– Jam 50 vjeçe. Prej dy javësh kisha një dhimbje të fortë në zonën e veshit e cila kohët e fundit më ka zbritur në pjesën e përparme të qafës. Dhimbja shoqërohet edhe me temperaturë, kryesisht paradite. Kur përdor paracetomol dhe oki, ndihem më mirë. Bëra një eko të gjëndrës tiroide dhe më thanë se mund të kem një infeksion të saj. A është sëmundje e rëndë? A lë pasoja në organizëm? Po përsa i përket mjekimit, çfarë duhet të marr?
Dr. Dashamir Gjergji endokrinolog-diabetolog: – E nderuar zonjë, me sa kuptova nga përshkrimi juaj, kemi të bëjmë me një paraqitje klasike të tiroiditit subakut ose infeksion viral të gjëndrës tiroide. Meqenëse tani është edhe sezoni i dimrit, virozat janë shumë më të shprehura mbi popullatë. E tillë është edhe sëmundja infektive që ka prekur tiroiden tuaj. Tiroiditi subakut ose viral zakonisht prek gjithë tiroiden. Ai fillon në pjesë të caktuara të saj, duke u shpërndarë në gjithë strukturen e kësaj gjëndre. Siç referoni edhe ju, dhimbja dhe temperatura janë dy elementet bazë të kësaj sëmundjeje, më të shprehura në periudhën e parë, e cila përkon maksimalisht me mënyrën se si përshkruhen nëpër libra ankesat dhe simptomat e kësaj sëmundjeje. Si çdo sëmundje infektive, edhe kjo e ka një fillim dhe një fund. Procesi i pushtimit viral të gjëndrës tiroide zgjat nga 2-3 muaj dhe përgjithësisht, në 90 % të rasteve, pas kësaj periudhe, kemi shërim të plotë të sëmundjes. Vetëm në 10 % të rasteve mbeten pasoja, siç mund të jetë rënia e prodhimit të hormoneve të gjëndrës tiroide ose siç quhet ndryshe, pakica e hormoneve të tiroides.
– Ju pyesni nëse ka komplikacione. Ky që sapo sqarova është një komplikacion i tillë, por nuk përjashtohet mundësia që gjatë ecurisë të ketë edhe komplikacione të tjera, siç mund të jetë rreziku për të bërë tromboemboli, aritmi etj., por mund të ndodhë që ky infeksion të përfshijë edhe gjëndra të tjera të organizmit, madje edhe të sistemit nervor. Në lidhje me mjekimin, mund t’ju sqaroj se se të sëmurëve u përshkruajmë barna për të qetësuar dhimbjen, por që njëkohësisht ulin edhe temperaturën. Ju mund të përdorni edhe lokalisht kompresa me akull ose me ujë të ftohtë, duhet të merrni lëngje, të ushqeheni mirë dhe të evitoni daljet në temperaturë shumë të ftohta. Si përfundim, ju them që duhet të mbani kontakt të vazhdueshëm me një specialist, për të monitoruar dhe trajtuar deri në fund këtë gjendje problematike. Të shkuara.
Advertisement