Eglein Laknorit nuk i ndahet humori për asnjë çast; si në jetën e përditshme, ashtu edhe në atë artistike apo profesionale. Të shtunave, ai rehatohet në “Apartamentin 2XL”, ndërsa të martave, në studiot e “Bypass Shou”. Ato që i karakterizojnë batutat e Egit, janë shpikjet e atypëratyshme… Të takosh Egin, do të thotë të mos qëndrosh një sekondë pa qeshur. Takojeni edhe ju, në këtë intervistë!
Enkeleda Kurcani: – Egi, sërish në “Apartamentin 2XL”, por edhe në “Bypass”. I mban dot dy kunguj nën një sqetull?
Eglein Laknori: – Sigurisht që i mbaj. E rëndësishme është të kesh dëshirë për të mbajtur kunguj se edhe kungujt janë pjesë e rëndësishme e jetës; kanë ujë dhe fara.
– Po tre kunguj, i mban dot?
– Patjetër që po! Deri në një bikerinë, mund t’i mbaj; nuk e kam provuar akoma me koli. Kam edhe një kungull të madh, që e mbaj tre herë në javë, pasi jap mësim në Liceun Artistik, “Jordan Misja”.
– Të pëlqen byreku me kungull, Egi?
– Sigurisht që po. Meqë po flasim gjithë kohës për kungujt, edhe i mbaj edhe i ha… (Qesh)
– E meqë jemi te kungujt, u bë nami në tiranë për Hallouin. Po ti, e bëre namin?
– Do më falni, por nuk identifikohem me këtë lloj kungulli. Nuk është në shijet e mia!
– Sa herë ke lënë nam në jetën tënde?
– Varet, për mirë apo për keq, por kryesisht, kam lënë nam. Kjo puna jonë kështu e ka, që edhe do lësh nam ndonjëherë; kuptohet, për mirë…
– Më mirë të të dalë syri apo nami?
– Puna është të mos dalë asnjëri, se, cilido të të dalë, do të të shkaktojë dhimbje.
– Mendon se sytë tregojnë gjithçka?
– Po, kjo është klasike! Sytë pasqyrojnë atë që ke brenda… E nxjerr te sytë dhe pak te sklepat.
– Ka ndonjë njeri të cilit i tregon gjithçka? E ndjen nevojën për t’u rrëfyer?
– Po, ka një njeri që i tregoj… ndërsa për t’u rrëfyer, vetëm Zotit…
– Tani që Gent Zenelaj iku nga “2XL”, a jeni ju shokë si më parë?
– Nuk jemi më shokë të “Apartamentit”. Vjen një moment në jetë, që rrugët ndahen… (Qesh)
– Profili yt në Facebook është i tejmbushur me udhëtime të tuat dhe gjueti peshku… Pasion?
– Më pëlqejnë udhëtimet në mal, më pëlqejnë eksplorimet, më pëlqen aventura, më pëlqen deti, më pëlqen… që gjithë këto gjërat që përmenda, t’i organizoj me miqtë e mi më të afërt. Kjo, pasi më pëlqen që, kur udhëtoj, të jem me miqtë e mi të afërt, qofshin çuna, qofshin goca… Dhe, të kemi mundësi që edhe atje ku shkojmë, të flasim për gjëra të bukura.
– Mirë në grup… po vetëm me një gocë, ndodh të shoqërohesh?
– Ok, le të dalim nga grupi! Sigurisht që shoqërohem, madje rregullisht… kaq.
– Thonë se gjuetarët dhe peshkatarët gënjejnë shumë. Cili është peshku më i madh që keni kapur?
– Edhe gënjejnë, edhe nuk gënjejnë. Unë nuk hyj tek ata persona që gënjejnë. Ato që i kam kapur, i kam kapur. Ato që i kam ngrënë, i kam ngrënë, ndërsa atyre që kanë ikur, u kam thënë: “Do shihemi së shpejti!”. (Qesh)
– E ke menduar ndonjëherë të bëhesh vegjetarian, si shumë VIP-a?
– Unë ha shumë lloje barërash, por nuk pi shumë lloje barërash…
– Do të dilje nudo në një protestë për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve apo të njerëzve?
