– Përshëndetje avokat, jam Asllani nga Tirana. Kam 25 vite qe merrem me biznes, duke sjellë materiale elektrike nga jashtë. Biznesi në fillimet e veta eci shumë mirë por kam rreth 10 vite qëkur ra kriza që kishte nevojë për likuiditet, njerëzit nuk paguanin etj. U detyrova si çdo biznes që detyrohej të mbijetonte, të merrja kredi. Kam kontaktuar fillimisht me një bankë e cila e shtrin aktivitetin në Shqipëri, ku për çdo produkt të importuar vendosja kolateral produktet e importuara. Ka rreth 5 vite që një kredi nuk e kam shlyer, por si kolateral kam vendosur produktet e importuara në kohën e importimit kur mora kredinë. Shuma e kredis ishte 100000 Lek të reja, ndërkohë, pajisjet e importuara kishin vlerën 400000 lek të reja. Në mënyrë të çuditshme erdhi Zyra e Përmbarimit dhe kërkoi të ekzekutonte pronat e babait tim, me pretekstin se këto janë vendosur kolateral, ndërkohë që unë kolateral nuk kam vendosur këto prona, por pajisjet që ju thashë. Jam informar nga dokumentet se kontratat e hipotekimit i ka firmosur vëllai im në emër dhe për llogari të babait si person i besuar, pa patur akt përfaqësimi. Pyetja ime është si të shpëtoj pronat e babait të vendosura si kolateral?
Av. Alban Duraj, “Duraj Lavv Firm”, email: info@durajlavv.com, Tel. ++35544532512: – I nderuar zoti Asllan, më vjen shumë keq për atë që ju ka ndodhur, por këtu sistemi bankar lë për të dëshiruar, pasi shpeshherë, punonjësit e bankës abuzojnë dhe kontratat nuk bëhen në formën e kërkuar nga ligji.
– Përsa i përket rastit tuaj konkret, më lejoni të bëjmë një analizë se cili mund të përfaqësojë dikë tjetër për të kryer një veprim juridik të vlefshëm?
– Me përfaqësimin e një personi (përfaqësuesi) kryen, brenda tagreve që i janë dhënë nga ligji, nga prokura ose nga gjykata, veprime juridike në emër e për llogari të një personi fizik ose juridik tjetër (i përfaqësuari). Përfaqësimi nuk lejohet kur veprimi juridik, sipas ligjit, duhet të kryhet nga vetë personi. Nuk mund të veprojë si përfaqësues personi që nuk ka zotësi të plotë për të vepruar.
– Tagret e përfaqësimit ligjor caktohen nga dispozitat e ligjit që i japin këtë cilësi, ndërsa tagret e përfaqësuesit të emëruar nga i përfaqësuari caktohen me prokurë. Tagret e përfaqësuesit mund të nxirren edhe nga rrethanat, në të cilat kryhen veprimet juridike-përkatëse.
Veprimet juridike të kryera nga përfaqësuesi, brenda tagreve që i janë dhënë, krijojnë pasoja drejtëpërdrejt për të përfaqësuarin. Përfaqësuesi nuk mund të kryejë veprime juridike në emër të të përfaqësuarit as me veten e tij dhe as me persona të tjerë të përfaqësuar prej tij, përveç kur i përfaqësuari e ka lejuar këtë shprehimisht, ose kur përmbajtja e veprimit juridik nuk cënon interesat e tij. Çfarë do të kuptojmë me përfaqësim me prokurë?
– Prokura është dokumenti në të cilin i përfaqësuari, me vullnetin e tij të lirë, ka përcaktuar karakterin dhe vëllimin e tagreve që i ka dhënë përfaqësuesit. Prokura është e përgjithshme kur i përfaqësuari i ka dhënë përfaqësuesit tagre për të kryer veprime juridike të shumëllojshme, të cilat kanë të bëjnë me një tërësi të drejtash të të përfaqësuarit, përveç atyre që i ka përjashtuar shprehimisht. Prokura është e posaçme kur i përfaqësuari i ka dhënë përfaqësuesit tagrin për të kryer një ose disa veprime juridike të caktuara, që karakterizohen nga një qëllim i përbashkët.
– Pra, në rastin tuaj, vëllai juaj nuk ka patur tagre për të firmosur lidhur me pronat që ka babai juaj. Pra, nuk ka patur një dokument të shkruar se babai juaj ka autorizuar vëllain për të kryer këtë veprim juridik. Jemi përpara kushteve të pavlefshmërisë së kontratës së hipotekimit. Babai juaj duhet t’i drejtohet Gjykatës së Rrethit Gjyqësor ku të kërkojë pavlefshmërinë e kontratës së hipotekimit.