Digë
Kam parë në ëndërr sikur isha sipër një dige së bashku me babain dhe xhaxhain tim dhe po peshkonim. Të gjithë po bisedonin se kush do të peshkonte më shumë, do të qeraste tjetrin. Duke bërë muhabet, pashë që një mi shumë i madh doli nga deti. Unë mora një palë gërshërë të mëdha dhe u përpoqa ta vrisja, por nuk munda. Pastaj e vrau xhaxhai im, me këmbë. Kjo gjë më trembi shumë, sepse m’u duk një skenë shumë e pështirë dhe u zgjova nga gjumi. Ç’do të thotë? Petrula
E dashur Petrula, jeni shumë kurioze, por njëkohësisht, shumë paragjykuese deri në atë pikë sa shpeshherë viheni përballë rreziqeve. Ëndrra tregon që ju i gjykoni shumë negativisht ata që keni rreth jush, sidomos kur bëhet fjalë për emocione dhe ngjarje që ata i përjetojnë deri në fund. Ama, duhet të dini një gjë; jeta pa emocione është si një jetë që nuk e ke jetuar. Pse duhet të jeni kaq frikacake dhe paragjykuese në të njëjtën kohë? Nuk mendoni se në këtë mënyrë rrezikoni të qëndroni vetëm dhe e mbyllur në vetvete? Besoj e keni marrë mesazhin që ju dërgon ëndrra. Gjithë të mirat!
Data e vdekjes
Kam parë në ëndërr sikur në një biletë ishte shkruar data e vdekjes sime. Jam pak e shqetësuar. Ç’do të thotë? Dajana
E dashur Dajana, një ëndërr si ajo që keni parë ju, nuk tregon kurrë realitetin. Përkundrazi, ajo tregon rilindje shpirtërore dhe psikologjike. Pra, nuk duhet të shqetësoheni aspak, përkundrazi, duhet të gëzoheni. Ajo tregon se pikërisht në atë datë ju do të merrni disa vendime të rëndësishme në lidhje me jetën tuaj. Do të groposni të kaluarën e kujtimet e hidhura dhe do të rifitoni gjallëri, duke vënë në jetë projekte të reja që do t’ju çojnë drejt suksesit në të gjitha drejtimet. Ju uroj shëndet!