Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

M’i fal dhimbjet që të shkaktova…


Edhe sot ma prishe gjumin, si çdo natë. M’u shfaqe si vegim, në ëndërr, megjithëse kot e gënjej veten që fle. Ndonjëherë shoh ëndrra edhe me sy hapur, pasi janë të pakta, për të mos thënë fare, orët e gjumit që bëj. Nuk kam më gjumë. Nuk të kam as ty. Thjesht, ka mbetur portreti yt i varur mbi mur që më vështron me një shikim qortues, sikur do të më thotë: “Ti ke faj!”. E di mirë se e vërteta është kundër meje dhe e kam pranuar, por nuk e pranoj dot faktin që ti nuk je më e imja. Këtë nuk e besoj dot. E di, kam gabuar. Kam gabuar rëndë, e pranoj. Të kërkoj falje, edhe pse e di që falja ime nuk do ta shërojë dot atë dhimbje të madhe që të kam shkaktuar. E di mirë që të është kalbur zemra nga lotët që të shkaktova unë, unë, që të desha shumë. Unë, që të dua ende dhe çmendem nga ideja e të qenit vetëm, pa ty. Më ke thënë të të harroj. Jo, të lutem, jo, këtë nuk e bëj dot! Nuk e kam atë forcë që mendon ti. E si mund të harroj ato momente që jetuam bashkë, ata muaj të mrekullueshëm?

U bë plot një vit qëkur ndjenjat tona i pagëzuam me emrin Dashuri. E si mund të të harroj ty, vajzën e vetme që diti të më bëjë të lumtur, vajzën më të bukur që ka Vlora?! Sot, teksa po ecja i vetmuar bregut të detit, ndeza një cigare me duart që më dridheshin. Imazhi yt më përshkoi flesh kujtesën dhe, në një moment, nisa të qeshja me vete. M’u kujtua një ditë kur më kërkove një cigare që ta pije në sy të shoqeve që të kishin inat. Të kujtohet kur e pive atë cigare dhe desh u mbyte se nuk kishe pirë ndonjëherë? Sa kemi qeshur atë ditë!!! Të kujtohet një mbrëmje kur po shëtisnim anës detit dhe ti ankoheshe se të vrisnin këpucët? Pastaj i hoqe fare dhe i more në dorë… Të kujtohet kur ecnim të përqafuar pa e vrarë mendjen se çfarë thoshin të tjerët për ne, pa pyetur për botën?

Advertisement

Bota më ndau nga ti, kjo botë e hipokrizisë që lundron në velat e gënjeshtrës. E di çfarë po më kujtohet tani? Më kujtohet ajo ditë kur kërceve vetëm për mua në rërën e lagur. Kërceve vetëm për kënaqësinë time… Të uroj ta vazhdosh ëndrrën në shkollën e kërcimit dhe të futesh në botën e spektaklit. Ti më thoje shpesh se paratë nuk kishin vlerë për ty dhe se dashuria ishte ajo që doje më tepër se çdo gjë në botë. Unë, gjithmonë, të kundërshtoja. Duke qenë i llastuar nga fati, mendoja se paraja është gjithçka në jetë dhe nuk e kisha kuptuar vlerën tënde, nuk e kisha kuptuar se ti ishe më e shtrenjtë se ato. Më pëlqenin makinat dhe vajzat e bukura, më pëlqente jeta luksoze dhe nuk e kuptoja se pranë kisha një thesar të çmuar, që ishe ti. Të lashë për një tjetër. E ti… ti qave shumë. Më është skalitur në mendje ai moment i ndarjes, kur i pashë sytë e tu të lotonin. Më the vetëm një fjalë: “Të urrej!”.

