Një shofer autobusi është vrarë dhe tre njerëz të tjerë janë plagosur nga një meteorit në Indi. Nëse konfirmohet rënia e këtij meteoriti, kjo do të ishte vdekja e parë nga mbeturinat që bien nga qielli në afro 200 vjet!
Shpërthimi i ndodhur në fakultetin e inxhinierisë, në juglindje të shtetit indian të Tamil Nadusë, ka lënë një krater të vogël dhe ka thyer xhamat e dritareve. Kryeministrja e shtetit, Jayalalithaa Jayaram, tha se meteoriti ra brenda oborrit të universitetit. Një person pësoi dëmtime serioze dhe vdiq gjatë rrugës për në spital. Familjes së viktimës i është dhënë një shpërblim 1300 euro. Shoferi i autobusit po rrinte në një vend me bar afër mensës së universitetit kur u godit, ndërsa u plagosën edhe dy kopshtarë dhe një student. Në skenë u gjend një gur blu i errët, që ngjante me një diamant. Zyrtarët e qeverisë në fillim menduan se ishte një shpërthim i shkaktuar nga disa mbeturina eksplozivësh që ishin përdorur për ndërtim, por nuk u gjetën shenja të kësaj. Një zyrtar lokal tha se nuk u gjendën prova të materialit eksploziv, ndaj u mendua se duhet të ishte një meteorit, gjë që nuk është konfirmuar 100%, pasi një ekip i Institutit Indian të Astrofizikës pritet të vizitojë sitin për të marrë mostrat. Drejtori i shkollës tha: “Ishte një tingull të cilin nuk e kishim dëgjuar më parë. Nuk kishte erë, as zjarr, asgjë”.
Vdekja e fundit nga meteoriti ka ndodhur në vitin 1825. Simon Guduin, një ekspert astrofizikan i universitetit të Shefildit, në Angli, tha se vdekjet nga meteoriti janë të rralla, sepse shkëmbinjtë zakonisht digjen kur kalojnë nëpër atmosferën e Tokës, ose bien në oqean dhe në vende të humbura. Në vitin 2013, një meteorit shpërtheu mbi Rusinë qëndrore, duke shkaktuar rënien e një shiu të zjarrtë mbi një zonë të gjerë dhe duke krijuar një valë ajri të fuqishme që theu xhamat e dritareve, dëmtoi ndërtesat dhe plagosi 1200 njerëz.