Kanë kaluar kohë që nga “Bla, bla, bla”-ja e saj e famshme, por Fiori mbetet po ajo; e gjallë, energjike, e lidhur pazgjidhshmërisht me televizionin dhe e gatshme të komunikojë lirshëm me këdo. Sigurisht, koha kalon dhe ajo është tashmë nënë e një djali të bukur që quhet po aq bukur, Abel, është prezantuese e “Fiks fare” dhe herë pas here, i bën njerëzit të habiten qoftë edhe me fotot e saj… Sepse ajo është një vajzë pa komplekse? Hëm, këtë e di vetë ajo! Ne dimë të themi vetëm se me Fiorin është gjithmonë kënaqësi të bisedosh, ndaj edhe jua sjellim sot në këtë intervistë…
Blerina Çizmja: – Përshëndetje Fiori… Si shkoi dita sot dhe pse ia vlejti ta jetoje atë?
Fiori Dardha: – Kam patur një ditë aq të ngarkuar, sa edhe kësaj interviste po i përgjigjem në një orar të papërshtatshëm. (Buzëqesh) Çdo ditë vlen, madje kur bëhesh nënë, ia vlen dyfish.
– Në radhë të parë, gëzuar ditëlindjen! Në 36 vjet, mendon se ke bërë shumë, pak apo mjaftueshëm?
– Faleminderit për urimin. Nuk di ta përcaktoj me një ndajfolje se sa kam bërë, por një gjë është e sigurt: kam jetuar çdo ditë!
– Cila është gjëja më e mirë që ke bërë në jetë?
– Unë e kam bërë kryeveprën e jetës sime. Quhet Abel!
– Po ajo që duhet ta kishe menduar më gjatë dhe për të cilën je penduar?
– Ndonjëherë pendohem që kam investuar shpirtërisht e kam konsumuar kohën time për njerëz që nuk vlen as t’ua përmendësh emrin. Zakonisht, këta tipa kanë të gjithë të njëjtin “emër”: Mosmirënjohës!
– Çfarë keni të përbashkët ti dhe televizioni, që nuk qëndroni dot larg njëri-tjetrit?
– Duhet të pyesim televizionin. (Qesh) Unë kam kuptuar se gjëja që di të bëj më mirë në jetë është televizioni. Televizioni, me sa duket, ka kuptuar që atij i duhen njerëzit e vërtetë e pa dyshim, edhe të talentuar.
– Je prezantuar me publikun si “vajza e thyerjes së tabuve”…
– Është e vërtetë që më shumë se një dekadë më parë, unë kam realizuar një format tepër të guximshëm për kohën. Sot dalin shumë personazhe e thonë se kanë thyer tabu e kanë bërë revolucion në media. Unë nuk jam nga ata tipa që dalin e bërtasin me të madhe “kam bërë këtë e kam bërë atë”, ama, nuk kam pse të mos e pohoj se “Bla bla bla”-ja ka dalë në transmetim në kohën kur gazëtaria rozë në Shqipëri nuk ekzistonte dhe bota e shoubizit përbënte pak ose aspak interes për median. Më vonë lindën suplementet e gazetave e të tjera…
– Sa ke ndryshuar që nga ajo kohë?
– Unë nuk bëj asnjë përpjekje për të ndryshuar natyrën e karakterin tim. Thjesht, përpiqem të përmirësohem sa më shumë, të rritem profesionalisht e të jap më të mirën time. Mund të them që tani jam më e matur, më e rritur dhe më kërkuese ndaj vetes.
– Ishte pikërisht imazhi që kishe krijuar me emisionin tënd, ai që i shtyu drejtuesit e “Fiks fare” të të bënin propozimin për t’u bërë pjesë e tij?
– Propozimi m’u bë për të marrë pjesë në audicion. Pjesë e “Fiks”-it u bëra pasi fitova audicionin. (Buzëqesh) Nuk do të lodhem asnjëherë së thëni se ishte Denisa Haxhiaj, zëvendësdrejtore e “Fiks Fare”-s që më ftoi të merrja pjesë në audicion. Ndonëse më njihte vetëm nëpërmjet Facebook-ut e disa komunikimeve formale (për shkak të punës që bëja në atë kohë), me sa duket, intuita e saj nuk gaboi. Sot jam e lumtur dhe ndihem e vlerësuar që drejtori i emisionit, Filip Çakuli e drejtuesit e Top Channel-it i besuan talentit e punës sime.
