Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Dua të di a është ai im atë?

Kur u njoha me Astritin isha pak më shumë se dymbëdhjetë vjeçe, ndërsa ai ishte tridhjetë e nëntë vjeç. Në atë kohë isha një vajzë e vogël, dëshira më e madhe e së cilës ishte të merrte një dhuratë të bukur për Vitin e Ri. Po afroheshin festat dhe unë, gjatë asaj kohe, mezi prisja t’ia vija syrin ndonjë gjëje e më pas të ma bënin dhuratë. Jetoja me prindërit e mi dhe vëllain e nuk kisha shumë shoqe e shokë, sepse isha natyrë e mbyllur dhe e qetë.

Ishte pragu i Vitit të Ri dhe po bëja pazare me mamanë time për festën e madhe. Shihja nëpër vitrina veshje dhe lodra të bukura, por më kishte mbetur në mendje një arush i vogël i bardhë. I thashë mamasë se po më pëlqente shumë, por ajo më tërhoqi nga dora dhe më tha se për momentin, nuk ma blinte dot. Unë vazhdoja ta tërhiqja dhe të mos ia ndaja sytë arushit. Ishte shumë i ëmbël.

Kur e pashë që mamaja ime nuk po lëshonte pe, u ktheva me vrap e inatosur për të ikur. Në atë kohë, u përplasa me një burrë të gjatë me mustaqe. Mamaja u kthye nga unë dhe erdhi të më bërtiste, por kur pa burrin me të cilin isha përplasur, nisi të buzëqeshte dhe e takoi me përzemërsi. Po flisnin sikur njiheshin prej vitesh. Pak më vonë ajo u kujtua që t’i thoshte se unë isha vajza e saj. Ai u ul në gjunjë, më kapi dorën dhe ma puthi. Më pas, u fut brenda në dyqan dhe bleu arushin e bardhë të cilit unë i kisha vënë syrin. Mamaja nisi të refuzonte, kurse unë zgjata dorën dhe e mora.

Advertisement

Ai njeri, kishte një fytyrë shumë miqësore. I thashë “faleminerit” dhe i buzëqesha. Më këshilloi të qeshja gjithnjë, pasi dukesha shumë e bukur. Unë u skuqa. Ai më kapi nga beli dhe më puthi në faqe. Mustaqet e tij më gudulisën. Më pas, u përshëndet edhe me mamanë time dhe u largua. Ndërsa ecja, ktheja herë pas here kokën për ta parë. Mamaja po vazhdonte të fliste për sjelljen time të keqe, se sa figurë të shëmtuar kisha bërë, por unë nuk e kisha mendjen fare.

Viti i Ri kaloi. Atë natë unë shpreha dëshirën që ta takoja sërish burrin misterioz. E pyeta mamanë time disa herë se kush ishte ai, por ajo asnjëherë nuk ma tha. Më tregoi vetëm që quhej Astrit dhe se kishte punuar me të kohë më parë. Këtë të dhënë unë vendosa ta shfrytëzoja. Arushit që ai më kishte dhuruar i vura emrin e tij dhe ndihesha e sigurtë se do të vinte një ditë që unë dhe ai do të takoheshim prapë. Ishte nga të paktët njerëz që ishte sjellë aq mirë me mua! Me kishte dhënë një ndjesi shumë të bukur atë natë.

Kaluan shumë vjet dhe unë nuk e kisha parë. Në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare, nuk e kisha harruar atë njeri, vetëm se nuk e kujtoja më aq shpesh. Në jetën time ishin futur pëlqime të rastit, dy lidhje që nuk mund të quheshin tërësisht të tilla. Po interesohesha për shkollën e lartë dhe degën në të cilën doja të vazhdoja. Kisha shumë zgjedhje dhe gjëra për të bërë.

Dëshira ime më e madhe ishte që të shkoja jashtë shtetit, por prindërit e mi nuk e kishin me shumë qejf, duke qenë se nuk isha mësuar të rrija vetëm. Unë këtë doja, që të dilja zot i vetes. Kam bërë çmos në atë kohë që të dilte e imja dhe në fund, ashtu u bë. Unë bëra gati gjithçka vetë dhe kur arrita të fitoja të drejtën për të studiuar jashtë, isha njeriu më i lumtur në botë. Më në fund, mami dhe babi pranuan. Vendosa të shkoja në Milano, duke qenë se ai qytet më kishte tërhequr gjithnjë.

