Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Altin Marku: Ajo është princesha ime

Tre persona në Shqipëri mund të luajnë rolin e Edi Ramës: ai vetë, Florian Binaj në “Portokalli” dhe Altin Marku në “Al Pazar”. Ky i fundit ka dy vite që nuk është më pjesë e këtij shou, pasi po jeton në Zvicër, por e pranon se e ka marrë malli për këtë rol. “Po,  m`ka marrë malli ta bëj rolin e Ramës, sepse në atë rol pothuajse jam vetvetja, e bëj me qejf. Pavarësisht problemeve që ka Shqipëria dhe shqiptarët, unë jam shumë krenar për Edi Ramën…”. Por Altini, aktualisht, ka një mision akoma më të madh, një shou për të gjithë shqiptarët që jetojnë e punojnë jashtë territorit të vendit të tyre, kryesisht në Zvicër. Shou “Fol Shqip” do të vijë nën idenë dhe regjinë e Altinit, i cili do të jetë edhe aktor. Shumë surpriza nga Altin Marku, i cili është bërë dhe babai i një djali të mrekullueshëm…

 

– Altin, u bënë disa sezone që je larguar nga “Al Pazar”-i. Ku ke qenë gjatë gjithë kësaj periudhe?

Advertisement

Eh, u plakëm! (Qesh) “Al pazar”-i ishte një eksperiencë e bukur dhe ia kam kaluar mirë aty. Skena është e shenjtë për mua dhe gjithmonë jam munduar të jap maksimumin, pavarësisht se e mira s`ka fund. Kam aktruar edhe para se të hyja në “Al Pazar”, por ai ishte specializimi, duke punuar me aktorë të mëdhenj si Agron Llakaj dhe Behar Mera. Po bëhen dy vjet që jam larguar nga “Al Pazar”-i dhe më mungojnë kolegët e mi, por njeriu mundohet gjithmonë për më mirë.

– Nuk na e ke thënë asnjëherë publikisht përse u largove…

– Nëse s`e kam thënë asnjëherë, as tani s`po e them! (Qesh) Në fakt, shpirtërisht, jam ende pjesë e “Al Pazar”-it, por fizikisht nuk mund të jem, pasi jeta na i dikton disa rrethana. Unë tani jetoj dhe punoj në Zvicër.

– Të ka marrë malli për rolin e Ramës?

– Kosovarët e kanë një shprehje: “Ta ha zemrën”. Edhe unë Ramës ia ha zemrën, për mua ai është Skënderbeu numër 2. Sa për pyetjen, po, m`ka marrë malli ta bëj rolin e Ramës, sepse në atë rol pothuajse jam vetvetja, e bëj me qejf. Pavarësisht problemeve që ka Shqipëria dhe shqiptarët, unë jam shumë krenar për Edi Ramën, për përpjekjet dhe punën që po bën, duke marrë parasysh se ne shqiptarët nuk bëhemi kollaj…

– Gjatë kësaj kohe ke marrë oferta për të qenë pjesë e ndonjë shou?

– Kam pasur shumë oferta si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, por s`kam patur asnjë moment kohë për t`u marrë me diçka tjetër përveç projektit tim. Gjatë këtyre dy viteve po merrem me një projekt për shqiptarët në Zvicër, në diasporë, deri në Amerikë.

– Pse vendose të jetoje pikërisht në Zvicër? Edhe Shqipëria Zvicër me det është…

– Zvicra nuk ka det, ka liqene dhe mua më pëlqejnë më shumë liqenet sesa detet. Vendosi Zoti dhe rrethanat që të jetoj në Zvicër, nuk vendosa unë.

– Si është Zvicra në sytë e një shqiptari?

– Zvicra në sytë e mi është një parajsë e vërtetë, të jep çdo mundësi dhe plotëson çdo dëshirë, gjithmonë për njerëzit që e duan punën.

– Ke ndërmend të kthehesh të jetosh në Shqipëri?

– Këtu s`kam përgjigje, jeta ka të papritura. Ndoshta edhe kthehem, rëndësi ka që kudo që të jesh e kudo që të shkosh, të ndjehesh mirë dhe të punosh.