– Mbase po… mbase jo… Në qoftë se po, do të dilja nga mesi e lart. Në qoftë se jo, do të protestoja me sytjena, ose me taka të larta…
– Një ndër punët e tua është edhe ajo në Liceun Artistik. Të imitojnë ndonjëherë fëmijët në klasë apo je një mësues i rreptë, që nuk lejon skena në klasë?
– Në fakt, ata më ndjekin gjithmonë dhe u pëlqen puna ime me humorin, ndërsa përsa i përket rreptësisë, jam aq sa duhet, besoj…
– Në “Apartamentin 2 XL” ke treguar që të ka pëlqyer pa masë kënga “Le le le mama”…
– Dihet botërisht që unë jam shok i ngushtë me Ermal Mamaqin dhe, gjatë verës, punojmë bashkë nëpër dasma e evente të tjera. Kjo do të thotë se e vëmë shpesh këtë këngën dhe kemi vënë re që njerëzit e pëlqejnë. Ndaj mora refrenin e kësaj kënge dhe e përdora në Apartamentin 2 XL… Dhe, prej asaj dite, kënga “Le mama” është bërë lajtmotiv në 2XL. Ke inat!? (Qesh)
– Jo, nuk kam inat, por shumë njerëz kanë qejf edhe “Xhaxhi Paçim”…
– Edhe batuta “Xhaxhi paçiiiiim” është bërë lajtmotiv si “le le le mama”… Janë personazhe që unë i shoh, personazhe që i mendoj edhe i ngjis në skenë…
– “Kalofshi si kamomili”… apo “kalofshi si fluturat”, përshëndet ti në Facebook. Përse pikërisht këto të dyja?
– Siç e thamë edhe më lart, unë bredh shumë nëpër male, andej shikoj shumë flutura dhe shumë kamomil… janë shumë paqësore… prandaj edhe më pëlqen ta bëj këtë lloj urimi. Ah, pa harruar këtu edhe mjelmat: “Kalofshi si mjelmat!”. (Qesh)
– Si e ke marrëdhëniet me banorët e Apartamentit?
– Oh, pyetje eksitonjëse! Sigurisht, si fluturat, si mjelmat dhe si kamomili…
– Po në Bypass…
– Relaaaaks, relaaaks… relaks mër relaaaaks!
– Një eksperiencë tjetër ka qenë ajo e një roli episodik në filmin “Femrat”, ku protagonist ishte Ermal Mamaqi…
– Ishte një propozim që më erdhi nga Koloreto Cukali, për rolin e taksistit, të cilin e pranova me kënaqësinë më të madhe. Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur, aq më tepër që kam interpretuar me Ermalin. Tani pres të dalë filmi tjetër, ku gjithashtu kam një rol shumë të mirë, por jo si karagjozpipet; është i një zhanri tjetër. Edhe këtë rol, ma propozoi miku im, me të cilin kemi punuar te “Skeç Shou”, Xhoslin Rama. Kam kënaqësinë që në këtë film interpretoj me Julian Dedën, Arben Derhemin dhe Erblin Bajkon; përshëndes edhe aktorët e tjerë. Kaq kisha. Po ti, mirë je? Mbahesh ndopak? Atë copë burrë, mirë e ke?
– Mirë, mirë, po meqë jemi te burri dhe te “Femrat”… Po ti, e ke gjetur veten në të tilla situata, si Ermali në filmin “Femrat”, pra, që mamaja të ta ketë bërë gati nusen?
– Nuk e di çfarë planesh ka mami im për mua, nuk jam i sigurtë për këtë, pyesni mamin. Përsa më përket mua, jam beqar! Apo s’jam beqar? Jam apo s’jam beqar? Moj vajzë, a jam unë beqar apo nuk jam beqar? Apo… si do doje ti, të isha beqar apo të mos isha beqar? Nejse, unë mendoj gjëra të bukura, besoj gjëra të bukura dhe rend drejt gjërave të bukura… Po ti mos loto… gjithsesi… (Qesh)
– Kolegu yt, Albano Bogdo, këtë edicion është konkurrent në “Dancing vvith the Stars”. Voton për Albanon?
– E para, nuk votoj se nuk kam lekë në telefon, por sigurisht që do ta bëj një ditë. Përsa u përket momenteve të kërcimit, unë qaj me lot, kurse përsa i përket pjesës që ai merret me jurinë, qesh me lot. Ika tani, po shkoj të shoh një ndeshje volejbolli… Paçiiim.