Shumë prej grave që punojnë, janë të detyruara të përdorin në gatim produkte të ngrira, qofshin këto perime, fruta, apo gjellë të parapërgatitura. Megjithatë, nuk e kemi ndërgjegjen të qetë sa herë i përdorim ato. A janë vërtet të mira ushqimet e ngrira? Si qëndron e vërteta?
Vitaminat nuk humbasin
Produktet e ngrira janë të lehta për t’u ruajtur dhe përgatiten shpejt. Shkak që na joshin ato është fakti se na e lehtësojnë jetën, por për shumicën prej nesh, kjo është përparësia e vetme. Në fakt, është e vështirë t’i mendosh si ushqim të shëndetshëm, megjithatë, studime të shumta kanë treguar se ato janë po aq të pasura me vitamina dhe lëndë ushqyese sa edhe produktet e freskëta.
Substancat antioksiduese, për shembull, që të ndihmojnë të luftosh kundër plakjes, e durojnë mirë ngrirjen dhe shkrirjen, por janë të brishta ndaj nxehtësisë. 70% e tyre zhduken në ujin që zien, 50% në furrë dhe 40%, në zierjen me avull. Bile, disa ushqime të ngrira mund të kenë më shumë substanca ushqyese sesa produktet e freskëta. Është rasti për shembull i frutave dhe perimeve të ngrira sapo janë vjelur. Ky proces ruan cilësitë e tyre ushqimore, sepse trajtohen shpejt (vilen, lahen, qërohen) dhe pastaj ngrihen në -40 gradë celsius. Ndërsa produktet e freskëta, sidomos kur nuk janë bio dhe presin me ditë të tëra që nga momenti i vjeljes e deri në atë të shitjes, humbasin një sasi të mirë të vitaminave dhe lëndëve ushqyese, sepse ato shkatërrohen nga drita dhe ruajtja në ajër të lirë.
Ndryshe nga mjekët kinezë që mendojnë se produktet e ngrira kanë humbur forcën e tyre jetësore, në natyropati (lloj mjekësie jo tradicionale), mendohet se i ftohti shkakton një pauzë të jetës: “Ai e bën të palëvizshme, por nuk e shkatërron atë”, shpjegon Daniel Kifer, natyropat dhe autor i librit “Natyropatia në jetën e përditshme”. “Megjithëse ne rekomandojmë një ushqim me bazë të freskët dhe gjallë, ose të ruajtur me metodat tradicionale si tharja (frutat dhe perimet e thara) dhe lakto-fermentimi (turshitë) ose në kripë, nuk i hedhim poshtë as produktet e ngrira”.
Një argument tjetër në favor të ngrirjes: Ajo, megjithëse mund të jetë e shkurtër (24 orëshe), vret shumicën e parazitëve, duke kufizuar kështu rrezikun e helmimit (por nuk vret mikrobet, vetëm ngadalëson aktivitetin dhe zhvillimin e tyre). Kjo është diçka e mirë për t’u ditur për peshqit apo gjënë e gjallë, të cilat duam t’i konsumojmë të gjallë. Peshku, bile, është shumë më i lirë kur blihet i ngrirë, sesa i gjallë. Pastaj, freskia e tij nuk diskutohet, sepse ngrihet drejtpërdrejt në anije. Në fund, mund të themi se ngrirja është një mënyrë e mirë për të respektuar ekologjinë e oqeaneve tona, sepse anijet e pajisur me frigoriferë mund të peshkojnë thellë në det, në vend që të boshatisin zonat bregdetare dhe të ndjekin sezonet e peshkimit.
Peshqit me yndyrë si salmoni apo shojza, të pasur me omega-3, janë më të përshtatshmit për ngrirje. Që të ruajnë në maksimum cilësitë e shijes, shkrijini ngadalë, në frigorifer, ruajeni ujin e shkrirjes për gatimin, me qëllim që të ruani kripërat minerale dhe oligoelementet. E njëjta gjë vlen edhe për mishin. Nxirreni që në darkë për ta përgatitur për drekë, ose në mëngjes për në darkë dhe do të jetë njësoj si mishi i freskët.
Po shija?
Ky është problemi me të cilin përballen më shpesh prodhuesit e produkteve të ngrira. Shija nuk është gjithmonë e njëjtë me produktin e freskët, sepse shpesh, ngrirja shkakton një ndryshim të gjendjes molekulare të ujit, duke i zbehur shijet. Kjo ndodh sidomos te frutat, perimet dhe disa ëmbëlsira. Vetëm produktet me densitet të lartë nga pikëpamja ushqimore, pra, që kanë pak ujë, si pula apo patëllxhanët, arrijnë ta ruajnë pothuajse gjithë shijen e tyre.
Si të përzgjedhim?
Në rajonin e produkteve të ngrira, gjenden që nga mezetë e deri tek ëmbëlsirat, përfshi edhe disa produkte bio (megjithatë, shija nuk është e njëjtë me produktin e freskët, një nga cilësitë kryesore të këtyre produkteve). Atëhere, pse të mos konsumojnë ushqime të ngrira? Jo, sepse, ashtu siç e shpjegon nutricionisti “është e rëndësishme të konsumohen produkte të gjalla, pra, të freskëta”. Kështu, pra, mund të zgjidhni produkte të ngrira bruto (bizele, brokoli, spinaq…), ose produktet e thjeshta të parapërgatitura (përzierje perimesh ose sallata frutash). Produktet e tjera të parapërgatitura mund të kenë lëndë ushqimore, por edhe një sasi të lartë yndrynash e kripe dhe në shije, lënë për të dëshiruar. Kripa thekson shijen e ushqimeve, prandaj përdoret gjerësisht në këto lloj produktesh, ashtu si edhe yndyra që mbron nga tharja. Kujdes, pra, nga gjellët e ndryshme, si musakaja, lazanjat, mishi i lyer me galetë, që përmbajnë më shumë se 10% yndyrna dhe që duhen konsumuar me masë.
Respektoni zinxhirin e ftohjes
Produktet e ngrira kërkojnë një kujdes të veçantë në ruajtje. Së pari, pas blerjes, ato duhen transportuar me çanta izotermike (izoluese). Në frigorifer ato duhen ruajtur në një temperaturë -18 deri në -20 gradë celsius dhe në përgjithësi, jo më shumë se 6 muaj (shihni edhe afatet e konsumimit, të treguara në produkt). Frigoriferit i duhet shkrirë akulli rregullisht (nëse nuk është me ajër). Mos e ngrini kurrë një ushqim që e keni shkrirë më parë. Nëse keni pësuar një ndërprerje elektriciteti, duhet t’i konsumoni ushqimet brenda 3 ditësh.