Psikologia Lorela Garuli, tregon gjithçka për këtë lojë të rrezikshme!
Fabjola Kuburi:-Lorela, çfarë është kjo epidemi apo virus virtual vdekjeprurës, me emrin “Balena Blu”?
Lorela Garuli, psikologe:- Ka nisur si lojë në fakt, si një aplikacion online, por që është kthyer në një rrezik serioz. Duhet thënë dhe pranuar që tendenca të tilla të ngjashme ka disa, që qarkullojnë në internet dhe që po përhapin një “modë” të paarsyeshme, pa logjikë dhe kaq të gabuar ndër fëmijë dhe adoleshentë, duke pasur në thelb një rrugëtim të rrezikshëm, nënshtrimin ndaj provave, veprimeve ekstreme, dëmtimit të trupit, ndjekjen e ritualeve e praktikave pak satanike dhe sensit të protagonizmit.
-Si funksionon kjo “lojë”?
– Është paradoksale, sepse fëmija apo adoleshenti që merr pjesë në këët lojë nuk dallon dot më realitetin nga virtualja. Ndërkohë që loja qarkullon nëpër internet në mënyrë digitale e virtuale, veprimet që ndjekësit e kësaj loje kryejnë, janë shumë konkrete. Është një lojë perverse mund të thuhet, për nga mënyra e të konceptuarit, sepse në themel të gjithë kësaj, qëndrojnë forma të ndryshme të të bërit keq të vetes. Të bëhesh pjesë e lojës është shumë e thjeshtë, për fat të keq. Kushdo mund të ketë akses dhe ta shkarkojë. Komandat për lojën merren online.
-Cilët personash bëhen pre zakonisht?
– Personat që kanë predispozitën më të madhe të bëhen pre e lojës, janë adoleshentë apo fëmijë të vetmuar, të cilët nuk socializohen shumë dhe që kalojnë shumë kohë nëpër internet apo rrjete sociale. Adoleshentët në përgjithësi, për shkak të etapës së zhvillimit në të cilën ndodhen shpesh përjetojnë konflikte me njerëzit e afërt, me familjarët dhe mbyllen edhe më shumë në vetvete. Gjithashtu, si rrjedhojë edhe e ndryshimeve hormonale, ata shpesh kanë luhatje humori sepse janë akoma në kërkim të një identiteti të mirëfilltë psikosocial. Prandaj, adoleshentët përjetojnë shpesh ndjenja izolimi, depresioni, ulje të vetëvlerësimit. Këto janë disa nga veçoritë kryesore të personave që janë më të brishtë dhe më të rrezikuar për t’u bërë pjesë e lojës. Gjithashtu, kjo lojë nëpërmjet stadeve të saj, bëhet përherë dhe më këmbëngulëse duke kontrolluar aspekte të jetës së fëmijës apo adoleshentit. Në njëfarë mënyre, teston dhe aftësinë e fëmijës për të thënë “jo” dhe për ta ndërpresë, sepse njëri prej rregullave është që kush nuk i bindet administratorit, përjashtohet nga loja. Kjo do të thotë se fëmijët të cilët pranojnë më shumë gjëra e që nuk dinë të kundërshtojnë, kanë më shumë mundësi të bien pre. Grupmosha që rrezikon të bjerë pre është nga 9 deri 17 vjec.
-Çfarë i shtyn përdoruesit e internetit, ta shkarkojnë këtë lojë?
– Adoleshentët sigurisht që i shtyn kureshtja, përveç gjithë arsyeve të lartpërmendura, që kanë të bëjnë me faktorët që lidhen me personat më vulnerabël për t’u bërë pjesë e lojës.
-Ka nisur në Rusi dhe ka zbarkuar në pothuajse gjithë botën, ka prekur dhe Shqipërinë, e frikshme apo jo?
– Shumë e frikshme. Është një çmenduri. Por fatmirësisht ka më shumë se dy muaj që ka filluar të hetohet ky fenomen. Për pasojë, ai që e krijoi është nën masat e sigurisë dhe drejtësisë ruse. Bashkë me hetimin, më e rëndësishmja është që ky lajm është përhapur shumë shpejt dhe media po luan rolin e vet për ta parandaluar duke informuar dhe ndërgjegjësuar.
-Sa nivele ka kjo lojë dhe cili është niveli përfundimtar?
– Marrëzia me emrin “Balena blu” ka 50 nivele, përkatësisht një për çdo ditë. Ajo parashikon 50 prova, të cilat do të kryhen për 50 ditë me radhë. Nuk janë pak, por pothuajse 2 muaj, gjatë të cilëve fëmija apo adoleshenti i nënshtrohen një sërë provave që e dëmtojnë atë jo vetëm psikologjikisht, por edhe fizikisht.
Zgjimi në 4.20 të mëngjesit për të parë video me përmbajtje thriller apo filma horror, ngulja e gozhdëve në trup, çarja e lëkurës me mjete të ndryshme në formën e një balene dhe gdhendja e f57, komunikimi me një tjetër lojtar përmes videobisedave në skype, çarja e buzës, shkaktimi i dhimbjeve nëpër trup, ngjitja dhe qëndrimi për disa kohë në tarracën e një ndërtese të lartë dhe në ditën e njëzetegjashtë sipas rregullit, kuratori i thotë fëmijës apo adoleshentit datën që do të sakrifikojë jetën dhe ky i fundit duhet ta pranojë. Hapi i fundit fatal, hedhja nga një ndërtesë e lartë, që shkakton humbjen e jetës. I gjithë ky itinerar i çmendur duhet të zhvillohet në heshtje, pa i thënë askujt asgjë.
-Sa raste ka që kanë mbyllur nivelin 50 me vetëvrasje?
– Konsiderohen rreth 157 raste që fatkeqësisht kanë arritur në nivelin e fundit të lojës, në vetëvrasje, kryesisht në Rusi, por loja është përhapur dhe në SHBA, Britani, Francë, Brazil. Por vetwvrasje dhe tentativa kemi patur edhe nw Shqipwri dhe nuk dihet nwse ka ndikuar kjo lojw, apo jo…
Kete shkrim mund ta lexoni te plote ne gazeten Intervista qe e gjeni në të gjitha kioskat e Shqipërisë dhe të Greqisë. Mund t’ua dergojme edhe në adresën tuaj te emailit për vetëm 99 cent në muaj. Kontaktoni me ne në inbox!