Nuk hapja sirtarin
– Jam Sabina. Kam parë në ëndërr sikur refuzoja të hapja sirtarin e një rafti sepse kisha frikë mos më vidhnin gjërat që kisha brenda, edhe pse nuk e dija fare çfarë gjërash mund të kishte. A bën ndonjë lloj parashikimi kjo lloj ëndrre?
– E dashur Sabina, megjithëse na e keni thënë me pak fjalë, ëndrra juaj ka një domethënie shumë të thellë psikologjike. Sigurisht, edhe ngjarjet në realitet janë në varësi të asaj çfarë përjetojmë psikologjikisht dhe çfarë mendojmë. Sirtari që keni parë në ëndërr, në rastin tuaj, është një simbol femëror në kuptimin e dhënies dhe marrjes në sensin seksual dhe përjetimit nga ana psikologjike shpirtërore. Me siguri, kohët e fundit ju e ndjeni që nuk keni aspak dëshira seksuale dhe kjo ndodh sepse keni frikë. Nga se keni frikë, e keni pyetur veten ndonjëherë? Mos vallë keni frikë se duke u dhënë fizikisht, do të humbisni vlerat që keni dhe nuk do të dukeni më interesante në sytë e partnerit? Apo mos keni frikë se akti seksual do t’ju “vjedhë” gjithë botën tuaj të brendshme shpirtërore, intime, psikologjike? Asnjëra nga këto nuk është e vërtetë. Jetën seksuale duhet ta përjetoni e ta mendoni si një kënaqësi dhe nevojë tuajën fiziologjike, jo thjesht për të kënaqur partnerin tuaj. Gjithë të mirat!
Duke kaluar mbi gjemba
– Mbrëmë kam parë në ëndërr sikur do të kaloja një rrugë, por ishte plot gjemba dhe e kisha të vështirë të kaloja. S’kisha rrugë tjetër, kështu që kalova andej. Edhe pse i ndjeja dhimbjet poshtë këmbëve, i kalova. Vetëm se kur dola në anën tjetër, e pashë veten shumë të zverdhur dhe krejt të sfilitur, por edhe e ndjeja që kisha hequr një barrë shumë të rëndë. A ka ndonjë kuptim kjo ëndërr?
– Një ëndërr e tillë tregon që keni pasur probleme shëndetësore dhe vazhdoni t’i keni ato, por nuk duhet të shqetësoheni sepse shumë shpejt do ta merrni veten. Vetëm se do t’i futeni një rruge për t’u kuruar që do jetë pak e vështirë në pamje të parë, por që do të dalë me sukses. Pavarësisht dhimbjeve dhe frikës, merreni këtë rrugë sepse do të dilni me sukses dhe do të ktheheni siç keni qenë. Ju uroj shëndet!
Urdhëra
– Isha në shtëpi dhe po pastroja, por pashë që në fakt nuk po lodhesha shumë sepse ishin disa të tjerë që po e bënin këtë punë më mirë se unë. Unë thjesht u jepja urdhëra dhe ata i bënin me shumë kujdes ato punë. Mendoj se ishte kompani e specializuar pikërisht për këtë. Unë bëja vetëm paketimin e disa kutive. Çfarë kuptimi ka, ju lutem? Anisa.
– E dashur Anisa, shpesh ëndrrat janë thjesht një “radiografi” e psikologjikës dhe e mendimeve tona. Në rastin tuaj konkret, ëndrra tregon se ju i keni të qarta synimet tuaja në jetë, qofshin këto private apo profesionale. E dini që hapin e parë për punët tuaja duhet ta merrni vetë e më pas do t’i shikoni frytet. Do të shikoni se si të tjerët do punojnë për ju dhe kjo sepse investoni shumë në të sotshmen, që e nesërmja të jetë më frytdhënëse. Vazhdoni të jeni kështu.
Ndjekje
– Jam e shqetësuar se ka disa kohë që shoh të njëjtat ëndrra; sikur më ndjekin dhe duan të më vrasin me thikë ose me pistoletë. Ka pak kohë që më ka vdekur mamaja dhe përpara shikoja gjithnjë ëndrra sikur kisha po digjej ose sikur shpërthente ndonjë bombë. Tani jam e shqetësuar përsëri se mos ëndrrat më bëhen realitet. Sara
– E dashur Sara, e kuptoj shqetësimin tuaj. Vërtet kisha e djegur dhe shpërthimi i bombës kanë qenë paralajmëruese të prishjes së ekuilibrit tuaj shpirtëror, gjë që u shfaq menjëherë pasi vdiq mamaja juaj, ndërsa ëndrrat sikur ju ndjekin tregojnë që ju vazhdoni të jeni e stresuar dhe shumë e mërzitur për humbjen e mamasë tuaj. Ndiheni tmerrësisht e vrarë në shpirt, por kjo nuk do të thotë që do t’ju ndodhë përsëri ndonjë gjë e keqe. Thjesht, duhet të mundoheni ta qetësoni veten dhe të pranoni që jeta ka edhe humbje të personave më të dashur. Të gjithë do t’i kalojnë këto gjëra. Uroj të mos shikoni më keq në familjen tuaj dhe, bëhuni e fortë!