Për muaj të tërë përgatisja vajtjen time atje. Kisha frikë, sepse për herë të parë në jetën time do të më duhej t’i bëja gjërat e vetme, por kisha edhe njëfarë kurioziteti të bukur. Në fund të fundit, nuk është se që këtej po ndahesha me ndonjë gjë të rëndësishme. Përveç familjes sime, asgjë tjetër nuk me lidhte me Tiranën, por e ndieja që edhe nga ata duhet të shkëputesha.

Kështu, u nisa për në Itali. Kur po bëja gati valixhet, më ra në dorë arushi që më kishte blerë Astriti. M’u kujtua ideja ime se një ditë do ta takoja. Qesha me veten, por arushin, sidoqoftë, e futa në valixhe.

Fillimi i jetës atje, sigurisht që nuk ishte i lehtë. Përveçse fitova bursë, nisa edhe të punoja. Fatmirësisht, zura punë në barin poshtë shtëpisë ku jetoja dhe pas një viti atje, isha sistemuar më së miri. Në shkollë kisha marrë provime të rëndësishme, kisha fituar sërish bursë dhe prindërit ishin të kënaqur me mua. Dhe, më e mira nga të gjitha ishte se kisha arritur të bëhesha e pavarur dhe të mos më merrte malli për shtëpinë.

Një ditë, teksa po u shërbeja klientëve, dëgjova kamarieren që më tha: “Ai burri atje më duket se është patrioti yt”. Ktheva kokën dhe pashë një burrë të madh, me kurriz nga unë dhe të përkulur në tavolinë. I kalova rrotull. Ai kishte ulur kokën dhe po pinte kafe. Më pas, ndezi një cigare dhe fërkoi mustaqet me dorë. U drodha sa më ra tabakaja nga dora. Ai ktheu kokën. Për momentin, nuk më njohu. Më shihte me çudi, pasi unë ia kisha ngulur sytë dhe nuk po flisja. Iu afrova dhe e pyeta nëse më mbante mend. Mohoi. Atëherë i kërkova të më priste disa sekonda. U ngjita lart në shtëpi, mora arushin që ma kishte blerë ai dhe zbrita prapë te kafeneja. Kur e pa, iu mbushën sytë me lot. Më kapi për qafe dhe më shtrëngoi fort. U ula me të dhe nisa të bisedoja. I tregova se çfarë kisha bërë këto vite. Në fund, i thashë që e kisha pritur gjatë. “Nuk e di përse”, i thashë, “mendoja se do të takoheshim sërish”.

Ai nisi të qante. Më tha se i vinte shumë keq që nuk më kishte njohur më parë dhe më pas, më kërkoi të largohej. Nuk po e kuptoja pse ishte aq i tronditur. I zgjata arushin që kisha në dorë, por refuzoi. Më tha se duhet të mbaja diçka prej tij dhe u largua. Pas ca vjetësh, mamaja, shumë e tronditur, më tha se ai kishte vdekur.

Pas kaq shumë kohësh më shqetëson shumë fakti që ndihesha shumë e lidhur me atë njeri të cilin e pashë vetëm dy herë në jetën time. Kam një frikë dhe parandjenjë sikur ai ka pasur një lidhje me mamanë time dhe është im atë. Është çmenduri, e di, por nuk e di përse nuk i shpëtoj dot këtij dyshimi. Kam frikë të pyes. Në fakt, i vetmi njeri që mund të pyes është mamaja ime, e cila tani është e sëmurë dhe unë nuk dua ta shqetësoj, por çdo ditë që kalon, unë ngrihem dhe fle me një mijë pikëpyetje në kokën time…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Meshkujt marrin hormone për të mos ngelur femra shtatzënë...

Next Post

Pse vajzat pëlqejnë ëmbëlsirat?

Advertisement