Nuk ka më tabu…
Ka mbaruar me dëshirë, pasion dhe rezultate shumë të larta Fakultetin e Mjekësisë pranë Universitetit të Tiranës në vitin 1979, për t’u specializuar në obstetrikë-gjinekologji. Nga ajo kohë, punon si mjeke obstetre-gjinekologe në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik të Tiranës, si dhe në klinikën laboratorike “Virhov”. Në këto vite, asnjë ditë nuk është shkëputur nga problemet shëndetësore të komunitetit femëror. Ajo është pranë tyre me komunikim të përditshëm në klinikë e spital, nëpërmjet medias së shkruar dhe vizive, në rrjetet sociale, si dhe duke komunikuar nëpërmjet uebsajtit bebaime.com…
Anila Kadija: – Doktoreshë Mimoza, duhet të jetë diçka shumë romantike t’i shërbesh jetës, t’i japësh jetë asaj…
Mimoza Keta: – T’u shërbesh njerëzve, të ndihmosh në shëndetin e grave dhe për më tepër, të jesh njeriu i parë që prek jetën, është mrekullia vetë. Ky është bekimi më i madh i obstetër-gjinekologut. Jeta në këtë botë vjen në forma të ndryshme duke ruajtur trashëgiminë e specieve, por ne njerëzve, evolucioni na ka dhënë mundësinë e trashëgimit biologjik në formën më interesante dhe shumë të bukur. Ne nuk lindim thjesht për instinkt të trashëgimit biologjik. Ne lindim pasi kemi vënë si përparësi dashurinë midis dy gjinive. Të dy partnerët janë shumë të rëndësishëm në lindjen e jetës, por gruaja përjeton një dimension mbireal, për shkak të fillimit të jetës në brendësinë e saj, që përfundon kur mbaron ekzistenca e saj. Kjo është ndjenja e nënës, ku ndikojnë ndryshimet hormonale që nisin që në aktin e parë seksual, bëhen udhërrëfyes gjatë shtatzanisë dhe vazhdojnë me dashurinë mbi fëmijën, megjithëse ka sjellë paralelisht dhimbjen dhe lumturinë.
– Dhe jeni ju që i ndihmoni gratë në këtë mrekulli. Cila është rruga e një mjeku të mirë?
– Titulli “mjek”, fitohet me mbarimin e studimeve mjekësore, por profesioni i mjekut nuk është shkencë ekzakte, ku “një dhe një bëjnë dy” dhe me kaq përfundon dija. Mjekësia më së shumti është art dhe në asnjë moment nuk mund dhe nuk duhet të thuash “e mësova”, “ceka fundin”, apo se tashmë i di të gjitha. Mjekësia evolon çdo ditë. Po e le një ditë, ajo të lë mbrapa.
Për t’u bërë mjek duhet pasion dhe dashuri për profesionin; për t’u bërë mjek në shërbim të komunitetit, kërkohet shtim i dijeve duke u përditësuar me arritjet shkencore mjekësore brenda e jashtë vendit dhe, së fundi, që të jesh mjek duhet të marrësh përgjegjësi në diagnostikim dhe në trajtim.
– Na tregoni një rast ku e keni ndjerë forcën e profesionit mbi të keqen?
– Si çdo profesion, edhe profesioni i mjekut nuk ka vetëm histori suksesi. Jo rrallë mjekët ndodhen përpara pamundësisë për të dhënë ndihmën ndaj pacientit, jo për shkak të mosdijes. Edhe sot, mjekësia ndodhet përpara mosnjohjes së shumë rasteve që përfundojnë jo mirë. Në këtë moment, vjen në veprim forca për të mos u ndalur në profesionin që ke zgjedhur, duke kërkuar të mësosh mbi humbjen, që ajo të mos përsëritet.
– Ç’mund t’u këshillojmë lexueseve tona në lidhje me parandalimin dhe kurimin e sëmundjeve që prekin ato?
– Problemi i parandalimit dhe trajtimit, është sa problem i sistemit mjekësor, aq edhe i kulturës mjekësore që duhet të ketë shoqëria. Në Shqipëri gjithnjë e më shumë po i kushtohet rëndësi parandalimit mjekësor me sistemin shëndetësor parësor dhe në chek-up. Duke e bërë këtë në sistemin shëndetësor, tentohet ndryshimi i mentalitetit të komunitetit, se është më lehtë të parandalohet sëmundja sesa të trajtohet. Në drejtim të parandalimit, një ndihmesë shumë të mirë kanë dhënë dhe japin OJF-të.