Në fund të detit
– Hidhem në det, notoj deri në fund të detit dhe aty shoh një tub gazi me rubinet. Me mendje thosha: Si ka mundësi që ka në fund të detit një tub gazi dhe për çfarë shërben rubineti? Për kuriozitet, e hapa rubinetin e ndjeva gazin që po dilte dhe aty u zgjova nga gjumi. Pres një përgjigje. Ergi.
– I dashur Ergi, nëse deri dje keni qenë nën depresion dhe ankth, mos u shqetësoni sepse tashmë kjo gjendje po ikën dhe ju po shëroheni më në fund nga kjo periudhë e trishtueshme e jetës tuaj. Kjo ëndërr tregon pikërisht këtë gjë. Fakti që keni arritur në fund të detit, tregon që ju jeni zhytur në depresion dhe keni prekur fundin, ndërsa tubi i gazit është energjia që keni ju brenda vetes, që tani po çlirohet dhe po e përgatit trupin dhe shpirtin tuaj të jetojë sërish dhe ta shohë jetën më me ngjyra. Dalja juaj nga kjo gjendje e rëndë psikologjike nuk do të jetë një mrekulli, por do të vijë falë aftësive tuaja për t’ia dalë mbanë dhe për të treguar që jeni natyrë e fortë. Ju uroj gjithë të mirat!
Dollap
– Në ëndërr pashë sikur po rregulloja dollapin tim që ishte plot me sirtarë dhe dyer. Habitesha sepse e dija që dollapi im, në realitet, është i vogël. Unë rregulloja gjëra e hidhja rroba të vjetra. Ndihesha shumë e lodhur, por e ndjeja që duhet ta pastroja dollapin dhe të vija një çikë rregull në të sepse më dukej shumë rrëmujë. Ç’do të thotë? Zonja X.
– E nderuar Zonja X! Ëndrra tregon se ka ardhur momenti që ju të vendosni pak rregull në jetën tuaj private. Duhet të sqaroni disa gjëra me veten dhe me atë person që keni në krah. Dollapi me gjithë gjërat brenda, përfaqëson jetën tuaj private dhe gjendjen tuaj psikologjike. Tashmë, jeni ndërgjegjësuar që duhet të hiqni disa hije dyshimi që ju kanë munduar deri tani. Së pari, duhet të filloni me veten e pastaj të flisni me familjen tuaj. Do të shihni se gjithçka do të shkojë më mirë në jetën tuaj private. Ju uroj mbarësi!
Burrë i gjatë
– Në ëndërr kam parë sikur ishte një burrë shumë i gjatë që qëndronte me disa burra me shtat të shkurtër dhe mesatar. Unë nuk doja që burri i gjatë të dukej ndryshe nga të tjerët, kështu që e detyrova të ecte me gjunjë të përthyer përtokë dhe ashtu bëri. Përsëri, zgjidhja që gjeta nuk ma mbushi mendjen sepse e vura re që dëmtoja burrin e gjatë dhe në të njëjtën kohë, nuk e arrija qëllimin tim sepse burri me gjunjët e përthyer dukej përsëri ndryshe nga të tjerët. Dua parashikimin e kësaj ëndrre. Kristi.
– I dashur Kristi, ëndrra tregon për një natyrë me shumë komplekse që është brenda jush. Duke qenë i tillë, ju keni arritur aty sa keni hequr dorë nga shumë gjëra në jetë të cilat do të kishin qenë shumë me vlerë për ju. Megjithatë, brenda jush ekziston një fuqi imponuese dhe bindëse shumë e madhe. Mjafton ta përdorni pak dhe do të vini re një ndryshim shumë të madh rreth jush, duke filluar që nga ana profesionale e deri tek ajo shoqërore dhe personale. Me mendjen tuaj mundoheni t’i ndryshoni situatat dhe gjërat brenda jush si dëshironi dhe përsëri e ndjeni që jeni ndryshe nga të tjerët. Nëse vazhdoni kështu, mund të rrezikoni të humbisni ekuilibrin tuaj në jetë dhe, për pasojë, puna e gjithçka tjetër nuk do t’ju shkojnë mirë. Komplekset që keni janë krejt pa baza, prandaj lërini mënjanë dhe vazhdoni të jetoni ashtu siç dëshironi.
Persona të tjerë në krevat
– Në ëndërr pashë sikur isha në krevat me burrin me të cilin bashkëjetoj. Ai më puthi në buzë, por përveç nesh, në krevat kishte edhe persona të tjerë. Ç’do të thotë? Jam shumë e mërzitur sepse e shoh që ai nuk interesohet shumë për mua…
– Na vjen keq t’ju themi, por dikush tjetër ju ka hyrë në mes dhe po jua rrëmben burrin me të cilin bashkëjetoni. Ju e keni kuptuar në njëfarë mënyre, prandaj edhe vuani. Ai është i interesuar për dikë tjetër dhe shumë shpejt do t’ju kërkojë që të ndaheni. Ëndrra këshillon të mos vuani aspak për këtë njeri sepse nuk ia vlen, madje, duhet ta lini ju, përpara se t’ju lërë ai juve. Pas një periudhe të shkurtër, do ta kuptoni sa mirë keni bërë që jeni ndarë prej tij. Ai nuk është për ju. Ju urojmë shumë fat!