M’u dogjën rrobat
– Mund të më ktheni përgjigje për ëndrrën time ju lutem, se jam në ankth? Jam Angjelina dhe pashë në ëndërr sikur isha te dhoma ime e ndenjjes me shokun dhe shoqen time të ngushtë. Po bisedonim, por edhe debatonim për disa çështje private. Ndërkohë, mami më thirri duke më thënë: “Vjen era e djegur nga dhoma jote”. Shkova me vrap te dhoma ime dhe pashë që fustanet e mia kishin marrë flakë. U shokova dhe po mundohesha ta fikja, por më dukej e pamundur. Fillova të qaja nga inati dhe u zgjova nga gjumi.
– Angjelina, nuk duhet të shqetësoheni kaq shumë. Ndonjëherë është mirë të mendoni se ishte thjesht ëndërr dhe kaq. Në njëfarë mënyre, duke menduar pozitivisht, mund të tërhiqni fat pozitiv dhe jo ngjarje negative. Djegia e zjarret janë simbole të pasionit, por edhe të lamtumirës, në çdo lloj këndvështrimi. Kjo është një lloj ëndrre që ju paralajmëron të bëni kujdes, së pari duke mos u ndikuar nga e kaluara, të mos hapni plagë të vjetra dhe të jeni vigjilente për të tashmen. Duhet të keni kujdes në veprimet dhe sjelljet tuaja, në mënyrë që të mos marrin zjarr dhe të mos dëmtohet personaliteti juaj. Mund të ndodhë diçka që do t’ju lërë përshtypje të madhe dhe mund të lëndoheni pak. Bëhet fjalë për diçka shumë personale sepse edhe zjarri që keni parë, ishte mes rrobave tuaja. Megjithatë, ana pozitive është se ju përfundoni duke qarë në ëndërr, që është shenjë e mirë. Do të thotë që do ta kaloni të keqen shumë shpejt dhe do të ngushëlloheni po me shpejtësi, duke u ndjerë e lehtësuar që gjithçka kaloi pa të dëmtuar shumë. Ëndrra ju këshillon të ruani qetësinë, në mënyrë që të reagoni dhe të veprosh me zgjuarsi që të ruani nervat dhe personalitetin tuaj.
Në shëtitje me shoqërinë
– Ju përshëndes! Unë që po ju shkruaj jam Vera. Isha me shoqërinë e me shoqen time të ngushtë dhe vendosëm të shkonim në Dajt. Hipëm në teleferik dhe unë ndjeja një lloj euforie teksa po ngjitesha lart në mal. Shkuam atje, filluam të luanim dhe unë isha e entuziazmuar. Më pas, shoqja ime më tha se kishte parë ish-të dashurin tim dhe m’u mor fryma. E pashë edhe unë dhe iu afrova, në mënyrë që ai të më shikonte. Ai më qeshi dhe m’u afrua, duke më thënë që s’më kishte harruar. Me mendjen time, m’u bë sikur ishim përsëri bashkë. Pres parashikimin.
– E dashur Vera, përgjithësisht, shëtitja që keni bërë, ngjitja me teleferik, parashikon ngjarje pozitive. Kjo tregon që ju dëshironi ta merrni jetën qetësisht dhe të ngjiteni ngadalë drejt sukseseve, por diçka gjatë rrugës tuaj drejt ngjitjes do t’ju bëjë të ktheheni pak mbrapsht në kohë. Jeni e vetëdijshme që çdo gjë e tepruar dhe sidomos kthimi mbrapa në kohë, mund t’ju shpien në dëmin tuaj dhe të dëmtojnë edhe atë rrugë të suksesshme që keni ndjekur deri tani. Ju do të përballeni me të kaluarën tuaj shumë papritur dhe atëhere kur nuk e prisni, megjithëse brenda vetes dëshironi që ajo e kaluar të jetë përsëri e juaja. Ëndrra ama ju paralajmëron të bëni kujdes dhe të mos e lejoni veten të përfshiheni në gjëra të palejuara dhe për më tepër, që ju dëmtojnë. Planet tuaja drejt asaj çfarë keni menduar, nuk do t’ju realizohen sepse ju bëni një hap mbrapa, që në fakt, nuk duhet ta bëni. Duhet të ndryshoni pikësynimin që keni dhe të vazhdoni rrugën që keni ndjekur deri më sot. Hidheni gjithçka pas shpine se ndryshe, do të gaboni sërish.
