Të dashur lexues, unë që po ju shkruaj jam një vajzë që sapo kam mbushur 20 vjeçe. Këtë histori po e shkruaj që të gjithë njerëzit të cilët do ta lexojnë të nxjerrin një mësim nëse u ndodh e njëjta histori që më ndodhi mua. E di se mund të ketë dhe paragjykime, por unë jam një njeri që nuk ua vë veshin shumë paragjykimeve.
Unë para nja tre viteve u njoha me një djalë që u transferua në shkollën tonë. Kur erdhi në fillim ishte mjaft shakaxhi, kështu që shumë shpejt u bë si ata djemtë nëpër filma me të cilët duan të rrinë të gjithë. Për çudi, ai ishte mirë edhe me mësime. Në fillim nuk kisha shumë muhabet me të, por një ditë na u caktua një detyrë së bashku dhe këtu lindi miqësia jonë. Të rrije me të ishte një nga gjërat më të bukura që kam përjetuar ndonjëherë. Edhe pse është shpejt ta them këtë se mund të kem edhe lidhje të tjera në jetë, deri tani ka qenë shumë e bukur.
Kjo miqësia jonë ishte e bukur jo vetëm se ne ishim në moshën më të bukur, por edhe pse ai ishte një djalë shumë i veçantë. Dinte të bënte çdo njeri për vete dhe të më bënte mua të lumtur në çdo moment që rrija me të.
Por një ditë ai nuk erdhi në shkollë. E mora në telefon dhe e kishte të fikur. Në fakt, ne kishim shoqëri me njëri-tjetrin, por familjet tona nuk i kishim përfshirë në këtë histori. Pyeta shokun e tij të ngushtë, por ai më tha shkurt:
– Është sëmurë, me grip.
– Dhe ka mbyllur telefonin? Si ka mundësi? – i thashë e habitur.
– Hë se vjen nesër. – tha ai shkurt.
“Ndoshta mund të ishte me gjithë mend me grip dhe telefonin e kishte fikur që të mos e merrte njeri kur ai të ishte me të shtëpisë”, mendova. Edhe pse kisha kaluar këto mendime në kokë, prapë kisha një ndjenjë sikur t’i kishte ndodhur ndonjë e keqe. E kalova pasditen duke menduar pë të edhe pse kisha shumë detyra për të bërë.
Të nesërmen ai nuk erdhi përsëri në shkollë dhe kjo mungesë e tij zgjati nja një javë. Kur erdhi pas një jave, m’u duk shumë i transformuar.
– Pse ke munguar tërë këto ditë? – i thashë sapo u ula në bangë. – Ke qenë sëmurë?
– Ëhë. – tha shkurt ai, pa e ngritur kokën.
– Po telefonin, pse nuk e ke hapur? I kam rënë disa herë, por më dilte i fikur.
– Më është prishur.
Në atë çast, hyri mësuesja në klasë dhe ne e ndërpremë bisedën. Gjatë gjithë orës ai dukej sikur po flinte. Këtë e vuri re dhe mësuesja e cila e pyeti se pse nuk ishte përgatitur e ai shkurt iu përgjigj se kishte qenë sëmurë. Nuk ishte kjo sjellja e tij e zakonshme, prandaj mezi prita sa mbaroi ora dhe i thashë:
– Ti diçka ke, më thuaj si është puna.
– Asgjë nuk kam, vetëm kam qenë sëmurë.
– Këtë ua the të gjithë të tjerëve, por mua duhet të më thuash të vërtetën. Të ka ndodhur ndonjë gjë?
Përsëri ra zilja dhe biseda do të mbetej e papërfunduar, por unë e mora për krahu dhe i thashë:
– Eja të shkojmë të pimë një kafe!
– Po…
– I them unë mësueses. – Në atë çast mësuesja po bëhej gati të hynte në klasë.
– Mësuese, nuk ndihem mirë. A mund të shkoj të blej një ujë?
– Po a mund të të ndihmoj? – tha mësuesja. – Të thërrasim prindin.
– Jo, jo, tani jo. Ndoshta më vonë se nuk dua të shqetësohen. A mund të vijë Seldi me mua?
– Po sigurisht! Shkoni se i them unë rojes. – mësuesja u tregua e gatshme, sepse që të dy nuk ishim nxënës problematikë.
Ne dolëm dhe u ulëm te kafja përballë shkollës.
– Më thuaj tani se çfarë po të mundon?
– Asgjë, të thashë. Pse do patjetër të më bësh të flas? Kam qenë sëmurë e asgjë më shumë.
– Të lutem më trego! Ti më dukesh shumë i mërzitur!
Kur ai u kthye të më shikonte, gati iu mbushën sytë me lot.
– Po ja, ata të shtëpisë… Ata prindërit e mrekullueshëm që na bënë kokën, ata më sëmurin.
– Pse çfarë ka ndodhur?
– Po, ja… Ai, babi im…
– Çfarë ka babi?
– Asgjë nuk ka. Është si kokrra e mollës, po e pashë me njërën, që ishte sa gjysma e moshës së tij.
– Po ndoshta…
– E pastaj i thashë mamit. Ajo gati sa nuk u çmend. I iku truri. Në shtëpinë tonë ka vetëm luftë tani. Ja, pse jam kështu.
