– Unë që po ju shkruaj, jam Pajtimi nga Tirana. Kam filluar marrëdhënien e punës pranë Bashkisë së Tiranës në shkurt 2012, fillimisht në sektorin e bar-restoranteve deri në korrik 2013 ku pozicioni im në këtë sektor ka qenë specialist. Pas korrikut 2013 jam rritur në detyrë specialist i parë pranë një sektori. Gjatë marrëdhënies së punës, kam qenë korrekt, kam punuar me përkushtim dhe profesionalizëm. Performanca ime ka qenë shumë e mirë, kjo provohet me faktin se jam rritur në detyrë dhe nuk kam asnjë masë disiplinore. Aq më tepër sepse kam kualifikimet e nevojshme për këtë pozicion pune, unë jam munduar ta bëj këtë punë me përkushtim, duke nderuar institucionin dhe Bashkinë e Tiranës. Para disa kohësh, ashtu si 120 punonjës të drejtorisë ku unë punoj, na është komunikuar largimi nga puna duke respektuar procedurën dhe afatin e njoftimit sipas kodit të punës të Republikës së Shqipërisë, ndërkohë që kjo bëhet për motive politike. Kualifikimi, përvoja dhe përkushtimi im është i nivelit të lartë për këtë vend pune e me modesti mund të them, edhe për një detyrë më të lartë se kjo. Unë kam mbaruar studimet universitare Bachelor në Universitetin “Bujqësor të Tiranës”, Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit në vitin 2011, më vonë kam vazhduar studimet Master Profesional pranë këtij fakulteti dhe i kam mbaruar në vitin 2013. Njëkohësisht kam ndjekur studimet në Fakultetin e Drejtësisë dhe i kam përfunduar me sukses në vitin 2013, ndërkohë jam student për master shkencor pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës pranë Fakultetit të Drejtësisë, Dega Administrim Publik. Që në momentin e emërimit të drejtorit të ri, në mënyrë indirekte dhe nëpërmjet të tetëve na është ushtruar presion i vazhdueshëm lidhur me mua personalisht, ashtu edhe kolegëve të tjerë. Arsyeja e largimit nga puna ka qenë sepse ashtu sikurse unë, edhe një grup i caktuar i punonjësve kanë bindje politike të djathta, madje unë jam anëtar i Partisë Demokratike dhe kam bërë fushat për zotin Halim Kosova. Në mënyrë indirekte eprorët e mi më kanë thënë që “do ta shikojmë tani fushatën që keni bërë për Doktorin”. Unë u kam thënë se kjo është e drejta ime politike dhe nuk ma impononi ju. Përfundimisht, dua të di nëse e kundërshtoj në gjykatë largimin nga puna, a ka mundësi ta gjyqin?
Av. Alban Duraj, “Duraj Lavv Firm”, email: info@durajlavv.com, Tel. ++35544532512: – Së pari, me faktet që ju keni parashtruar në këtë letër, më lejoni t’ju shpreh keqardhje për këtë që ju ka ndodhur. Nuk mund të largohet nga puna dikush, i cili ka investuar në kualifikimin e tij dhe për më tepër keni eksperiencën e duhur në pozicionin e punës të cilin ushtroni. Nëse punëdhënësi ka respektuar me rigorozitet Kodin e Punës dhe konkretisht, nenin 144 për zgjidhjen e marrëdhënies së punës, duke respektuar procedurën dhe afatin e njoftimit për të zgjidhur marrëdhënien e punës, atëherë kjo është e drejta e punëdhënësit për ta zgjidhur marrëdhënien e punës, pa dhënë asnjë arsye për të zgjidhur marrëdhënien me punëmarrësin. Në këtë rast, punëdhënësi duhet të shlyej të gjitha detyrimet të cilat i ka punëmarrësit, si: leja vjetore, vjetërsia në punë. Në rastin tuaj, zoti Pajtim, ju duhet të merrni lejen vjetore nëse nuk e keni kryer dhe duke qenë se keni mbi 3 vite punë, për çdo vit pune duhet të paguheni me 15 ditë pune. Ju keni mbi 4 vite punë, ndaj duhet të paguheni me 2 muaj pagë.
– Pra, nëse ju do të ngrini padi për punëdhënësin për zgjidhjen e marrëdhënies së punës në mënyrë të menjëhershme e të pajustifikuar, ju nuk do të kishit shanse për ta fituar këtë gjyq. Kjo pasi, punëdhënësi e ka respektuar në mënyrë të përpiktë ligjin. Ajo çfarë mund të kërkonit në gjykatë, është vjetërsia në punë dhe lejet, nëse këto nuk paguhen nga punëdhënësi. Për këto lloj padish, barra e provës për ta provuar është e punëdhënësit. Për rastin tuaj, ku ju pretendoni se largimi nga puna është bërë për motive politike, atëherë jemi përpara zgjidhjes se marrëdhënies së punës për shkaqe të paarsyeshme. Ju duhet t’i drejtoheni Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë me objekt padie ku të kërkoni dëmshpërblim për zgjidhjen e marrëdhënies së punës pa shkaqe të arsyeshme. Kërkimin tuaj duhet ta bazoni në nenin 146 përcakton se: “1. Zgjidhja e kontratës nga punëdhënësi, konsiderohet pa shkaqe të arsyeshme kur: a. punëmarrësi ka pretendime që rrjedhin nga kontrata e punës; b. punëmarrësi ka përmbushur një detyrim ligjor; c. bëhet për motive të pandashme nga personaliteti i punëmarrësit, por që nuk kanë lidhje legjitime me raportet e punës. Konsiderohen si motive të tilla raca, ngjyra, seksi, mosha, gjendja civile, detyrimet familjare, shtatzania, besimi fetar, bindjet politike, kombësia, gjendja shoqërore; d. për motive që lidhen me ushtrimin nga punëmarrësi, të një të drejte kushtetuese, por që nuk sjell shkeljen e detyrimeve që rrjedhin nga kontrata e punës; e. bëhet për motive të anëtarësimit ose jo të punëmarrësit në sindikatë të krijuar në bazë të ligjit ose për shkak të pjesëmarrjes së tij në veprimtari sindikale në bazë të ligjit;
2. Nëse kontrata zgjidhet pa shkaqe të arsyeshme, punëmarrësi ka të drejtë të ngrejë padi kundër punëdhënësit në gjykatë, brenda 180 ditëve nga dita e përfundimit të afatit të njoftimit. Në rastin kur motivi abuziv është zbuluar pas kalimit të këtij afati, punëmarrësi duhet të ngrejë padinë brenda 30 ditëve nga dita e zbulimit të këtij motivi.
3. Zgjidhja e kontratës pa shkaqe të arsyeshme është e pavlefshme. Punëdhënësi që ka zgjidhur kontratën pa shkaqe të arsyeshme, detyrohet t’i japë punëmarrësit një dëmshpërblim deri në një vit pagë, që i shtohet pagës që ai duhet të marrë gjatë afatit të njoftimit. Për punëmarrësit në administratën publike, kur ka një vendim gjykate të formës së prerë për kthimin në vendin e mëparshëm të punës, punëdhënësi është i detyruar të zbatojë këtë vendim”.
– Pra, ju përfitoni nëse provoni se zgjidhja e marrëdhënies së punës është bërë për arsye politike, ku barra e provës ju bie ju për të provuar pretendimin tuaj. Nëse i provoni pretendimet tuaja, atëherë mund të themi se ky është gjyq i fituar.
Advertisement