Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Xhensila “lë” Besin dhe dashurohet me personazhin joshës
Eni Çobani: Më mirë të flasim në publik se të vritemi në fshehtësi!
Mish viçi "a la Burgignon"

Eni Çobani: Më mirë të flasim në publik se të vritemi në fshehtësi!

“I dashur, kam dhënë shpirtin në këtë intervistë dhe uroj që kjo dashuri të ndjehet edhe nga lexuesit tuaj”… Këto janë disa fjalët e zonjës Eni, e cila nuk ka ngurruar t’u përgjigjet pyetjeve tona. Kur shkojmë në zyrën e saj, gjejmë një kalvar të gjatë njerëzish, që presin pas derës së Enit, të nervozuar, të ardhur nga ana e anës dhe pasi dalin që aty e duken më të qetë. Ndërkohë, ajo na pret brenda zyrës së saj për intervistën, gjithmonë e buzëqeshur, e veshur me sharm, duke të dhuruar nga energjia e saj pozitive. E patëm pak të vështirë të realizonim këtë intervistë nga trokitjet herë pas here pas derës dhe telefonatat e tensionuara që ndërprisnin bisedën tonë…

 Arlis Alikaj: – Përshëndetje, zonja Eni! Pas kaq kohësh në ekran, duhet të jeni mësuar me gazetarët… apo ende jo? Si i keni raportet me shtypin në përgjithësi?

Eni Çobani: – Përshëndetje! Ju falënderoj për interesimin dhe kujdesin e treguar nga gazetarët për të nxjerrë në pah realisht këtë punë kaq të vështirë, pasi ne nuk bëjmë një shou televiziv, por bëjmë profesion në televizion. Rrjedhimisht, kam një raport të shkëlqyer me gazetarët dhe me shtypin. I mirëpres ata në çdo moment, duke lënë edhe punë të përditshmërise time, sepse kanë dëshirë të dinë çfarë ndodh dhe habiten nga fluksi i madh i njerëzve në korridorin para zyrës sime.

Advertisement

Në jetën e përditshme, ku dhe si e ushtroni profesionin tuaj?

– Të dielave, ju shikoni një pjesë shumë të vogël të asaj që unë realisht shikoj, dëgjoj dhe realizoj gjatë javës. Unë paraqes vetëm një rast në televizion, por gjatë një jave, dëgjoj minimalisht nga 20-30 raste. Zyra ime është e hapur nga mëngjesi në darkë, në pritje të të gjitha rasteve të interesuara për t’u dëgjuar, për t’u takuar dhe për të arritur në finalen e madhe të ndërmjetësimit direkt në televizion.

– Në pamje të parë, duket se salla e gjyqit dhe ekrani janë dy gjëra shumë të ndryshme, megjithatë, rubrika juaj ka patur shumë sukses… Si lindi ideja fillestare për të dhe si u lidhët ju, me të?

– Herë pas here dëgjoj të bëhet një paralelizëm mes asaj që kemi bërë në televizionin Klan dhe sallës së gjyqit. Në fakt, nuk ka shumë ngjashmëri dhe dua të jap një përgjigje të plotë sot. Ne jemi munduar të fusim një kulturë ndryshe. Ajo nuk është salla e gjyqit, por seanca e ndërmjetësimit dhe ndërmjetësimi është një alternativë juridike, sociale e humane që mundohet nëpërmjet zgjidhjes që japin protagonistët e një çështjeje, të ndihmuar edhe nga një palë e tretë, që në këtë rast jam unë, të arrijë marrëveshjen përfundimtare që finalizon seancën e ndërmjetësimit. Pra, nuk është një sallë gjyqi, njerëzit nuk gjykohen, nuk paragjykohen, as nuk dënohen, as japin vendime! Ne, thjesht duam t’i qetësojmë, t’u japim mundësinë për të folur me njëri-tjetrin sepse vijnë nga konflikte shumë të egra dhe ky është rasti që ata e shikojnë njëri-tjetrin në sy, thonë të vërtetat që mendojnë e në fund arrijmë në atë përfundim që ju e shikoni në televizion…

– Po me ekranin, ju vetë, si u lidhët?