Mendoja se do të të harroja shpejt dhe ajo tjetra do të të zëvendësonte lehtë, por më beso, për asnjë moment nuk më je hequr nga mendja. Ajo tjetra ishte zero para teje dhe ti, gjithmonë do të mbetesh njësh! Pyes veten: Po sot, ku jam? Ja ku jam, këtu, po shkruaj disa rreshta për ty, shumë pak… Të shkruash për ty nuk mjaftojnë vetëm dy faqe letre, por letrat e botës do t’i harxhoja të gjitha. Kam shumë për të thënë dhe pak për të gjykuar. Ja ku jam! Jam një hiç i kësaj bote pa emër. Puthjet e tua nuk i gjej gjëkundi. Ato ishin të çiltra, pasionante dhe të ëmbla mjaltë. Ti nuk krahasohesh me askënd! Je e pazëvendësueshme! Je e vetmja femër që ke ditur të më bësh të lumtur. Je personi që nuk do ta harroj kurrë në jetë. Rri dhe të shoh kudo. Më shfaqesh në ëndërr, nëpër kujtime. Afrohem të të prek, por ti zhdukesh drejt errësirës.

A të kujtohet pema e dashurisë sonë, ajo pemë që e mbollëm të dy, në një cep rruge? Unë shkoj shpesh atje dhe e shoh teksa rritet. Shoh se kanë dalë gjethe të reja. Ajo pemë do të rritet edhe më shumë, por dashuria jonë, jo. Ajo mbeti një dashuri një vjeçare që nuk shkon më tej. Më mungon! Më mungon qenia jote, buzëqeshja e pafajshme. Më mungojnë edhe grindjet me ty se më pëlqente kur ti acaroheshe dhe, pas pak, më mbuloje me puthje. Para disa ditësh, festove ditëlindjen me shoqërinë tënde. Të pashë nga larg dhe m’u duke e lumtur. M’u bë qejfi për ty, sepse kjo është ajo që dua, që ti të jesh e lumtur. Të uroj gëzuar ditëlindjen, edhe pse dhuratën time e refuzove. Të betohem, e kisha marrë me gjithë zemër atë dhuratë. Po ti numëroje ata trëndafila, do të shikoje se ishin njëqind copë, kurse mesazhi në fletë ishte vetëm një rresht: “Do të të dua edhe pas njëqind vjetësh, aq sa trëndafila janë këtu”… Por, ti i flake ata trëndafila, pa patur mundësinë ta lexoje as mesazhin e shkruar. Çdo trëndafil simbolizonte çdo vit dashurie, çdo vit jete. Ti nuk e gjete dot guximin të më falësh dhe, e di si mendoj unë? Ka momente kur të kuptoj, ka edhe momente kur mendoj se, të falësh është hyjnore.

Nuk di më konkretisht çfarë mendoj… Flas dhe nuk dëgjoj asgjë çfarë them. Nertilë e dashur, e shkrova këtë letër për të të thënë se nuk do të të harroj kurrë dhe të uroj gjithë të mirat e kësaj bote, sepse ti me të vërtetë meriton të jesh e lumtur. Mundet që mendimet e mia në këtë letër të jenë shprehur në mënyrë enigmatike, por unë jam i bindur se ti, çdo enigmë do ta lexosh me saktësi të plotë, në bazë të logjikës tënde. Nëse e ndjen se ke diçka për të më thënë, ti e di ku mund të më gjesh…

Shpresoj shumë që historia ime të shërbejë dhe si mesazh për të gjithë të rinjtë shqiptarë, kudo që ndodhen. Dashuroni sa më shumë, por mos tradhtoni, sepse nëse e humbisni personin që keni në krah, më vonë, dashurinë e tij nuk do ta blini dot as me para. Një pyetje kam për të gjithë dhe po e përmbledh me një poezi:

E kërkova dashurinë ngado

Në çdo cep dhe në çdo anë

E dija të bukur, jo dosido

Nuk e dija që e kisha pranë

I fola, e preka, e dashurova

Dhe vuajta, qava për dashurinë

Por kurrë në jetë nuk e kuptova

Të duash, është faj apo dënim?

Me dashuri, Landi për Nertilën, Vlorë

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Vajzat kërkojnë djem

Next Post

Si ta mbash burrin gjithë jetën pas vetes?

Advertisement