Nuk kisha çfarë të thosha. Ishte një gjë e rëndë për një njeri të ndjeshëm siç ishte ai. Që nga ajo ditë ai linte orët e mësimit e kur e takoja, dukej si i përhumbur. Një shok yni më tha se kishte filluar të merrte ndonjë gjë që e qetësonte, duke nënkuptuar hashashin. Nuk e di se si u bëra në ato momente kur e mora vesh. Ai kishte ardhur atë ditë në shkollë, por që në mëngjes ishte futur te lokali përballë dhe nuk kishte dalë nga andej. Ishte ora 11 dhe, sapo dola në pushim të madh, unë u futa në lokal. E pashë të ulur në një tavolinë me ca djem rreth të 30-tave. U sula si e marrë dhe i thashë:
– Ngrihu e eja me mua! – e kapa nga krahu, por ai ma lëshoi krahun e ra mbi ndenjëse.
– Po ti, moj zogëz, kush je? – më pyeti njëri nga ata që e shoqëronin.
– E ç’të duhet ty se kush jam unë? – i thashë, pa m’u dridhur qerpiku.
– Ej, kujt i flet ashtu ti? – ai u ngrit në këmbë e m’u afrua.
Në këtë çast, shoku im edhi në vete dhe më kapi për dore e dolëm nga lokali. Ai ecte para dhe më tërhiqte nga pas.
– Ku po shkojmë? – I thashë.
Ai nuk foli fare dhe në fund, përfunduam te shtëpia e tij. Aty ishte e ëma që i kishte sytë e skuqur nga e qara. Nuk e dija edhe vetë se çfarë të thoja kur u gjenda përballë me të. Më kishte sjellë papritur te shtëpia e tij. Vetëm rrija pa folur e shikoja të ëmën. Ajo ishte një grua shumë e bukur dhe dukej si të ishte motra e tij. Mendoja se si mund ta tradhtonte një burrë një grua të tillë!
– Si je, zemër? Si i ke prindërit? – Ajo po fliste aq ëmbël me mua a thua se kishte një jetë që më njihte. – Më ka folur shumë Seldi për ty. Ti je një bekim në jetën e tij.
Unë pas këtyre fjalëve ndihesha më rehat, kështu që të dyja filluam të flisnim. Ajo nuk më tregoi për historinë që u kishte ndodhur sepse e merrte me mend se unë e dija. Ai shkoi të shtrihej nga dhoma tjetër. Pas një bisede të gjatë, unë u ktheva në shtëpi. Ai nuk u ngrit derisa ika unë, si duket kishte pirë ndonjë gjë të fortë. Gjithë pasditen mendova se si mund ta shpëtoja këtë djalë nga ajo që po i ndodhte. U ula të flija dhe ende nuk kisha diçka në mendje, por të nesërmen në mëngjes isha shumë e sigurt se unë do t’ia dilja ta shpëtoja.
Ai nuk erdhi në shkollë se si duket ishte i lodhur nga dita e mëparshme, kështu që pas mësimit i shkova në shtëpi. Ai ishte në dhomën e tij. Ishte mirë dhe nuk dukej se dita e djeshme kishte lënë pasoja të këqija.
– Kam vendosur të fejohem me ty. – i thashë sapo e pashë.
– Ç’të gjeti kështu? Nga të erdhi kjo ide? Ne jemi akoma të vegjël…
– S’ka gjë. Edhe prindërit e mi ishin të vegjël kur u martuan dhe ja, ende janë bashkë.
– Po të mitë?
– Ndoshta me ne funksionon. – i thashë e bindur.
Dhe ashtu u bë. U fejuam dhe unë u kërkova prindërve të mi të rrija në shtëpinë e tij. Babai i tij, herë vinte në shtëpi e herë rrinte nga e ëma. Edhe kur vinte, dukej sikur ishte i penduar për atë që kishte bërë. Ne të dy rrinim gjithmonë bashkë, si në shkollë ashtu edhe pasdite e në shtëpi në darkë. Ai ndryshoi krejtësisht dhe familja dukej sikur po i përmirësonte marrëdhëniet, sepse e ëma i kërkoi të atit që të rrinte gjithmonë në shtëpi. Si duket, edhe ajo e kuptoi se mund të kishte qenë ndonjë gjë e rastit e donte t’i jepte një mundësi të dytë.
Kështu kaloi ai vit. Ne dhamë provimet ku dolëm shumë mirë. Konkurruam në universitete jashtë Shqipërisë dhe fituam që të dy, por unë fitova në një universitet në Londër e ai në Rumani. Kjo ka bërë që ne të dy të mos jemi bashkë tani sepse largësia bëri që fejesa jonë të mos kishte bukurinë e kohës kur jetonim afër njëri-tjetrit.
Ka pak kohë që jemi ndarë si të fejuar, ama jemi shokë të mirë. Unë e ndiej veten me fat që në jetën time pati një kohë të bukur si ajo që kalova me shokun tim, që tani mund të ishte i varur nga droga a ndoshta mund të mos ishte gjallë. Ai tani është në një rrugë të mbarë dhe për këtë, jam e lumtur.
Advertisement