– Në vitin 2000 ndërtova emisionin: “Lex&Lex” (ligj dhe vetëm ligj, latinisht) për t’i treguar publikut që ligji duhet të jetë fjala e parë e gjithsecilit nga ne. U mundova të jap atë informacion të munguar për këtë popull prej kaq vitesh, t’ua bëj atyre të prekshëm. Pas 13 vjetësh, më jepet një mundësi akoma më e madhe nëpërmjet ftesës së mbështetësit tim të jashtëzakonshëm zotit Ardit Gjebrea. Të them të drejtën, isha mosbesuese, por ai kishte një besim të jashtëzakonshëm. Pa dëshirën, vullnetin e tij dhe të Televizionit Klan, ky program nuk do të kishte funksionuar.

– Ne u veshim gjykatësve, si cilësi, gjakftohtësinë në gjykimin e çështjeve, pak a shumë, siç u veshim mjekëve gjakftohësinë në kirurgji… Megjithatë, ju kemi parë shpesh të emocionoheni gjatë seancave. Kjo bëhet për efekt shou apo kështu jeni ju edhe në profesionin tuaj në jetë?

– Ekrani, për mua, nuk ka qenë asnjëherë i frikshëm, përkundrazi, kam ndjerë një komoditet të jashtëzakonshëm në të. Sigurisht, emocioni është emocion… Unë, në fakt, nuk jam gjykatëse, megjithëse do të isha e nderuar po të isha… Unë jam ndërmjetëse, juriste, avokate, pedagoge prej vitesh, por mbi të gjitha, jam njeri dhe jetoj, shikoj, dëgjoj… Unë mundohem në çdo moment të jem e padepërtueshme nga palët, pavarësisht asaj që mund të ndjej dhe përjetoj sepse dua të demonstroj seriozitet, profesionalizëm, paanshmëri dhe, mbi të gjitha, gjakftohtësi. Ka edhe gjëra jologjike të thëna nga palët, por mua më takon t’i sjell në këtë realitet, t’u ul agresivitetin, të sheshoj konfliktin e mbi të gjitha, të arrij marrëveshjen aq shumë të dëshiruar.

– Pasi njiheni me rastin e të dyja palëve në konflikt, ju e kuptoni menjëherë se kush është fajtori?

– Po. Ajo që vjen është gjithmonë pala viktimë dhe parashtrimi nga ana e saj është emocional e personal. Kur kërkoj emrin dhe numrin e telefonit të palës tjetër, ka habi në sytë e tyre, mosdëshirë për të komunikuar, mosvullnet dhe siguri se tjetri nuk do të vijë, por në fakt ka ndodhur e kundërta. Ka pasur raste që nuk janë përgjigjur, ka pasur raste që kanë reflektuar keq, por të paktën kohët e fundit, kam gjetur bashkëpunim dhe kam kuptuar se duhet të durosh që të fitosh. Emisioni ka filluar jo më larg se 1 vit e gjysëm përpara, por kemi bërë një gjë të madhe; kemi fituar besimin e njerëzve!

– Cila nga historitë e trajtuara deri më tani, ju ka prekur më shumë?

– Kam trajtuar deri më sot në mënyrë televizive gati 30 raste. Jemi në fund të sezonit televiziv dhe deri në qershorin e sezonit të katërt të rubrikës, nuk kam më vend për të futur raste. Mendoni vështirësinë time kur njerëzit vijnë dhe luten, kurse unë nuk arrij të gjej hapësirë që t’i fus në program. Rastet kanë qenë nga ato që kanë tronditur publikun, por edhe mua, si organizatore dhe autore. Veçoj ato që kanë të bëjnë me familjen, pasi për familjen kam respekt dhe adhurim të veçantë. Familja është embrioni i rëndësishëm i një shoqërie të shëndetshme dhe të paqtë.

