Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Është zbuluar një asteroid me madhësinë e një mali
Landfilli i Sharrës, një minë me sahat, në portën e kryeqytetit  Nga: Arlis Alikaj (Librazhd)
Fasule pikante me mish

Landfilli i Sharrës, një minë me sahat, në portën e kryeqytetit  Nga: Arlis Alikaj (Librazhd)

arlis 1 arlis 2 arlis 3 Jemi në vitin 2015 dhe Shqipëria sapo ka marrë statusin e vendit kandidat për në BE, por sa larg dhe sa afër Evropës jemi ne? Thuhet se një vend e tregon se sa evropian është, nga mënyra se si i menaxhon mbetjet e tij urban … Por, si i menaxhon Shqipëria e sotme mbetjet e saj urbane dhe jo vetëm? Për këtë, më mirë se kushdo flet Sharra dhe landfilli i saj që, aktualisht, duhet të përballojë grumbullimin e mbetjeve urbane të qytetit të Tiranës, si dhe trajtimin e tyre… Landfilli i Sharrës, sot, në vitin 2015, vazhdon të jetë pjesë e një projekti të papërfunduar. Sipas drejtuesve, viti 2013 ka qenë një vit me bilanc negativ për këtë landfill, pasi shërbimi aktual realizohet i fragmentuar dhe i nënkontraktuar nga një numër relativisht i lartë operatorësh privatë, të cilët nuk kanë eksperiencën e duhur dhe fatkeqësisht, nuk i respektojnë standardet e kërkuara për këtë proces. Fatkeqësisht, bashkia, në kompetencën e së cilës është projekti, nuk bën asgjë për ta përmirësuar gjendjen, përveç pak zhurme në media…

Në relacionin e saj, Bashkia e Tiranës thotë se “afati kohor i parashikuar për landfillin e Sharrës, parashikonte një limit kohor shfrytëzimi deri në 7 vjet”. Duke llogaritur kohën kur ky landfill ka filluar të shfrytëzohet, rezulton se koha e mbetur mund të shkojë maksimumi deri në fund të vitit 2014-2015, por… Ku jemi me investimet?

120 mijë dollarët e IFC për konsulencë në menaxhimin e mbetjeve, për grumbullim, depozitim, shkatërrim të tyre në dorë të Bashkisë së Tiranës, me sa duket ishin thjesht një arsye më shumë për të treguar në media se po punohet, ndërkohë që gjendja në Sharrë nuk është thjesht në pikat e saj të fillimit, por më keq se kaq. Kushdo që do të shkojë në këtë vend, nuk do ta ketë të vështirë të vërë re menjëherë, në radhë të parë një mungesë të madhe mjetesh motorrike për mbulimin e punës së madhe, të cilën e kryejnë modestisht, nëse do të tregohemi të kursyer me termat, disa punonjës, të cilët, pa dashur të identifikohen, thonë se ajo çka kërkojnë e marrin nga kjo punë, është një pagë modeste, për të mbajtur familjet… Sa më shumë sesa “modeste” prisni të jetë puna e këtyre punëtorëve? Por, le të mbetemi te mjetet… në landfill është në dispozicion vetëm një fadromë! Se si mund të menaxhohen mbetjet e kryeqytetit tonë me mbi 1 milion banorë në këtë mënyrë, këtë nuk mund ta thonë as personat përgjegjës në bashki, të cilët nuk pranojnë të prononcohen për problemet me të cilat përballet landfilli… Aty derdhin plehrat e tyre dhe menaxhohen mbetjet urbane të rreth 20 komunave dhe depozitohen në një muaj, mbi 30 mijë ton mbetje organike dhe inorganike. Ekstrakti i plehrave, është një sipërfaqe ujore që në gjuhën profesionale quhet shllam. Vetëm dy vjet pas krijimit të landfillit, këtij ekstrakti iu bënë analizat për të monitoruar përmbajtjen e lëndëve te dëmshme.

