E dimë që ju pëlqen Adelina sepse të qenit e bukur, provokuese dhe intriguese është një rol që kjo vajzë është gatuar për ta luajtur. Kush më mirë se ajo e bën muzikën të duash edhe thjesht ta shohësh, duke mos lënë mënjanë edhe tingujt e ëmbël, produkt i produksionit “Zapp and Criss” me të cilat këngëtarja ka disa bashkëpunime, përfshirë edhe këtë të fundit?! Në këtë intervistë, Adelina vjen jashtë petkut të këngëtares, vjen si Adelina, me erën e saj…
Mia Buci: – Adelina, në ç’version të sjell kënga “Erën e saj”, në bashkëpunim me Rob Daddy-n?
Adelina Berisha: – Pikërisht në stilin tim. Kënga “Erën e saj” është kënga që i përket tërësisht stilit që unë dua të përfaqësoj.
– Çfarë arome mban tani që po flasim?
– Victoria Secret. (Buzëqesh)
– Cila është kënga që ka nxjerrë më të mirën nga ti dhe që të identifikon më tepër në të gjitha elementet e saj?
– Kënga “A dalim”. Mendoj se ajo është kënga që më kompleton mua si artiste.
– Diçka që do të doje ta ndryshoje në mënyrën si funksionojnë gjërat në muzikë aktualisht?
– Ka shumë gjëra në tërësi sa nuk di nga t’ia filloj më parë. Shpresoj që gjërat të vijnë duke u rregulluar gradualisht.
– Ke bërë një këngë për të cilën je penduar?
– Nuk do ta thoja një gjë të tillë. Të gjitha janë okej.
– Kush i ka vendosur “rregullat” në karrierën tënde?
– Deri më tani, unë me nënën time dhe besoj se kështu do të vazhdojë për shumë kohë.
– Ndonjë gjë interesante që po ndodh në jetën tënde së fundi…
– Suksesi në karrierë është gjëja më interesante që ka ndodhur dhe që vazhdon të ndodhë akoma. Për këtë jam shumë e lumtur dhe mirënjohëse.
– Kur kthehesh në shtëpi e lodhur, e mërzitur ndoshta, është dikush që të ofron shpatullën e tij dhe që të masazhon këmbët?
– Babi im është ai që më ledhaton gjithmonë.
– Si ndihesh kur e sheh veten thuajse në çdo revistë e gazetë, me thashetheme nga më të ndryshmet?
– Unë jam mësuar me këto gjëra, thashethemet nuk më bëjnë më përshtypje.
– Çfarë duhet dhe çfarë bën që të zgjosh interesin e të tjerëve?
– Asgjë tjetër përveçse duke qenë kjo që jam.
– Çfarë do ta bënte Adelinën të skuqej?
– Nuk e di, varet nga situata, nga rrethanat, nga njerëzit që më rrethojnë…
– Një lajm i mirë që ke dëgjuar?
– Liberalizimi i vizave ka qenë një nga lajmet më të gëzueshme për të gjithë ne.
– Një person, energjia e të cilit të përfshin?
– Motra ime.
– Nëse do të të lihej në dorë arredimi i një dhome gjumi, apo dhome ndenjeje, cilat do të ishin shijet e tua?
– Oh, këtu ka shumë për të thënë, por një nga elementet që mua më pëlqen shumë në dekorimin e shtëpisë janë dritat, kështu që është e sigurt se do të kishte shumë drita romantike. (Buzëqesh)
– Për çfarë do ta doje edhe një shans?
– Për diçka personale, që do të doja të mbetej e tillë.
– Kujt do të doje t’i thoje: “Ti nuk je vetëm”?
– Familjes sime. Çdonjërit prej tyre.
– Çfarë do ta shëronte botën?
– Respekti për njëri-tjetrin, për hapësirat e tjetrit.
– Kur ka qenë hera e fundit që ke qarë me lot gëzimi?
– Nuk po më kujtohet një rast.
– Për çfarë do të vriste Adelina?
– Për asgjë.
– Cili është tipi i mashkullit që nuk do të doje ta humbje për asnjë arsye?
– Tipi i sinqertë.
– E ke gjetur tashmë?
– Jo. Kur ta gjej, do t’jua them.
– Çfarë nuk e ke kuptuar dhe nuk do ta kuptosh asnjëherë sa u përket meshkujve?
– Shumë gjëra.
– Cila është këshilla më e vlefshme që të kanë dhënë?
– Ji vetvetja.
– Për çfarë të kanë gjykuar gabim dhe që, po të të njihnin më mirë, do ta mendonin ndryshe?
– Tani nuk më kujtohet.
– Në cilat çështje vë në punë mendjen dhe në cilat, zemrën?
– Në punë vë mendjen, kurse në çështjet personale, zemrën.
– Je ndjerë ndonjëherë e ndjekur dhe e përndjekur nga dikush? Çfarë ke bërë apo do të bëje në një rast si ky?
– Jo, asnjëherë, fatmirësisht. Nuk di si do të sillesha në një rast të tillë.
– Nga grimi tek ushtrimet, cilat janë sekretet e tua të vogla për të qenë në formë?
– Të dyja këto bashkë dhe shumë të tjera.
– Kur e shikon veten një mami me një bebe në krahë?
– Në të ardhmen, kismet.
– Çfarë po ndodh tani në ambientin ku ti ndodhesh?
– Jam në dhomën time, është ambient i qetë.
– Vendet dhe eventet ku të pëlqen të jesh e pranishme?
– Ato të rëndësishmet.
– Historia më e bukur, shkëputur nga një udhëtim jashtë?
– Udhëtimet për mua janë të lodhshme, por e bukura janë koncertet me shumë njerëz.
– Shqisa më e rëndësishme për ty?
– Të gjitha së bashku, duke nisur që nga shikimi e deri te prekja.