U zura me një burrë të moshuar
– Kam parë në ëndërr sikur po rrihesha me një burrë që nuk e njihja. Unë jam 18 vjeçe. Ky burri ishte i moshuar dhe, tërë kohën, gërricej me fjalë. Ai po më thoshte: “Ti je e pandreqshme. Do të thyesh kokën”. Pas shumë debatesh, filluam të rriheshim, por më e çuditshmja ishte se, pavarësisht kësaj, ndjeja për të, e doja jo si një të dashur, por si një person të familjes. A mund të më thoni çfarë parashikon kjo ëndërr? Jam në pritje të përgjigjes tuaj.
– Ky burrë që keni parë në ëndërr, në realitet, mund të simbolizojë babain tuaj. Mbase keni ose do të keni konflikte me të. Ju jeni një vajzë shumë impulsive dhe doni që t’ju ecë fjala vetëm juve. Për këtë, shpeshherë jeni në konflikt edhe me veten, sepse nuk e dini çfarë kërkoni. Babai juaj e ka vënë re këtë gjë te ju, ju do vetëm të mirën dhe ka nevojë që ta dëgjoni. Pavarësisht nga kjo, ju jeni shumë të lidhur me njëri-tjetrin dhe do të donit të ishit shokë të mirë. Atëhere, mundohuni të jeni më mirëkuptuese me babain dhe do shihni që edhe ju do të ndiheni më mirë me veten.
Komshinjtë dhe shumë femra rreth meje
– Kam parë një ëndërr shumë të çuditshme dhe të sikletshme, njëkohësisht. Po shkoja në punë si gjithmonë dhe rrugës shikoja vetëm femra, të cilat nuk m’i ndanin sytë, por më shikonin vëngër. Pyeta kolegen time a e shikonte atë që po shikoja edhe unë dhe ajo m’u përgjigj: “Jo, s’e shikoj, po të bëjnë sytë ty”. Shkova në punë dhe pashë se kishin ardhur të gjitha komshiet e mia aty e po flisnin për mua, por s’po e kuptoja se për çfarë. Ndërkohë, shkova te koleget e mia të cilat i konsideroj edhe shoqe të ngushta dhe u rrëfeva për marrëdhënien time me burrin. Isha e rrethuar nga femra dhe po më dhimbnin veshët nga të bërtiturat e tyre. Këto shoqet e mia më qeshnin, por nuk dukej sikur nuk mbanin anën time. Ç’do të thotë kjo?
– Përgjithësisht, komshinjtë në ëndërr nuk janë shenja të mira, por tregojnë pakënaqësitë që ndjeni ju në jetën tuaj reale. Nënndërgjegjja ju fton të jeni më e kujdesshme në përzgjedhjen e shoqërisë tuaj, ju paralajmëron të keni kujdes pasi zëra dashakeqës mund të përhapin fjalë për gjëra jo të këndshme për ju. Duhet të jeni më përzgjedhëse në rrethin tuaj dhe të largoni bindjen që të gjithë ju duan të mirën. Me këtë gjë, nuk duam t’ju trembim, por thjesht të hapni sytë dhe të mos besoni çdo gjë të bukur që ju serivirin. Femrat e shumta në ëndërr, në shumicën e rasteve, përfaqësojnë intrigat dhe zilitë. Si në planin shoqëror, ashtu edhe në ambientin e punës, ju keni femra ziliqare rreth jush, kështu që mos jini kaq e hapur dhe dorëlëshuar. Kontrollo dhe beso, kjo duhet të jetë motoja juaj, sidomos në këtë periudhë.