Advertisement

Një nga pjesëtarët e këtij grupi, Ali Coka, deklaron se laboratori ka arritur në përfundimin se shllami përmban mbi 15 metale të rënda, të cilat nuk duhet të ishin në përbërje të tij, pasi transformohen në lëndë kancerogjene. Sharra më së shumti sot shërben thjesht si një vend depozitimi pa një ndarje të mirëfilltë të plehrave, që është në fakt A-ja në procesin e grumbullimit të mbetjeve. A mund të flasim paskëtaj për menaxhim dhe përpunim të tyre? Problem tjetër midis 1001 problemeve është dhe impianti thuajse i dalë nga funksioni, për të cilin, çuditërisht, dëgjojmë shprehjen më të zakonshme që mbulon paaftësinë apo mungesën e predispozitës për të përmirësuar situatën: “Nuk ka fonde”.

Kryeqyteti derdh 700 tonë në ditë plehra në këtë fushë, ku mbetje spitalore janë mbi 1 milion. Sipas ligjit për trajtim të mbetjeve spitalore dhe dispozitat e lidhura me to, mes të cilve edhe ajo për mbrojtjen e mjedisit (Ligji Nr 8904, Ligji Nr.8934), botuar në fletoren Zyrtare me 26 Nëntor 2010, kur mbetjet spitalore duhet të transportohen për t’u trajtuar në vend tjetër, magazinimi në terren i tyre bëhet në një zonë të caktuar në brendësi apo në afërsi të vendeve të trajtimit, apo të pikave të nisjes, duke përmbushur kërkesat e mëposhtme: Të lejohet hyrja vetëm e personave që kanë kualifikim për të administruar mbetje spitalore Të tregohet kujdes për sigurinë e kontejnerëve, të parandalohen rrjedhjet, të sigurohet mbrojtja nga uji, shiu dhe era, si dhe të shmangen kushtet e inkubimit mikrobik dhe/ose të dekompozimit të tyre. Mbetjet njerëzore, shtazore apo të ndonjë gjallese tjetër të magazinuara për më shumë se 24 orë, por gjithsesi më pak se 48 orë nga ambalazhimi, duhet të ruhen në frigorifer ose hapësirë frigoriferike që përdoret vetëm për mbetjet spitalore në një temperaturë jo më të lartë se 10°C. Të jenë ndërtuar me materiale të qëndrueshme dhe pa kënde, që pastrohen lehtësisht, që nuk lejojnë depërtimin e lëngjeve dhe të jenë rezistentë ndaj parazitëve e agjentëve të tjerë mjedisorë. Të mbahen pastër në kushte të mira sanitare dhe në gjendje të mirë funksionale.

Mbetjet të jenë të etiketuara në mënyrë të dukshme me simbolin ndërkombëtar të biorrezikshmërisë të paraqitur në shtojcën 2.A dhe me njoftime të rrezikut në dyer, porta ose mbulesa, frigoriferë dhe kontejnerë të tjerë që tregojnë përdorimin e magazinës për mbetje spitalore, ku hyrja e personave të paautorizuar është e ndaluar…” Këto dhe të tjera dispozita të trajtimit të mbetjeve të rrezikshme spitalore, që duken si një idealizëm nëse merr parasysh kushtet e vërteta të trajtimit të tyre në landfill, të vënë përpara një të vërtete të frikshme: Çfarë po ndodh sot me ne dhe, çfarë pritet të ndodhë nesër? Sharra, jo vetëm që nuk i përmbush kriteret teknike për trajtimin e këtyre mbetjeve të rrezikshme, por nuk plotëson as më minimalin prej tyre. Në vend mund të shikosh traktorë të ndryshkur që kushedi prej sa kohësh janë jashtë funksionit dhe që punonjësi të thonë se… nuk ka fonde për t’i mbushur me naftë ata dhe makineri të tjera… Le të ndalojmë pak te punëtorët, që punojnë në kushte mesjetare, madje ndërsa i sheh kushtet e tyre të punës, të duket herezi të ngresh problemin e dietave të domosdoshme që u duhen përcaktuar nga shteti, si një nga kushtet bazë për të përballuar një punë me një ndotje të tillë kimike e të ekspozuar ndaj sëmundjeve kancerogjene. Kushtet e punës janë shumë të vështira dhe, si për ta plotësuar kuadrin e kësaj pikture të zymtë, vë re se pjesa më e madhe e tyre janë romë, sepse, si për ironi të fatit, vetëm ata mund ta bëjnë punën me aq pak sa paguhen dhe, ç’është më ironikja, ata mund ta konsiderojnë edhe “fitimprurëse”, pasi këtu kanë mundësi të bëjnë punën e tyre “part time”, të mbledhin kanaçe (!) Ju duket se po flasim për një vend imagjinar? Jo, është pikërisht porta për t’u futur në kryeqytetin shqiptar, fatkeqësisht…

