“Jo vetëm modë” në TV Klan, tashmë ka një moderatore të re, ajo është bukuroshja Nevina Shtylla. Me një Cv plot me arritje, në modë, në art dhe në moderim, Nevina vjen me një rrëfim sa të këndshëm po aq edhe të fuqishëm.
Fabjola Kuburi:- Nevina Shtylla, Miss Shqipëria 2010; moderatore në Vizion Plus dhe në MAD TV; bashkëprezantuese në “Maratona e Këngës”, tashmë edhe moderatore e “Jo Vetëm Modë”. Ka, apo më saktë, do të ketë më?
Nevina Shtylla:- Gjithmonë do të ketë përmirësim! Të paktën këtë mund ta them me siguri. Tani fokusi im primar mbetet “Jo Vetëm Modë” dhe risitë që do të sjellim këtë sezon.
-Shkove ti tek televizioni apo erdhi televizioni tek ty?
– Ndoshta kam shkuar unë, pa e kuptuar. Për herë të parë, me televizionin u njoha gjatë konkurrimit në Miss Shqipëria. Edhe përse synimi kryesor ishte kompeticioni, duket se vëmendja ime u përqëndrua në tjetër drejtim që në atë kohë, për t’u bërë shumë e qartë në vitet në vijim.
-Nevina, çfarë do të përcjellësh në “Jo vetëm modë” tashmë si moderatore e saj?
-Nuk do të përcjell asgjë tjetër veç vetes sime, e besoj se kjo do ndihet jo vetëm në prezantim, por edhe në materialet dhe intervistat që unë do të përgatis në “Jo Vetëm Modë”
-Tani e tutje ti do të identifikohesh me këtë emision. Arrin ta përkufizojë ky emison Nevinën apo për këtë duhet shumë më shumë se kaq?
-Normalisht që një emision nuk mund ta shfaqë një individ në tërësinë e tij, por shpresoj që pjesën time më të mirë ta reflektoj këtu.
-Buzëqeshja jote besoj se është një element i fortë që ka ndikuar në krijimin e imazhit të Nevinës së ëmbël . Cila është pika tjetër e fortë e paraqitjes tënde?
-Sytë them se janë një tjetër pikë e fortë e imja. Jo më kot thonë se janë pasqyra e shpirtit (qesh). Për mua, sytë shprehin shumë, ndaj dhe tek njerëzit që takoj, janë gjëja e parë që vërej.
-Duke të të parë, shumë do të ishin gati të betoheshin se ti nuk bëhesh kurrë me nerva…apo është përshtypje e gabuar?
-Epo, edhe unë njeri jam, si gjithë të tjerët. Bëhem edhe unë me nerva, por jo më kot! Jam njeri shumë racional. Mundohem t’i menaxhoj mirë situatat, dhe them se ia dal mbanë me sukses në përqindjen më të madhe të rasteve.