– A mund të ndani me ne ndonjë rast që nuk ka gjetur zgjidhje dhe ju vazhdoni ta ndiqni edhe më pas?

– Jam në ndjekjen e rastit të zonjës Bukurie, së cilës gjykata, sipas mendimit tim, jo në mënyrë të drejtë, i ka hequr mundësinë për të pasur nga 8 fëmijët në kujdestarinë e vet dhe fëmija i fundit është një vajzë minorene për të cilën po luftojmë me të gjitha forcat që t’ia kalojmë asaj.

– Si mendoni ju, pse ka kaq shumë probleme që kanë nevojë për ndërmjetësim? A kanë lidhje ato me nivelin intelektual që ka një njeri apo vetë shoqëria jonë?

– Ndërmjetësimi nuk është difekt, është thjesht një alternativë zgjedhjeje, e ndihmuar nga një njeri që nuk është palë në konflikt, më i ftohtë e më i paanshëm nga palët, i cili nuk anon në asnjë moment as nga njëra palë dhe as nga tjetra, por u jep atyre mundësinë të zgjedhin alternativën më të mirë për zgjidhjen e konfliktit. Ka probleme, ka keqkuptime, disa gjëra njerëzit i marrin me lehtësi dhe arrijnë deri në konflikte. Njerëzit nuk e kuptojne akoma aq sa duhet, ndihmën e jashtëzakonshme që jep një ndërmjetës.

– Shumë njerëz kanë kompleks të dalin përpara ekranit e të përpiqen të zgjidhin hallet e tyre, por me sa duket, “Shihemi në Gjyq” ka arritur ta thyejë këtë tabu… Është e vërtetë kjo, apo është thjesht një perceptim i yni?

– Ju përgëzoj që përdorni fjalën “tabu”, sepse është hera e parë që pranohet ky fakt. Të flasësh në publik nuk është e thjeshtë dhe pothuajse e pamundur në televizor. Ata që vijnë janë njerëz të thjeshtë, të vuajtur, të nderuar, vijnë nga mentalitete goxha të kufizuara, megjithatë më habit vullneti i tyre i jashtëzakonshëm deri në daljen përfundimtare. Paragjykimit të shumë njerëzve për ata që i zgjidhin problemet në ekran, i them: Është më mirë të flasim në publik sesa të vritemi në fshehtësi!

– Si arrini t’i bindni ata që duan të tërhiqen mbrapsht në moment të fundit? Ka pasur ndonjë refuzim të tillë?

– (Buzëqesh) Pyetje shumë e bukur! Që në momentin që vijnë dhe thonë hallet e tyre, ata kanë besim, por ka pasur edhe raste që në momentin e fundit e kanë rimenduar pozicionimin e tyre. Çfarë ka ndodhur me këto raste? Kanë kaluar javë e muaj dhe kanë ardhur për të ridalë. Kjo ka qenë habia më e madhe. Kur i pyes, më thonë: “U munduam ta zgjidhnim, por ishte e pamundur, ndaj kemi vendosur të dalim publikisht sepse kemi besim te zgjidhja juaj”. Kjo më ka rritur përgjegjësinë për zgjidhjen e konflikteve që në pamje të parë mund të quhen të vogla, por që disa herë kanë qenë edhe fatale.

– Shpesh, kanë lindur dyshime se personat që vijnë aty, janë thjesht aktorë të paguar… A është e vërtetë kjo, të paktën në ndonjë rast?

