Dashuria me e madhe në botë është dashuria që ka nëna për fëmijën. Vetëm dashuria per prindërit mund t`i afrohet kësaj dashurie. Mbajtja në barkun e nënës për nëntë muaj krijon lidhjen e pandashme mes tyre. Të vjetrit thonë se nëna ndjen se kur do t’i sëmuret fëmija, ndjen se kur nuk është mirë dhe di se kur e mundon diçka. Unë për veten time e konsideroj veten me fat që Zoti më ka dhënë pesë fëmijë, edhe pse me njërin prej tyre kam vuajtur dhe po vuaj akoma. Vuajtja më e madhe nuk është vuajtja fizike që kaloj duke u kujdesur për të, por ajo shpirtërore kur shoh engjëllin tim duke u përpjekur me jetën.
Tani jam 45 vjeçe dhe kam tri vajza e dy djem. Kur isha 40 vjeçe, kisha dy djem e dy vajza. Ata ishin të rritur dhe mua e burrit tim na lindi dëshira për një foshnjë që të na gjallëronte jetën e cila ishte kthyer në monotoni. Edhe pse isha në moshë të madhe, doktorët më thanë se përderisa kisha lindur më parë, ekzistonte një mundësi shumë e vogël që fëmija të dilte me probleme.
Kur u thashë fëmijëve se do të bëja një bebe, ata u kënaqën dhe tek asnjëri nuk pashë as më të voglën shenjë xhelozie. Muajt kaluan dhe unë ndjehesha mirë. Bëmë të gjitha analizat dhe, sipas mjekëve, çdo gjë ishte në rregull; do të lindja një fëmijë të shëndetshëm. Pas nëntë muajve linda një vajzë e bukur, që fëmijët thonin se i ngjante një engjëlli dhe ngulmuan ta quanim Anxhela. Nuk ua prishëm.
Ajo ishte një fëmijë mjaft i qetë, jo i bezdisshëm dhe kjo bënte që të gjithë ta donin fort. E trajtonim si një kukull. Kur zgjohej nga gjumi, ajo, tamam si një kukull, shkonte nga krahët e njërit, në krahët e tjetrit. Ishim një familje e përsosur ku sundonte harmonia dhe lumturia e pafund. Burri më donte dhe unë, gjithashtu. Edhe fëmijët ishin shumë të mbarë. Ata merrnin pjesë aktivisht në punët e shtëpisë, kështu që na dilte koha edhe të dilnim. Ishim të lumtur. Tre vjet pas lindjes së Anxhelës, një e papritur trokiti në derën tonë. Një dhimbje e thellë do të na pushtonte të gjithëve; Anxhela u sëmur.
Kishte një javë që edukatoret më thonin se ajo nuk luante si ditët e tjera dhe ishte si e përgjumur. Kur vinte në shtëpi kishte dëshirë të rrinte në errësirë dhe nuk ngrihej as për të ngrënë, as për të luajtur. Që ditën e parë u bëra merak të them të drejtën, por mendova se mos ishte ndonjë virozë e stinës dhe nuk e çova te spitali, por ndërrova mendje dhe thashë se më mirë se doktori nuk mund ta dija unë. Doktori më dha disa analiza për t’i bërë. Përgjigjja e analizave ishte fatale. Vajza ime ishte me leuçemi. U trondita shumë. Me vajzën në krah u futa në makinë dhe, sa hap e mbyll sytë, arrita te puna e burrit. Ai u tremb shumë kur më pa ashtu, nuk e merrte me mend se ç’mund të kishte ndodhur.
– Ç`ke? – më tha.
– Po çmendem! – i thashë – Ja përgjigjja e analizës.
Ai e mori në dorë po nuk po kuptonte asgjë.
– Ç`do të thotë kjo? – më pyeti ai – ti e di se nuk i kuptoj këto të shkreta analiza. Më thuaj ç`është?
– Është fundi! Anxhela ka leuçemi.
– Jo, mos! – tha ai dhe u ul në një prej shkallëve të cilat akoma nuk i kishte zbritur.
Ishte një tmerr! Nuk e di si e kaluam atë ditë. Ky tmerr u bë lemeri kur e morën vesh fëmijët e tjerë dhe të gjithë njerëzit tanë të dashur. Ata rendën sa e morën vesh.
Ditën tjetër e shtruam Anxhelën në spital dhe unë i qëndroja pranë natë e ditë. Ajo më parë ishte një fëmijë i shëndetshëm, por nga dita në ditë, nisi të tretej. Nuk hante ushqim dhe mbahej vetëm me serume. Ilaçet i zinin vendin e ushqimit në stomak. Fëmijët vinin me radhë, por te dhoma e saj nuk futeshin dot. Ishte një sëmundje shumë e keqe.