– Po ti vetë, pse vendose të riktheheshe në ekran pas aq shumë kohësh, pikërisht në këtë emision?
– A ka vlerësim më të madh sesa të të besojnë drejtimin e një formati kaq të suksesshëm, që është një ndër më të ndjekurit në Shqipëri?! Kush do ta refuzonte? Unë vendosa të rikthehesha kur ekrani më kërkoi.
– A është e vështirë të jesh Fiori?
– Është ca, por po e lë me kaq! (Qesh)
– Çfarë ka për të mbetur gjithmonë e pandryshuar te ti?
– Të qenit e drejtpërdrejtë!
– Çfarë po përpiqesh të ndryshosh më shumë te vetja e nuk po ia arrin dot?
– Unë jam natyrë emotive dhe reagimet, shpesh, i kam të forta. Ndoshta duhet të jem ca më indiferente e të them më shpesh “varja”, por nuk e bëj dot.
– Po tek i fejuari, çfarë s’po e ndryshon dot?
– Nuk po i heq dot vesin e cigares. Mision i pamundur! (Qesh)
– Me dasmën tënde ç’u bë? Në një intervistë të mëparshme për gazetën tonë na ke treguar me detaje dasmën tënde të ëndrrave, që ne mezi e presim…
– Dasmën e kemi lënë pezull për efekt fondesh. (Qesh)
– Ti je shumë aktive në mediat sociale… Nuk lodhesh ndonjëherë duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me njerëz që i njeh e s’i njeh?
– Mua më pëlqen të komunikoj me njerëzit, jam natyrë shumë sociale dhe tashmë, rrjetet sociale janë pjesë e përditshmërisë sime. Kam përshtypjen se më shumë lodhen ata që lexojnë e shohin gjithçka dhe nuk ndihen (madje, s’bëjnë as like), sesa ne që jemi aktivë e kemi komunikim direkt me njerëzit.
– Kur bëhet e lodhshme kjo punë?
– Aktivizimin në media sociale unë nuk e konsideroj punë, ndaj s’di t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. (Qesh)
– A ka ndonjë moment kur dëshiron thjesht, të vësh gjithçka në Off për disa kohë? Ke tentuar ndonjëherë ta bësh?
– Jo, asnjëherë. Unë di t’u vë kufij gjërave, edhe pa e bërë gjithçka Off. Rrjetet sociale i kam pjesë të përditshmërisë, por jo mënyrë jetese.
Çfarë mendon kur…
…dëgjon për një këngëtare të joshur nga politikanët?
– Sa lekë ka fituar nga klikimet portali që e ka publikuar lajmin?
…mëson se një emision i “Fiks”-it ka ndihmuar dikë?
– Hëm… është lumturi e madhe.
…skandali zgjat vetëm tri ditë?
– Duhet ta reduktojnë kohën e kësaj shprehjes. (Qesh)
…shikon foton tënde me kryeministrin, ku ti i ke dy gishtat lart?
– Që në këtë botë ekziston një njeri që i ka qejf selfie-t më shumë se unë.
…thonë se Fiori ka bërë operacione plastike?
– Në fakt, nuk e ka thënë askush. Nuk jam aq e bukur sa për të ngritur të tilla dyshime. (Qesh)
…të tjerët i zë sikleti nëse në foton e poblikuar ke një apo dy këmbë? (Qesh)
– Të tilla halle paçin!
…thonë se Fiorit i pëlqen shumë vetja?
– Nuk ka ndonjë mëkat ketu. Punë e madhe se po e thokërkan! (Qesh)
…dikush të nervozon aq shumë sa…
– Nuk ta përtoj shumë në këto raste. Ia them troç e drejt e në sy atë që mendoj.
…thonë se Fiori nuk ka fare komplekse?
– Nuk më njohin! (Buzëqesh)