– Na tregoni një ngjarje që nuk ju hiqet nga kujtesa…
– Kur vlerësoj ecurinë time profesionale, ndiej kënaqësi dhe privilegj që kam punuar në këtë profesion. Eksperiencat e bukura janë të pafundme, sidomos këto dhjetë vitet e fundit dhe pres eksperienca akoma më të bukura. Tani, besoj se edhe ti Anila, po pret me padurim të dëgjosh eksperiencat më të bukura të profesionit tim. Nuk po të mbaj gjatë dhe po ta shuaj kureshtjen. Eksperiencat më të bukura, janë pritja e fëmijëve të nënave që i kam pritur me duart e mia përpara 20-30 vitesh, apo më shumë. Po pres me padurim pritjen e fëmijës së brezit të tretë, gjyshen dhe nënën e të cilit, i kam pritur unë kur kanë ardhur në jetë.
– Si është Moza nënë dhe bashkeshorte?
– Që të jesh bashkëshorte e nënë e mirë dhe të ushtrosh profesionin në mënyrë të suksesshme duhet ta jetosh, shfrytëzosh dhe përpjesëtosh kohën në mënyrë racionale. Shpresoj t’ia kem dalë. Me kalimin e viteve, raportet bashkëshortore, nënë dhe profesion, ndryshojnë, por kam kuptuar që e rëndësishme është të mbash një ekuilibër që kënaq shumë mirë, apo mjaftueshëm të gjithë faktorët. Së shpejti, do bëhem gjyshe dhe sinqerisht, nuk e di se ku do ta “vjedh” kohën, por me siguri do ta gjej me ndihmën e bashkëshortit, djalit dhe të bashkëshortes së tij.
– Mendoni se, që një çift ta jetojë bukur lidhjen e tij, duhet të ketë patjetër fëmijë?
– Shoqëria njerëzore ndryshon vazhdimisht, jo vetëm stilin e të jetuarit, por edhe konceptin mbi familjen. Unë mendoj se familja është harmonia e të jetuarit bukur midis dy individëve të cilët ndajnë mendime të përbashkëta mbi tërësinë e aspekteve të jetës, punojnë të dy për të ushqyer dashurinë, mirëkuptimin dhe tolerancën midis tyre, plotësojnë të dy kërkesat për t’u ushqyer, për të pasur veshmbathje dhe banesë të përshtatshme, si dhe bashkëvendosin shpenzimet për nevojat kulturore, sportive etj. të çdo individi të familjes. Në këtë familje mund të jetë i pranishëm edhe një ose disa fëmijë biologjikë ose jo biologjikë, gjithmonë në marrëveshje reciproke të çiftit. Por, edhe nëse familja nuk ka fëmijë për shkaqe fiziologjike, apo se ashtu ka vendosur çifti, kjo nuk është arsye dhe nuk përbën shkak që çifti të mos ketë jetë të bukur.
– Si janë statistikat e lindjeve sot? Është shtuar interesimi apo indiferenca në lidhje me prindërimin?
– Numri i lindjeve në Shqipëri mund të jetë zvogëluar me mbi dy herë në krahasim me vitet e para 1990-ës. Shkaqet janë të ndryshme, por kanë bërë që mosha mesatare të jetë rritur ndjeshëm. “Këmbana” ndodhet brenda në familje. Kërkesa dhe tendenca për të bërë jetë sa më të qetë e pa telashe, si dhe kërkesa për të jetuar me një nivel të caktuar ekonomik, ka bërë që familjet e reja të mos lindin shumë fëmijë. Sot, mesatarja e numrit të fëmijëve të lindur në familjet e reja, është më e vogël se dy.
Në situatën e krijuar përjashtoj faktorin indiferencë të çifteve për të qenë prind, se në eksperiencën time nuk gjej asnjë çift që të jenë dakordësuar për të mos patur fëmijë. Edhe kur kanë patur probleme të infertilitetit, zgjidhjen kanë tentuar ose e kanë gjetur në metodat bashkohore të riprodhimit, siç është fertilizimi artificial.
– Shmangia e aborteve është një nga sfidat e mjekësisë sot… Si mjeke, me eksperiencën që keni, ç’do t’u thonit të rinjve?
– Në kohën që jetojmë, informacioni merret shpejt dhe është i shumëllojshëm. Kështu ndodh edhe me informacionin mbi organet riprodhuese femërore dhe mashkullore, por edhe mbi mënyrën e riprodhimit natyral. Të etur për këtë lloj dijeje janë moshat e hershme që, kur informacioni nuk u mjafton, nisin të hulumtojnë vetveten, deri te kryerja e aktit seksual. Kryerja e aktit seksual mbart tre probleme.
Kur kryhet akti i parë seksual, në organizmin e femrën ndodhin një seri ndryshimesh hormonale dhe fizike, që mund të sjellin probleme të mëdha. Ndaj rekomandohet që pas kryerjes së kontaktit të parë seksual të bëhet një vizitë te mjeku gjinekolog. Këshillat e mjekut janë sa të përgjithshme, aq edhe të personalizuara.
Problemi i dytë është se në një akt seksual, mundësia për të marrë infeksione seksualisht të transmetueshme është shumë e madhe, veçanërisht kur partneri/ja është i/e pasigurt ose ka partnerë të tjerë.
