Donald Shehu, ka qenë pjesë e “Portokalli” në rolin e shitësit të prrodukteve që nuk hyjnë në punë, u bë pjesë e një prej komedive më të suksesshme “Komedia që shkon për dreq” në krah të aktorëve më në zë të teatrit shqiptar. Në këtë intervistë vjen me një rrëfim sa do mbani frymën në çdo rresht të tijin!
Fabjola Kuburi:- Donald, çfarë të dhuroi interpretimi për disa javë rresht në “Komedia që shkon për dreq”?
Donald Shehu:-Së pari ju falënderoj për këtë interviste. Së dyti dua të them që “Komedia që shkon për dreq” më ka dhuruar në çdo shfaqje vetëm kënaqësi dhe gëzim. Një punë e lodhshme, por që ja ka vlejtur duke marrë duartrokitjet e një sallë të mbushur plot e për plot e më spektatorë që nuk pushonin nga të qeshurat. Si aktor i ri kam pasur patjetër emocionet e mia në çdo shfaqje, por duke pasur përkrah aktore të tillë si Gentian Zenelaj, Romir Zalla, Bujar Asqeriu, Sokol Angjeli, Alesia Xhemalaj, Monika Lubonja dhe regjisoren Driada Dervishi përfshirë edhe ngrohtësinë e publikut them që ja kam dal mbanë këtij projekti.
– Mesazhi që synon të përcjellë shfaqja?
-Mesazhi që përcjell kjo shfaqje në tërësi ka të bëjë me frikërat e aktorit në skenë. Siç janë harrimi i tekstit apo ngatërrimi i një mizanskene apo edhe ngatërrimi i objekteve. Edhe mënyra se si ai ja del për ta tejkaluar problemin. Kjo është edhe ajo që ndodh tek komedia jonë. Besoj që një mesazh kryesor që përcillet është që pa këto frikëra pa këto emocione pa këto dridhje gjunjësh aktori thjesht do të ishte një objekt akulli në skenë. Prandaj është mirë që vendosen këto shfaqje që publiku ta kuptojë vërtetë hallin e aktorit.
– Pse zgjodhët Durrësin dhe jo Tiranën, për të vënë në skenë Tiranën apo do të vijë edhe në Tiranë?
-Kam përshtypjen që ky është një vendim i regjisores. Mbase për faktin që ajo është durrsake dhe ka vendosur që ky të jetë një bashkëproduksion me teatrin “Aleksandër Moisiu”. Gjej rastin këtu, ose më saktë të bëjë qokën (ahhahahah), bëj shaka. Sinqerisht dua ta falendroj pafund Driadën për mundësinë e dhënë, për besimin edhe për komunikimin e sinqertë në çdo moment. E falenderoj që pati besim tek unë duke qenë një aktor i ri edhe jo me shumë eksperiencë. Shpresoj që unë t’ja kem shpërblyer disi edhe ajo të mos jetë zhgënjyer duke ma besuar këtë rol. E falenderoj pafundësisht.
-Të interpertosh përkrah aktorëve si Bujar Asqeriu, Monika Lubonja, Gentian Zenelaj, e Romir Zalla është përveçse një privilegj besoj edhe vlerësim apo jo?
-Të interpretosh krah tyre është gjithçka. Mendoj që të qenit në këtë kast është privilegj, kënaqësi edhe shkollë me vete. Të jesh krah Bujar Asqeriut është një shkollë. Ta kesh parë për vite me rradhë në filmat shqiptare edhe sot ta kesh përkrah duke të të këshiluar është fat i madh sinqerisht.Gjithashtu të jesh krah Gentit, Romirit është fat sepse ata kanë një eksperiencë të madhe. Kanë çdo moment nga një as nën mëngë edhe të jem i sinqertë përpiqem të vjedh nga pak. E kam kënaqësi kur i shoh të dy duke intepretuar. Ndihem i vlerësuar të qëndroj pranë dy damave të shfaqjes Monika Lubonja dhe Alesia Xhemalaj. I dua shumë të dyja. Ndihem i vlerësuar të marr frymë pranë tyre në këtë projekt.
-Ke hasur ndonjë vështirësi në këtë rol?
-Çdo rol ka vështirësitë e veta. Edhe ky rol patjetër ka të vetat. Kam hasur vështirësi në ndarjen e dy personazheve që ishin në vepër. Shpresoj t’ja kem arritur ti nxjerr në pah të dy dhe sigurisht të kem bërë një punë të mirë. Profesioni ynë në qoftë se nuk has vështirësi nuk quhet punë e bërë mendoj unë.
-Ndërkohë që është edhe “Trashëgimtari” në skenë apo jo?
-“Trashëgimtari” është jeta që jetojmë sot.E gjithë vepra flet për kohën e sotme pavarësisht se ka vite që është shkruar. Flet për atë që ne shohim përditë në televizor. Shumë njerëz që futen me miqësi edhe për aftësitë që nuk i kanë në punët që bëjnë. Eshte një kënaqësi që për herë të parë punoje me pedagogun tim Milto Kutali, në mënyrë zyrtare sepse unë kam 5 vjet që punoj edhe mësohem nga ai njeri. Dua ta falenderoj pafund që më ka bërë ky që jam. Që më ka mësuar të jem praktike në jetë dhe që nuk ka kursyer asgjë nga vetja. Jam ndjerë pafund mirë me dy shokët e mi të kursit Dajana Nenaj dhe Xhuliano Briskut me të cilët kam 5 vjet që njihem edhe ndihem pafund komod me ta në skenë. I falënderoj edhe ata pa fund!