– E dëgjoj rëndom këtë dhe më vjen mirë që njerëzit kanë këtë kuriozitet. Unë po ju them me bindje që vështirësitë tona kanë qenë në fillimet e bërjes së kësaj rubrike, por sot unë jua jap me garanci personale e juridike se të tëra rastet që publikohen në rubrikën “Shihemi në Gjyq” janë personale dhe të vërteta. Unë dal si njeri publik, si profesioniste që bëj detyrën time para gjithë publikut shqiptar dhe ju duhet ta merrni për të vërtetë sepse është shumë i kontrollueshëm identiteti i njerëzve që dalin në televizion. Ata janë njerëz të ambientit shqiptar, mund të gjenden, mund të pyeten dhe mund të vërtetohen…

– Cila është vështirësia më e madhe që hasni?

– Të them të drejtën, punën me njerëz e kam një nga gjërat e mia më të dashura. Ndoshta ka të bëjë familjen nga rrjedh, ku ka pasur gjithmonë shumë dashuri, besim, partneritet, bashkëpunim dhe unë nuk mund ta pranoj dot vuajtjen, as padrejtësinë. Gjithashtu, nuk mund të pranoj dot dhunën, abuzimin dhe këto ma shtojnë vullnetin e dëshirën për të qëndruar me orë të tëra në zyrën time apo kudo qofsha pranë njerëzve, për t’u dëgjuar njerëzve problemin, për t’u dhënë informacionin e duhur dhe për t’u hapur sytë që sot ka zgjidhje.

– Në disa stacione të huaja ekzistojnë emisione simotra me “Shihemi ne Gjyq”. I keni ndjekur ndonjëherë?

– Po, i ndjek vazhdimisht. Nuk ka asgjë të keqe të bësh një program që është edhe në vende të tjera, por nuk duhet harruar se nuk jemi as në Itali, as në Gjermani, as në Francë e as në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jemi në Shqipërinë e nderuar dhe shoqëria jonë ka ndryshime shumë të mëdha nga shoqëritë që përmenda më sipër. Individi shqiptar nuk është aq i përgatitur për transformimet dhe kjo e rrit vështirësinë, përgjegjësinë e çdo njeriu që merr përsipër të bëjë një program të tillë! Ne kemi shqiptarë në programin tonë dhe bëjmë raste shqiptare që janë të pakrahasueshme me rastet në programet simotra.

– Po t’ju bëhej ofertë për ta bërë emisionin tuaj në një televizion tjetër, do pranonit?

– Nuk e kam menduar asnjëherë dhe është hera e parë mbas 1 viti e gjysëm që e dëgjoj një pyetje të këtillë. Do t’u jepja një përgjigje kategorike përsa i përket Enit; kam një respekt të jashtëzakonshëm për zotin Gjebrea, për stafin e mrekullueshëm të Tv Klan, ku jam ndier shumë komode. Kam pasur të gjitha hapësirat për të shpalosur atë që kam ndier dhe s’më ka shkuar ndonjëherë në mendje të bëj lëvizje të kësaj natyre ose të pranoj oferta që vijnë nga televizione të tjera. Dëshira e televizioneve të tjera ka qenë, por në mënyrë të prerë, kam thënë: Jam pjesë e “Të dielës shqiptare” dhe do qëndroj atje derisa të kem një bashkëpunim me zotin Ardit Gjebrea!

– Dhe në fund të intervistës, na tregoni formulën tuaj të suksesit, këtë herë për të gjithë juristët e rinj…

Vetë formati i ndërtimit tim personal dhe asaj që japim nëpërmjet televizionit është dashuria për profesionin. Për mua, janë të respektuar të gjithë ata që kanë ndërmend këtë profesion dhe këtë drejtim. Dua t’u them që kjo është një rrugë e vështirë sepse ka brenda fate njerëzish, ka përgjegjësi e seriozitet profesional, pa të cilat asnjë i ri apo e re nuk mund të ketë sukses në të ardhmen.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (2) View Comments (2)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Xhensila “lë” Besin dhe dashurohet me personazhin joshës

Next Post

Mish viçi "a la Burgignon"

Advertisement