Sharra është në ngërç dhe pak investime që janë bërë, kanë qenë benefite të një projekti nga qeveria italiane. Grumbullimi pa kriter i tonelatave mbetjesh inorganike dhe organike në landfillin e Sharrës, po sjell një dekompozim të tyre nga i cili krijohet një ekstrakt shumë i rrezikshëm, shllami për të cilin folëm më lart. Ali Çoka, president i Shoqatës Bioplan na konfirmon gjithashtu se sistemi i filtrimit të këtij ekstrakti nuk funksionon, shllami vazhdon të vërshojë në prurje të luhatshme nga 5 deri në 6 litra në sekondë jashtë vaskës së fitodepurimit, e cila nuk ka përfunduar ende dhe është pikërisht ky “produkt” vdekjeprurës që përzihet me ujërat nëntokësore dhe merret me vete nga lumi Erzen, i cili ndjek rrjedhën për t’u derdhur më tej në detin Adriatik. Ka shumë banorë që edhe peshkojnë gjatë këtij lumi, ka shumë bagëti që pinë ujë në të… duke rritur rrezikshmërinë te blerësit. Situata është tepër alarmante dhe kaotike prandaj duhet veprim i shpejtë se përndryshe Sharra, do të pushtohet nga kaosi e do jetë skandali i radhës, me pasoja të parikuperueshme për të gjithë ne. Si mund të ishte fitimprurës ky projekt? Nëse do të kishte një mirëmenaxhim të këtij landfilli, ai, përveçse i dobishëm për një qytet metropol dhe për popullsinë e tij, do të ishte edhe fitimprurës, fitime që më së paku mund të financonin kostot e tij, apo një pjesë të tyre.

Biogazi që del nga përpunimi i mëtejshëm i plehrave, mund të shitet shtrenjtë pas përpunimit, por më sa duket, nuk mund të flasim për “produkte” të përpunimit, kur ne nuk marrim parasysh as përpunimin… Aktualisht, ky landfill e ka kaluar periudhën e përcaktuar për të shërbyer si i tillë dhe tani, mund të quhet me plot gojën një kazan i madh plehrash në portën e qytetit, një minë me sahat, që pret të shpërthejë nga momenti në moment me një zhurmë të papërballueshme. Pak nga pak, ajo ka shpërthyer, por zhurmën e saj nuk e dëgjojnë veshët “e duhur”, që me sa duket, janë të shurdhër… Këtë më së shumti e vuajnë banorët e zonës afër (Kombinatit) dhe të Tiranës që nga ndotja e ajrit e deri te depërtimi i helmeve nëntokë, në ujërat e qytetit. Sipas Ministrit të Mjedisit, Shqipëria duhet të ndjekë politikat e shteteve europiane, që mbetjet t`i nënshtrohen riciklimit dhe jo groposjes së tyre në landfille (Në fakt, në kushtet e sotme, në Sharrë as për groposje nuk mund të flitet!). Sipas Ministrit, ligji për importin e mbetjeve është sipas standardeve europiane, por si gjithmonë, as ministri dhe askush tjetër nuk kalon përtej këtyre fjalëve, për të shpjeguar se pse, sot dhe gjithmonë ka mangësi në bërjen realitet të premtimeve kaq të bukura për një Shqipëri evropiane për ne të gjithë? Pse flitet për ligje evropiane, por nuk na shpjegohet kurrë se pse askush nuk i vë në zbatim ato?

Deri kur çfarë kemi në letër, do të mbetet thjesht aty, pa patur fatin për t’u vënë në zbatim? Kjo është një pyetje së cilës nuk i përgjigjet askush dhe për të cilën na takon të gjithëve ta ngremë zërin dhe të kërkojmë, më së paku, të drejtën tonë për të jetuar si qytetarë të një vendi që i respekton qytetarët, si njerëz, mes njerëzish, si pjesë e këtij mjedisi, që duhet respektuar e kujdesur, sepse kjo është shtëpia jonë…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Është zbuluar një asteroid me madhësinë e një mali

Next Post

Fasule pikante me mish

Advertisement