Një makinë pa shofer e Google-it është përfshirë në një përplasje me një autobus në Kaliforni. Shoqëria teknologjike ka pranuar të paktën pjesërisht përgjegjësinë për aksidentin që ka ndodhur më 14 shkurt. Mendohet se ky aksident ka ndodhur ndërkohë që shoqëria po testonte 24 nga makinat e saj të pajisura me sensorë dhe kamera, afër zyrave qendrore të firmës në Silicon Valley. Në raportin e firmës thuhet se makina po përpiqej të sillej rrotull disa thasëve me rërë, me një shpejtësi prej 3 km/orë kur u përplas me autobusin që po udhëtonte me 24 km/orë. Makinat e Google-it kanë bërë më shumë se një dyzinë përplasjesh, por në shumicën e rasteve kanë qenë përplasje nga pas. Nëse përcaktohet që fajtore ka qenë makina Google, kjo do të jetë hera e parë që një nga makinat e saj pa shofer ka shkaktuar një aksident, ndërkohë që po udhëtonte në mënyrë autonome. Google thotë se aksidenti ka ardhur nga e njëjta mënyrë ndërveprimi dhe keqkuptimi që ndodh edhe mes shoferëve njerëz çdo ditë. Kompania thotë se makinat e saj tani do ta “kuptojnë” më mirë se autobusët dhe automjetet e mëdha nuk lëshojnë pe si të voglat. Në fillim të shkurtit, shefat e transportit në Britaninë e Madhe rrëfyen se ishin në “diskutime aktive” me Google-in për testimin e makinave të tyre pa shofer në këtë vend.