E nderuar psikologe. Desha një këshillë nga ju meqë e vetme nuk po mundem më t’ia dalë edhe pse unë vetë jam me profesion njësoj si ju. Problemi qëndron këtu: kam dy fëmijë, djali që është 6 vjet e gjysmë dhe vajza që është dy vjeçe. Unë si nënë kisha kujdes të veçante për djalin dhe mendoj se me lindjen e vajzës kujdesi u nda në dysh, gjë që e prishi rendin dhe rregullat në familjen time. Në përgjithësi djali ishte shumë i qetë, i edukuar dhe gjithçka shkonte ok, tani që ka filluar edhe shkollën ku është mirë me mësime por në shtëpi është rebeluar paksa, një jo e imja për të është normale dhe nuk ia vë veshin fare, gjë që më shqetëson dhe fjala e kthyer e tij, edhe pse unë e kuptoj këtë moshë por s’më duket shumë normale ndryshimi i tij aq i shpejt, motrën e do shumë por ka raste kur bën gjëra të qëllimshme ndaj saj. Kam provuar me bisedë, kam provuar pak me dënime, pak me ndëshkim por mendoj se nuk më çojnë askund këto gjëra sepse djali vetëm sa më largohet edhe më shumë. Ai ka qenë fëmija më i butë dhe më i dashur që kam njohur. Ajo që më vret më shumë është se e ndjej sikur s’më do më dhe s’më afrohet si dikur, Çfarë mund të më sugjeroni ju që ta kaloj një situatë të tillë?
Lorela Garuli, psikologe, email lorela_garuli@hotmail.com:- ! Të sjellësh në jetë një fëmijë të dytë kërkon angazhim në përgatitjen e fëmijës së parë. Gjithashtu duhet dhe vetndërgjegjësim i prindit, të ketë një ekuilibër si të ndjenjave po ashtu dhe të sjelljeve kundrejt fëmijës së parë dhe fëmijës së porsalindur, në mënyrë që të shmangen xhelozitë. Me ardhjen e një pjesëtari të ri në familje fëmija shikon që nuk është më personazhi kryesor. Prindërit rendin pas bebit, duke e mbajtur në krahë kur qan apo një temperaturë e mundëshme bën që e gjithë vëmëndja të zhvendoset aty. Gjatë darkës nënat janë të lodhura ose të zëna me përkujdesjen e bebit dhe vëllai apo motra më e madhe i zë gjumi pa u lexuar përrallën e tyre. E dashur letërshkruese ju thoni që jeni e fushës së psikologjisë dhe nga ana teorike besoj jeni e mirë informuar, kështu unë po ju jap disa këshilla të thjeshta praktike. Kujdesi dhe përkushtimi juaj tashmë është fokusuar tek vajza aq më tepër nëse e mbani në shtëpi, që do të thotë kaloni gjithë ditën me të, ndërsa djali shkon në shkollë dhe i ngelet vetëm pasditja për të qëndruar pranë jush. Kur djali të kthehet nga shkolla nëse ju jeni duke mbajtur në krahë vajzën mund ta lini një moment mënjanë dhe t’a mirëprisni atë duke e përqafuar, pyeteni si e kaloi ditën në shkollë, i thoni që e ndjetë mungesën e tij. I kushtoni vëmëndje vetëm atij në ato momente pa u shpërqëndruar me vajzën. Gjatë bërjes së detyrave nëse ju kërkon ndihmë dhe ju jeni duke u marrë me vajzën shpjegojani butë arsyen pse nuk mundeni . Kur i thoni jo, mos ja thoni jo të prerë, por duke ja shpjeguar. Sa here që të jepet mundësia dil vetëm me djalin një shëtitje apo në këndin e lojrave sepse atij i mungon koha kur dikur ju keni dalë bashkë. Gjatë përkujdesjes së vajzës mundohu ta përfshish në gjëra të vogla, por gjithmonë duke bërë kujdes që mos ti ngarkosh përgjegjësi. Kujtoi atij që jeni kujdesur po në të njëjtën mënyrë kur ka qënë i vogël. Mos e detyro asnjëherë që lodrat e tij t’ia japë motrës, por binde duke komunikuar butë me të. Ndonjëherë kërko mendimin e tij në vendime të vogla si përshembull për zgjedhjen e lodrave. Duke patur parasysh moshën e të dyve mendoj që tani do ju fillojnë dhe zënkat mes tyre, ndaj ju këshilloj që të mundoheni të mos ndërhyni (sigurisht duke i kontrolluar) sepse ne jemi të prirur të mbajmë nga më i vogli dhe kjo gjë nxit zemërimin e tij ndaj jush. Ndëshkimet nuk j’ua këshilloj sepse kjo gjë mund të krijojë urrejtje të vëllait ndaj motrës, ai do mendojë që për fajin e saj ju po e ndëshkoni. Duke ju uruar gjithë të mirat shpresoj që këto këshilla të thjeshta t’ju vijnë sadopak në ndihmë.