Lajme emocionuese na vijnë nga fusha e mjekësisë që merret me diagnostikimin e kancerit… Qendra “We speak Science” pranë Universitetit të Harvardit, njofton se, më në fund, kanceri mund të zbulohet nga vetëm një analizë gjaku.
Shkencëtarët nga universiteti Umea, në bashkëpunim me shkencëtarë nga universiteti i Masaçusetsit dhe nga Holanda, kanë kryer një studim me anë të të cilit ata zbuluan praninë e kancerit me një saktësi prej 96% dhe po ashtu bënë identifikimin e vendndodhjes së tij me një saktësi prej 71%. Kjo bëhet e mundur duke analizuar ARN-në e trombociteve të gjakut.
Me sa duket, trombocitet nuk janë të përfshira vetëm në procesin e koagulimit të gjakut. Ato luajnë një rol të madh në marrjen e proteinave dhe ARN-së nga qelizat tumorale. Ky fakt i udhëzoi shkencëtarët në këtë studim me tezën që ARN-ja e qelizave tumorale e pranishme në trombocite mund të përdorët për të zbuluar dhe identifikuar praninë e kancerit.
Studiuesit analizuan 283 mostra gjaku, ku 228 individë kishin kancer dhe 55 nuk kishin të dhëna për praninë e kancerit. Ata ia arritën qëllimit për të analizuar profilin e ARN-së së njerëzve me kancer me anë të të cilit identifikuan praninë e kancerit me një saktësi prej 96%. Lajmi më entuziast është që testi po ashtu ishte në gjendje të identifikonte lokalizimin e kancerit me një saktësi prej 71%, si edhe të zbulonte kancerin në stadet e hershme të tij, me mundësi të klasifikimit të llojit të tij me një saktësi prej 100%.
Doktori onkolog, Xhonas Nilson, i universitetit të Umeas, deklaroi që mundësia e zbulimit të hershëm të kancerit nga një pikë gjaku është me vlerë jetësore. Ai është optimist që në të ardhmen, biopsitë që kanë për bazë gjakun, të përbëjnë një potencial gjigand në diagnostikimin e kancerit në stadet e hershme.