Disa kohë më parë, pothuajse në të gjitha qytetet e mëdha të SHBA-së u përhap midis grave të martuara “epidemia e himenoplastikës” ose thënë më thjesht, moda e rivendosjes së cipës së virgjërisë. Ai që të habiste më shumë ishte fakti se në dyert e kirurgëve nuk trokitnin vajza të reja që, për një arsye apo tjetër e kishin humbur virgjërinë, por gra të martuara, të cilat për vite me radhë kishin gëzuar kënaqësinë e jetës familjare, gra mbi moshën dyzet vjeçare, shumë prej të cilave kishin tanimë edhe fëmijë të rritur. Po si, pse? Motivi kryesor ishte dëshira e tyre për t’u bërë bashkëshortëve një surprizë të këndshme në përvjetorët e martesave, t’u dhuronin, si të thuash, për së dyti virgjërinë dhe të kalonin së bashku një muaj të dytë mjalti, t’i dhuronin të dashurit mundësinë për të provuar zhvirgjërimin, “natën e parë”, tani, në kushtet kur ata kishin një përvojë të mjaftueshme. Shpërthimi i kësaj mode ngjalli në shoqërinë amerikane shumë debate dhe diskutime. Disa shanin meshkujt që e pranonin nga gratë e tyre një dhuratë të tillë, e cila u shkaktonte atyre dhimbje dhe telashe, por shumica përqendroheshin në faktin se po ngrihej në piedestal vetë virgjëria, po i jepej asaj një rëndësi dhe nder që nuk e meritonte. E pse i dhënka virgjëria femrës një dinjitet të tillë të veçantë?
Ç’është himenoplastika?
Në të vërtetë, himenoplastika nuk është një fenomen i ri. Në klinikat e vendeve më të përparuara të Perëndimit, prej kohësh kanë vajtur gra e vajza nga Amerika Latine dhe vendet e Lindjes së Mesme, për të “rikuperuar” virgjërinë e tyre. Kjo, sepse në këto vende, meshkujt i preferojnë shumë virgjëreshat. Përse vallë? Specialistët vënë në dukje se kjo ndodh pasi virgjëria është një koncept me kuptim evoluciono-biologjik. Çdo mashkull do që të jetë vetë i pari dhe i vetmi që krijon marrëdhënie intime seksuale me femrën, duke dëshiruar me këtë rast që të ketë një lidhje të drejtpërdrejtë me trashëgimtarin, në mënyrë që t’i japë atij sa më shumë gene nga vetja. Del se edhe njeriu mbetet ende pjesë përbërëse e “faunës botërore”, e cila ndahet në femra dhe meshkuj. Për ta kuptuar më mirë këtë mendim, një psikolog i shquar sjell një shembull konkret:
Historia e një virgjëreshe
Eleni ishte 25 vjeçe dhe, mungesën e përvojës në çështjet seksuale, kishte vite që e konsideronte si një të metë fizike. I vinte turp për këtë, por s’kishte çfarë të bënte. Gradualisht, në trupin dhe në mentalitetin e vajzës ishte shkrirë botëkuptimi i gjyshes… mirëpo filluan ndryshimet. Krahas ndryshimit të lëkurës së butë vajzërore, filluan të stononin vithet dhe gjoksi i pazhvilluar, filluan ca shqetësime shëndetësore, që e dërgonin nga njëra klinikë në tjetrën. Filluan ilaçet me pika dhe tableta për zemrën e tensionin. Njerëzit e vet e këshillonin vajzën të gjente sa më parë një burrë, të martohej dhe të gjitha hallet do të zgjidheshin si me urdhër të peshkut. Eleni, edhe vetë e kuptonte disi, po ku ta gjente një burrë përderisa nuk kishte asnjë propozim konkret? Pse, kollaj gjendet burri? Mund të gjesh djem të rinj që duan të kalojnë kohën me ty, duke të shtrirë në krevat që mbrëmjen e parë të njohjes, po Eleni nuk donte kështu dhe ja, kishte mbetur e virgjër deri në moshën 25 vjeçare.
Por, në ç’moshë mund ta humbasë një vajzë virgjërinë?
Sipas specialistëve, është e vështirë të thuhet se cila moshë është më e përshtatshme për vajzën që të shkëputet nga virgjëria, pasi ky është një problem që varet nga shumë rrethana dhe ka karakter thjesht individual. Duhen evituar ekstremitetet. Specialistët janë të mendimit se humbja e virgjërisë shpejt, në moshë të vogël, është e rrezikshme për organizmin e femrës, për shkak të infeksioneve të ndryshme që mund të marrë, ndërsa humbja në moshë madhore, si rregull, i sjell asaj probleme të ndryshme psikologjike. Me kalimin e kohës, ajo bëhet e turpshme, mbyllet në vetvete, ka frikë nga kontaktet seksuale me partnerin e parë, etj.