Problemi i tretë është mundësia për shtatzani të padëshiruar. Zgjidhja në këto raste është kryerja e marrëdhënieve seksuale me mbrojtje. Prezervativi i trajtuar dhe përdorur sipas udhëzimeve, është mbrojtje efikase si ndaj infeksioneve seksualisht të transmetueshme, ashtu edhe ndaj shtatzanisë së padëshiruar.
– Një nga eksperiencat e tua të veçanta ka qenë ajo me gratë nëpër fshatra, për t’u mësuar për shëndetin e tyre intim…
– Prej gati pesëmbëdhjetë vitesh kam realizuar disa projekte në ndihmë të komunitetit femëror në disa zona rurale të Shqipërisë. Unë i konsideroj si projekte të shkëlqyera nga financuesit, sepse ndihma ka qenë në zonat të thella rurale ku kushtet higjieno-sanitare janë të vështira dhe kualifikimi shëndetor, kryesisht i personelit të mesëm, lë për të dëshiruar. Kam kaluar në duar me mijëra gra për vizitë gjinekologjike, kam biseduar me to mbi shëndetin riprodhues, jo vetëm për të rritur dijet, por më tepër për t’u ndërgjegjësuar mbi rëndësinë e kontrollit periodik të shëndetit riprodhues. Një nga shenjat që kam tentuar të lë në këto zona, është krijimi i grupeve me gra të afta profesionalisht në fushën e shëndetit riprodhues, që ndihmojnë në rastet e emergjencës, së bashku me maminë apo infermieren e zonës, derisa të afrohet kujdesi shëndetësor i kualifikuar.
– E vështirë të besohet, por sot ju jeni një mjeke në pension, ndërkohë që vazhdoni të punoni…
– Jam larguar nga puna për shkak të moshës dhe jo për shkak të “paaftësisë fizike apo mendore”. Kështu thotë ligji dhe mbi bazë të tij më paguajnë sigurimet shoqërore. Por unë punoj, punoj se jam e aftë fizikisht dhe mendërisht e kjo vërtetohet edhe nga leja e ushtrimit të profesionit që lëshon “Urdhëri i Mjekut”. Komuniteti femëror beson në eksperiencen time, beson në aftësitë dhe dijet e mia, ndaj më kontaktojnë, me besimin se diagnostikimi dhe trajtimi do jenë efikasë.
– Keni edhe një portal të bukur rozë për gratë në internet, bebaime.com…
– Ndërtimi i faqes është iniciativë e nënës nga Prishtina, Valizakja, e cila jashtë profesionit të saj, pasi lindi fëmijën e parë, mendoi t’u vinte në ndihmë grave me moshë riprodhuese rreth perinatologjisë. Eksperienca e lindjes së parë, e drejtoi atë në idenë e krijimit të kësaj faqeje që ekziston sot. Me ftesën e parë, u bëra pjesë e pandarë e komunikimit me gratë, komunikim që e bëj me kënaqësi dhe përkushtim çdo ditë. Sot kjo grua ka tre fëmijë dhe vazhdon të jetë pranë grave shqipfolëse, për çdo lloj problemi që ka të bëjë me shëndetin e tyre riprodhues.
– E kanë më të lehtë gratë të pyesin virtualisht apo tabutë janë shembur tashmë?
– Etikë në komunikim ka, por nuk ka tabu. Më vjen aq mirë sa nuk di si ta përshkruaj, por gratë shqiptare janë të liruara nga kompleksiteti i të shprehurit dhe problemin e thonë qartë ashtu si e mendojnë, ndiejnë apo ankojnë. Kjo ndodh me gratë dhe vajzat nga Kosova, nga Maqedonia, nga Shqipëria, si dhe me ato gra që ndodhen dhe jetojnë në Itali, Greqi, SHBA, Evropë e kudo tjetër.
– Dhe pyetja e fundit: Kur në duar keni një bebe akoma me shiritin e kërthizës të paprerë, cili është mendimi i parë që ju shkon në mendje?
– Debati mbi lindjen e jetës dhe transmetimi i saj në mënyrë evolutive në racën njerëzore është i përditshëm edhe sot në rrethe të ndryshme shkencore apo religjoze, por pavarësisht nga kundërshtitë, të gjithë e pranojnë se jeta është e bukur. Edhe unë kështu them, jeta është shumë, shumë e bukur, pavarësisht se si mendon njëri apo tjetri, se nga ka ardhur ajo, apo ku po shkon.
Kur kam parë për herë të parë një lindje jete njerëzore, jam mahnitur. Kur shikoj edhe sot jetën njerëzore të dalë për herë të parë në dritë, ashtu me kordonin ombelikal të paprerë, të veshur me verniksin kazeoz dhe kur për ankesën e ndërrimit të ambientit jeta qan me të bërtitur, them: “ky apo kjo do jetë më i/e mirë se ne, sepse nga ne ka marrë më të mirën dhe ne do t’i transmetojmë më të mirën tonë”.