– Përshëndetje redaksi! Unë që po ju shkruaj jam sërish zonja 30 vjeçare nga Vlora që ju shkrova historinë e dashurisë sime të parë dhe që jam në dilemë të madhe për t’u ndarë. Në radhë të parë, ju falënderoj për këshillat, por desha të theksoj se në lidhjen tonë ishte konsumuar raporti intim dhe nuk ishte një dëshirë për t’u rimbushur, por një dëshirë që e kam kultivuar në këta 12 vjet. Unë burrin tim nuk e kam dashur as edhe një herë. Për mua, kjo ishte një alternativë për të harruar tjetrin. Mund të më bëni pyetjen se pse bëra 4 yje. Është një pyetje me vend, por nuk është faji im që e dashuroj me gjithë shpirt këtë djalë. Nuk mund të fle sepse vetëm mendoj për të. E dua me gjithë zemër, më shumë se më parë dhe nuk është thjesht një pasion, siç më shkruani ju. Për mua, nuk është një pyetje pa vend kur pyes nëse duhet të ndahem apo të rri për hir të fëmijëve sepse unë për burrin tim nuk ndjej dhe jeta me një person që nuk ndjen, nuk mund të kalohet me të shtirur. Ju lutem, më ktheni përgjigje këtë të shtunë që vjen se po çmendem. Me respekt, O nga VLORA.
Redaksia: – E dashur O.! Në radhë të parë, të falënderoj që na shkruan sërish. E kam pritur letrën tënde, si letrën e një mikeje të mirë, ndaj të lutem të më konsiderosh edhe ti mua të tillë, megjithëse nuk më njeh dhe nuk të njoh personalisht. Në letrën e parë, ti kërkoje edhe mendimin e lexuesve, por unë iu përgjigja me përparësi letrës, duke patur parasysh që problemi yt ishte urgjent dhe, me mendimin se, duke folur bashkë, ndoshta do të mund të parandalonim një vendim të marrë në nxitim e sipër… Ti më shkruan sërish, këtë herë, duke bërë edhe sqarime të tjera, që ishin të nevojshme në këtë bashkëbisedim. Në radhë të parë, të jesh e bindur për diçka, që është thelbësore mes mikeshash: TË KUPTOJ! Të kuptoj kur thua se jeta nuk shtyhet me të shtirur… të kuptoj kur thua se dashuron me gjithë shpirt këtë djalë… të kuptoj kur thua se po çmendesh… Jeta të vë nganjëherë para alternativash e zgjedhjesh të vështira për t’u bërë. Duam apo s’duam, duhet ta pranojmë këtë. Është e kotë të flasim sot për “gabime” të bëra në të kaluarën sepse, megjithëse ne nuk e dimë asnjëherë se çfarë është e mirë apo e keqe për ne, unë e konsideroj një gabim, të lidhesh me dikë, vetëm për të harruar një tjetër. Ky është thuajse një mision i pamundur. Unë mendoj se mund të “mësosh” ta duash dikë nëse ndan jetën me të, nëse me të ke lindur fëmijë, nëse të respekton dhe e respekton. Sigurisht, kjo mund të jetë shumë larg asaj dashurie pasionante që ne ëndërrojmë kur mendojmë për dashurinë, por unë këmbëngul sërish, duke të thënë se pasioni është kalimtar dhe ajo që mbetet në një marrëdhënie është pikërisht respekti e mbështetja e ndërsjelltë. E di se zemra jote nuk e do këtë përgjigje dhe se ajo nuk mund ta pranojë atë. Edhe këtë, e kuptoj. Atëhere, le të supozojmë atë çfarë të do zemra; ti more vendimin të ndahesh nga bashkëshorti dhe të realizosh dashurinë tënde të vërtetë. Ok, po mendojmë për dashurinë e vërtetë dhe po marrim përsipër të mendojmë vetëm për vete, pa futur në mes fëmijët apo familjen… Ja, u ndatë. A merr përsipër i dashuri yt ta realizojë dashurinë tuaj të përbashkët? Në letrën e kaluar shkruaje se ai nuk të premtoi asgjë. Më vjen keq të ta them, por unë mendoj se ky djalë, edhe nëse të dashuron siç e dashuron ti (megjithëse dyshoj shumë në këtë pikë), është shumë frikacak për të marrë vendime të guximshme. Ai nuk i mori dot vendimet e guximshme kur ishit akoma të rinj, të paimpenjuar, iu bind familjes së tij dhe të la të shkoje. Atëhere, sa i zoti është ai t’i përgjigjet kësaj dashurie sot, kur ti ke familje e fëmijë dhe ai, gjithashtu? Kam frikë se nuk ia vlen të bësh sakrifica për këtë njeri dhe se ai nuk do të jetë një mbështetje për ty në këto sakrifica! I ke thënë atij për këtë dyzim të madh që ke, për t’u ndarë ose jo me bashkëshortin? Mendoj se jo, ose edhe nëse e ke bërë, ai nuk e ka marrë seriozisht. Dyshoj se, nëse do të mendonte se ti vërtet mund ta bëje këtë (të ndaheshe nga bashkëshorti për të), do të ikte me vrap nga frika, ose më keq akoma, do të të premtonte dashuri “të lirë”, duke të shkatërruar familjen dhe nga ana tjetër, duke mbrojtur të vetën… Të dukem e ashpër? Më beso, jam thjesht, realiste. Edhe një herë e përsëris; sepse TË KUPTOJ. Kur dashurojmë, ne mësohemi të idealizojmë personin që kemi përballë; i veshim atij të gjitha tiparet që do të donim të kishte princi ynë i kaltër, por… më bëj një nder. Përpiqu sa të mundesh të ulesh me këmbë në tokë dhe të shohësh realisht se ç’lloj “princi” është ky njeri, se “ç’ngjyrë” ka “princërimi” i tij… Këshilla ime konkrete në këtë rast, është: Takoje, ulu me të, përpiqu sa të mundesh të tregohesh realiste, siç edhe të takon për pjekurinë që ke (dhe për faktin se, tashmë, je nënë fëmijësh) e pyete drejtpërdrejt: Çfarë është në gjendje të bëjë ai për ty? Nëse ti bën sakrificën sublime të shkatërrosh familjen tënde për të, a do të jetë ai në gjendje ta realizojë konkretisht këtë dashuri dhe këtë lidhje? Mos harro, këtë duhet ta bëjë duke marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë që i takojnë një burri, kur merr përsipër këtë vendim.
Pyete drejtpërdrejt, merr përgjigje të drejtpërdrejtë dhe, nëse mundesh sërish, mos harro, pres letrën tënde. Të uroj qetësinë e shpirtit.