Kulti i virgjërisë
Në Angli, në mos të gjitha vajzat, të paktën ato të besimit protestant, e ngrenë në kult virgjërinë. Ikonë e tyre është Mbretëresha e Anglisë, Elisabeta e Parë. Sipas biografëve të saj, Elisabeta i ishte betuar Zotit se do t’i qëndronte besnike fesë dhe do ta ruante përjetë pastërtinë trupore dhe shpirtërore. Ishte pikërisht ky betim, sipas tyre, që e ngriti atë në fronin e mbretëreshës. Bashkëkohësit e saj vënë në dukje bukurinë e pashoqe të kësaj vajze. Me një fjalë, ajo ishte një vajzë ideale për t’u fejuar dhe për t’u martuar. Filluan propozimet dhe presioni i kandidatëve ishte aq i madh, sa një ditë, Elisabeta premtoi se do të martohej, por se cilin do të zgjidhte, këtë e linte në dorën e Zotit. Ka njerëz që shtojnë se nuk ka qenë vetëm besimi te Zoti që e la Elisabetën të virgjër. Ata thonë se ka ndikuar për këtë edhe babai i saj, mbreti Henriku i Tretë. Ai, pasi dyshoi për tradhti bashkëshortore, i preu kokën së ëmës së saj, Ana Bolejnit, të cilën e kishte marrë me dashuri, por tronditjen më të madhe, Elisabeta e pësoi kur i ati ekzekutoi, po për tradhti bashkëshortore, gruan e tij të pestë, Kejt Hovardin. Të gjitha këto e shtynë vajzën e re ta urrente seksin dhe të vendoste të mos martohej kurrë.
Sado e çuditshme të duket, vetëm me këtë mund të shpjegohet edhe bukuria e Elisabetës, të cilën ajo e ruajti deri në moshën 25-vjeçare. Ju, sigurisht, do të qeshni tani me këtë moshë, por mos harroni se, në kohën e saj, gratë plakeshin shumë shpejt, pasi martoheshin në mosha të vogla, lindnin çdo vit nga një fëmijë dhe, kur arrinin moshën e saj, dukeshin plaka. Por, duhet theksuar se megjithëse i vuri kryq jetës së saj seksuale, ajo nuk u shndërrua në një “të mbetur histerike”, por përkundrazi, e drejtoi me urtësi vendin, duke arritur suksese të papara ekonomike.
Virgjëria si biznes
Tani, kohët kanë ndryshuar. Bashkë me to, ka ndryshuar edhe botëkuptimi e konceptet e njerëzve. Revolucioni seksual i ka shkulur nga rrënjët konceptet e vajzave që e ruanin pastërtinë shpirtërore dhe fizike, pra, virgjërinë për bashkëshortin e tyre. Tani, njerëzit tallen me zakonin e pikave të gjakut mbi çarçaf. Në Mesjetë ama (si dhe në disa vende akoma mesjetare të botës sonë) virgjëria ishte e vetmja pasuri që i ruante dinjitetin vajzës së re. Atëbotë (edhe tani, në disa vende), vajzën nuk e linin të shkonte në shkollë, atëhere ajo nuk e realizonte dot veten në jetën politike, ekonomike apo artistike të vendit. Me se do të krenohej vajza e varfër përveçse me virgjërinë e saj? Mirëpo, ndërsa koncepti te vajzat ka ndryshuar, ka ende shumë meshkuj që kanë mbetur në nivelin e Mesjetës. Ata ngulmojnë përsëri që të kenë virgjëresha në shtratin e tyre. Kështu, lindi një biznes i ri, himenoplastika. Do të virgjër ti? Urdhëro, unë jam e virgjër! Dhe biznesi, s’mbeti me kaq. Si çdo fenomen në jetë, edhe ai është zhvilluar.
Ka vite që disa vajza nga vende të ndryshme të botës, zbuluan një mënyrë e mrekullueshme për ta shndërruar virgjërine e tyre në para. Virgjëria po del në treg si një mall shumë i kërkuar. Çmimi për të fjetur një natë me një virgjëreshë, është i ndryshëm në vende të ndryshme, varion nga 100-400 euro. Kështu, për shembull, një studente nga Kili, kërkoi për virgjërinë e saj 350 stërlina. Çmimin më të lartë në shitjen e virgjërisë e ka arritur deri tani anglezja 18-vjeçare Roza Rejd. Për ta blerë atë, dolën afro katërqind kandidatë. Roza zhvilloi me ta takime të veçanta dhe vendosi t’ia falte virgjërinë një inxhinieri 44 vjeçar. Në intervistën që dha pas natës së parë, ajo pohoi se e pati shumë të vështirë…
Historia më skandaloze me shitjen e virgjërisë ka ndodhur në Itali, me fotomodelen e njohur Refaela Fiko. Pasi fjeti një natë të tërë me një të pasur dhe mori si shpërblim aq para sa të blinte të nesërmen një shtëpi të re në Romë, gazetat u mbushën me artikuj që e akuzonin atë si mashtruese, pasi kishin dale me dhjetëra djem që kishin pohuar se ajo kishte patur me ta marrëdhënie seksuale dhe nuk ishte e virgjër, se ajo me siguri kishte bërë operacion himenoplastik.