– Doja të dija nga doktoresha juaj gjinekologe diçka për mykozën vaginale, sepse shpesh më del vajza me këtë lloj infeksioni dhe jam e shqetësuar për të. Nga se i vjen ky infeksion, sepse ajo nuk është as e martuar?
Dr. Elida Tepelena, obstetër-gjinekologe: – E nderuar zonjë, ju nuk më thoni moshën e vajzës suaj dhe nëse këtë lloj diagnoze ia ka vënë mjeku, apo e supozoni ju vetë me mendjen tuaj, ndaj për letrën tuaj do t’ju jap një informacion të përgjithshëm përsa i përket mykozës vaginale. Mykoza vaginale është inflamacion i vaginës, i karakterizuar ky nga irritimi i vaginës, kruarje dhe rrjedhje vaginale. Ka shumë femra që prekn nga mykoza vaginale dhe të gjitha pohojnë që të paktën një herë në jetën e tyre e kanë kaluar një infeksion të tillë. Mykoza vaginale nuk konsiderohet një sëmundje seksualisht të transmetueshme, megjithëse infeksioni përhapet nëpërmjet rrugëve gjenitale. Femrat që preken nga mykoza vaginale kanë këto shenja:
– Ndjesi djegieje sidomos gjatë urinimit dhe gjatë marrëdhënieve seksuale.
– Skuqje dhe enjtje të vulvës vaginale.
– Kruarje dhe irritim të vaginës.
– Dhimbje vaginale dhe tensionim të indeve përreth.
– Sekrecione nga vagina që mund të jenë të trasha, të bardha, të holla, pa erë etj.
Nëse nuk trajtohet mykoza vaginale, këto simptoma që përmendëm më sipër mund të vijnë duke u përkeqësuar si: skuqje e fortë e shoqëruar me enjtje dhe kruarje që çojnë gjer në irritim apo plagë sipërfaqësore. Infeksioni mykotik shkaktohet nga candida, një mikroorganizëm i pranishëm normalisht në vaginë së bashku me baktere të tjera. Vagina përmban laktobacili i cili pengon mbirritjen e mykut në vaginë. Nëse prishet balanca e këtyre organizmave, në vaginë do të ketë rritje të mykut. Shkaktarët e shfaqjes së mykozës vaginale mund të jenë të ndryshëm, si: përdorimi i antibiotikëve pa kriter dhe në periudhë të gjatë dhe pa vitaminat shoqëruese (kjo çon në prishjen e pH-së të vaginës). Mykoza vjen shpesh dhe nga pecetat që blihen dhe përdoren në periudhën e menstruacioneve, nga larja e vaginës me solucione me përbërje kimike, nga sëmundje të brendshme siç është diabeti i pakontrolluar, nga përdorimi i kontraceptivëve etj. Pra, në momentin që prishet balanca e lëngjeve mbrojtëse që përmban vetë vagina, shfaqet mykoza vaginale. Në këtë rast, vajza duhet të bëjë një vizitë gjinekologjike të hollësishme, një ekzaminim të sekrecioneve vaginale dhe në bazë të shkallës së infeksionit do të marrë mjekimin e duhur dhe shërohet. Përveç kësaj, në këtë periudhë ajo duhet të mbajë një higjienë të lartë intime. Ç’është më kryesorja, këshilloj që në periudhën e menstruacioneve të përdorë peceta të bëra në shtëpi. Këtë ua këshilloj të gjitha femrave kur kanë probleme të tilla. Pecetat, kur të lahen, duhen zier më vete dhe jo bashkë me rrobat e pjesës tjetër të familjes. Uroj t’ju kem ndihmuar sadopak.