesisht, vjen nga faktorët që renditëm më sipër. Së fundmi, shpresoj t’ju kem ndihmuar sadopak dhe do të isha i lumtur nëse do më shkruanit sërish përsa i përket ecurisë së diabetit, por edhe për shëndetin e familjes suaj në përgjithësi. Faleminderit.