Qëndruam në spital për dy muaj dhe pastaj u kthyem në shtëpi. Ishte një ditë që nuk do ta harroj kurrë, pavarësisht se ajo u pasua me shumë ditë të tjera të tilla. Kjo ditë ishte e ndryshme sepse bënte ndryshimin mes jetës sonë të lumtur dhe jetës që do të kishim ne tani. Familja jonë tashmë ishte çorientuar. Jeta jonë ishte e zënë me mjekime, serume, analiza. Unë isha gjithmonë pranë Anxhelës dhe nuk kisha kohë të merresha me tjetër punë. Të gjithë kur ishin në shtëpi duhej të më ndihmonin mua ose të më zëvendësonin kur përpiqesha të gatuaja apo të merresha me ndonjë punë. Nuk kishte rehati në shtëpinë tonë, e cila para shumë pak kohe ishte e pushtuar nga lumturia.
Burri ishte shumë i mërzitur dhe, pak nga pak, filloi të vinte vonë nga puna. Kur vinte dhe unë e pyesja, më gënjente duke më thënë se kishte shumë punë ose ndonjë gënjeshtër tjetër. E kuptoja se donte t’i shmangej “luftës” në shtëpi. Dy djemtë ishin në shkollë dhe iu desh që pasdite të punësoheshin sepse gjendja ekonomike, me papunësinë time dhe mjekimet e analizat e Anxhelës, tashmë ishte jo e mirë. Dy vajzat më ndihmonin mua, merreshin me punët e shtëpisë dhe, kur u dilte pak kohë, merreshin me mësimet.
Erdhi koha që Anxhela të shtrohej prapë në spital e filloi përsëri i njëjti avaz: Serumet, fëmijët që vinin e shkonin, burri i cili pas punës ishte i abonuar te dera e spitalit… Ai tani nuk ishte më burri i urtë që rrezatonte mirësi sa herë që fliste. Jo! Ai ishte shndërruar, nevrikosej për çdo gjë dhe kur nevrikosej, ikte, humbte për dy orë. Unë nuk isha në gjendje të merresha me asnjë, ndaj ia vija të gjithë fajin vetes. Fëmijët ishin të shpërndarë dhe nuk merreshin vesh se si të organizoheshin e të hanin drekë e darkë. Unë nuk shkëputesha dot për asnjë çast nga Anxhela. Familja ime ishte shkatërruar, por me të gjitha këto unë prapë se prapë mendoja vetëm për shëndetin e vajzës sime dhe shpresoja atëhere e shpresoj tani se ajo do të shpëtojë.
Një ditë u telefonova të gjithëve dhe u thashë se i prisja në lokalin afër spitalit. U caktova një orë kur mund të ishin të lirë të gjithë. Pagova një infermiere që të mos ma linte vajzën për asnjë sekondë vetëm. Erdhën të gjithë. I pashë nga dritarja e lokalit dhe pata nostalgji për familjen që kisha patur. Atëhere kishte patur një magji mes tyre, një magji kjo të cilën nuk po e shihja më. Jo se më pengonte xhami i lokalit, por dukej që nga larg se ishte tavolina me e trishtuar në atë lokal. Zemra m’u ligështua, por u mundova ta mblidhja veten dhe u futa në lokal. U ula afër burrit dhe isha e rrethuar nga fëmijët e mia e ai, burri që kisha dashur me shumë në jetë.
– E di se jeni shumë të mërzitur. Të gjithë ishim të lumtur para se të na ndodhte kjo gjë e tmerrshme. Unë dua që ju të jeni po aq të lumtur sa keni qenë. Dua t’ju jem pranë në çdo moment siç kam qenë më parë dhe do ta bëj këtë sapo Anxhela të bëhet më mirë, por në këtë moment dhe në ditët në vazhdim dua t’i rri pranë asaj dhe të mos i largohem, që më vonë të më ngelet merak se nuk isha në vendin e duhur, në momentin e duhur. E di se edhe ju këtë dëshironi. Kjo është një provë që duhet ta kalojmë. Duhet jo vetëm punë, por edhe përkrahje dhe durim shumë i madh. Unë kam marrë një vendim dhe ju jeni të lirë të bëni si të doni. Të gjithë jeni të mëdhenj. E vetmja që ka nevojë për mua tani është Anxhela…
Fola aq shumë, i thashë të gjitha e ata nuk folën sepse nuk kishin ç’të thonin, ngaqë nuk u lashë radhë.
– Neve do të na kesh gjithmonë pranë! – më thanë fëmijët.
Vetëm ai nuk foli, burri im, babai i vajzës. U ktheva nga ai dhe i thashë:
– Këto fjalë ishin edhe për ty.
Ai përsëri nuk foli dhe unë nuk u mora me me të. Heshtja e tij fliste më shumë se mijëra fjalë. Ai nuk do të ecte në rrugën tonë. Ishte një njeri i dobët, të cilin e ke në krah vetëm në kohën e lumturisë. Meqenëse sëmundja e vazës ishte më e rëndësishmja për mua në atë moment, nuk më bënte përshtypje asgjë.
Tashmë, “lufta” me sëmundjen është më pak e ashpër ose ne jemi mësuar me të, por unë luftoj çdo ditë dhe do të vazhdoj të luftoj derisa vajza ime të futet mes shoqeve të saj dhe të jetë si gjithë të tjerët…