-Ti ke qenë pjesë e Portokalli dhe ndoshta aty u bëre më shumë fytyrë e njohur për publikun, çfarë more nga “Portokallia” përveç kësaj?
– Atje mora një eksperiencë ndryshe nga teatri. Patjetër që ishte eksperiencë pozitive. Është fat të jesh mes tyre dhe sidomos të jesh pjesë e një televizioni. Mësova të jem praktik edhe të jem më i shpejtë në profesion.
-Si u bëre pjesë e saj, të pritën mirë aty?
-U bëra pjesë falë audicionit. Arrita të fitoj në audicion dhe falenderoj regjisorin Altin Basha që më pranoi duke patur besim edhe më futi në atë spektakël që e kisha parë vetëm nga ekrani deri në atë moment. Pritja ka qenë tepër e mirë. Njerëz bashkëpunues edhe të gatshëm çdo moment për të më ndihmuar. Janë një familje e madhe që pranojnë çdo moment fëmijë të rinj edhe i rrisin me të njëjtën dashuri si të gjithë të tjerët.
-U pëlqye roli yt i “shitësit” të sendeve që nuk duhen por që kushtojnë shtrenjtë?
-Besoj se është pëlqyer sepse njerëzit shohin çdo ditë atë lloj personazhi që unë bëja aty. Sot në media shohim pafund shitesa të tillë që shesin produkte shpesh të pavlera edhe prandaj ky personazh i personifikonte plotësisht ata lloj shitësash dhe produktesh.
-Mendon se vetë jeta jonë është e tillë?
-Mendoj që po. Jeta jonë në fakt është e tillë. Bota ku jetojmë në i ka të gjitha ngjyrat. Ne shpesh gënjehemi edhe mashtrohemi nga të tillë shitësa mbase edhe për faktin se duam të kemi gjëra më të mira në jetë edhe shpesh biem pre e tyre.
-Çfarë mund të mësosh nga një shitës?
-Mund të mësosh mbase se çfarë duhet edhe çfarë nuk duhet të blesh për jetën tënde. Duke vendosur ta dëmtosh ose ta përmirësosh jetën tënde.
-Po nga një aktor komik?
-Mund të mësosh që ndonjëherë edhe nga e qeshura e madhe nxjerr mësime të vlefshme për jetën tënde edhe për veten tënde.
-Me çfarë matet suksesi i një aktori?
-Përgjigjia e parë është publiku sigurisht. Prania e tij, duartrokitja e tij edhe mbështetja e tij janë metri jonë. Po nuk qe ai i pranishëm ne humbasim. Pastaj edhe komuniteti artistik ka vlerën e tij. Edhe ai ka peshën e tij në suksesin tonë.
-Çfarë ngjyre ka për ty aktrimi?
-Duhet ti ketë të gjitha them unë. Pa të gjitha s’bëhet gjë. Por, në qoftë se duhet një ngjyrë po them të kuqen meqë është ndezëse si ngjyrë ashtu siç duhet të jetë edhe aktrimi.
-Cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë influencat e tua në këtë profesion?
-Pyetje e bukur. Po ju them një sekret. Unë në fillim nuk kam ëndërruar të bëhem regjisor ose aktor. Si gjimnazist kam qenë pak i hallakatur. S’dija çdo bëhej me mua. Por, pastaj kur konkurova dhe fitova e dashurova këtë profesion. Por në fakt një dell të fshehur duhet ta kem pasur sepse kam adhuruar filmat shqiptarë të para të 90-s. Di çdo film shqiptar përmendësh. Çdo aktor e njoh më rrënjë edhe dhëmballë si i thonë. Prandaj mendoj që këto kanë qenë influencat e mia ndonëse në fillim të fshehta por, tashmë të konkretizuara.
-Vlerësimi më mbresëlënës që ke marrë…
-Vlerësimet nuk është se kanë munguar por, vlerësimi që unë mendoj se është më i miri deri më tani është çmimi, aktori i ri më i mirë që kam marrë vjet në festivalin Koko Fest në Korçë me shfaqjen më të bukur që kam luajtuar deri më tani (39 Hapa) me regji të mikut tim Qëndrim Rijanit edhe produksion të teatrit Metropol.
-Çfarë kujton më endje nga Donaldi fëmijë?
– (Ahahahahhaa). Donaldi kujton atë fëmijën që çdo moment, në çdo kohë në shtëpi vishte kostumin e tij me kollare. Nuk kishte moment që unë të rrija në shtëpi pa veshur kostum, edhe sikur të ishte një ditë e zakonshme. Sot e kësaj dite ma kujtojnë kostumin tim që e mbaja me aq kujdes.
-Po nga Donaldi gjimnazist?
-Kujtoj shakatë me miqtë. Kujtoj atë djalin që nuk e vriste mendjen për asgjë dhe thjesht donte të zbavitej dhe të mos mendonte për çka vinte më pas.
-Çfarë do ti ndjekë “Komedia që shkon për dreq” dhe “Trashëgimtari”?
-Diçka do të vijë patjetër, por do të doja ta lija surprizë. Kur të jetë konkrete do të flas edhe për atë. Por, e di që do jetë diçka po aq e veçantë saç kanë qenë këto të dyja.
Kete shkrim mund ta lexoni te plote ne gazeten Intervista qe e gjeni në të gjitha kioskat e Shqipërisë dhe të Greqisë. Mund t’ua dergojme edhe në adresën tuaj te emailit për vetëm 99 cent në muaj. Kontaktoni me ne në inbox!