– Ke pasur ndryshime rrënjësore në jetën tënde. Je bërë baba… Si po e përjeton?

– Ah, s`kam fjalë! Ndjenja më e bukur në botë. Faleminderit Zotit për gjithçka. Lëre që kam një djalë të mirë, por edhe vetë jam një baba i mirë. Merrem shumë me djalin tim, Ersin, madje do të hap një kurs edhe për baballarët e tjerë. Të gjithë të interesuarit që duan të mësojnë si ta ushqejnë fëmijën, si ta lajnë, si ta veshin, si t’ia ndërrojnë pelenat, të vijnë tek unë! (Qesh)

– Po për mamanë e djalit, ç`mund të na thuash?

– Ajo është princesha ime dhe mbretëresha e djalit tim!

– Viti 2015 të solli djalin. Për vitin 2016, siç duket, ke të tjera plane të mëdha…

– 2015-a nuk zëvendësohet me asgjë! 2016-a sapo ka filluar dhe uroj të jetë viti i punës dhe i sukseseve, në mënyrë që të jem i qetë dhe, nga fundi i vitit, t`ia nis punës për një djalë tjetër. Bëj shaka… Për 2016-ën ia kemi nisur punës për projektin më të madh në diasporë, për shoun “Fol shqip”.

– Nga të lindi ideja për këtë shou?

– Ideja më lindi kur pashë që ka mbi 350 mijë shqiptarë në Zvicër dhe nuk kanë një emision televiziv për t`u argëtuar dhe për t`u relaksuar, pas gjithë asaj pune dhe lodhjeje. Shou është realizuar në Zyrih dhe do të transmetohet në RTK Kosovë. Jemi në bisedime edhe me një televizion lokal këtu në Zvicër, meqenëse janë të interesuar për një projekte shqiptare të këtij lloji. Gjithçka do të jetë produkt diaspore, për të nxjerrë në pah shumë njerëz me vlera dhe talente këtu në Zvicër që s`kanë pasur mundësinë t’i shpalosin ato.

– Roli yt në këtë shou?

– Jam ideatori dhe regjisori.

– Kë bërë vajtje-ardhje Zvicër-Shqipëri gjatë kësaj kohe?

– Kanë qenë më shumë Prishtinë-Zvicër.

– Kur mendohet të fillojë transmetimi i tij?

– Kemi filluar xhirimet dhe besoj se shumë shpejt do të fillojmë me trasmetimin.

– Ç`format do të ketë kjo shfaqje?

– Ky projekt, që ka kryesor ruajtjen fuqishëm të traditës shqiptare dhe të integrimit të shqiptarëve, bazohet në 3 pika: shou-emision-komedi.

Pika 1: Do kemi të ftuar në studio nga të gjitha shtresat, duke filluar nga një qytetar i thjeshtë deri te një politikan apo personazhe VIP, për të folur për jetën dhe projektet e tyre.

Pika 2: Do të shkojmë për vizita në shtëpitë e shqiptarëve për të parë nga afër sa e ruajnë traditën shqiptare, sa flasin shqip, sa gatuajnë shqip dhe sa janë të integruar në shtetin ku ndodhen.

Pika3: Ne, aktorët e “Fol Shqip”, të cilët po i lë surprizë, do të xhirojmë mini-filma komikë me karaktere të ndryshme, për të sjellë realitetin dhe dallimet mes shqiptarëve dhe evropianëve. Do të kemi edhe disa surpriza që po ia lë kohës.

– Siç duket, të ka shijuar televizioni dhe nuk do që të shkëputesh prej tij!

– Jo, sinqerisht, dalja në televizor dhe të qenit “VIP” për mua nuk janë interesante. Ai që më  shijon vërtet është aktrimi; aty ndihem rehat.

– Më duket se edhe kënga po të pëlqen po aq këto kohë…

– Po, në fakt jam duke e xhiruar klipin tim. Së shpejti do dalë një super këngë me titull “Fillikat vet”. Pritet të jetë një hit, pasi akoma pa e hedhur në treg, janë interesuar të gjithë DJ-të e diskotekave shqiptare në Zvicër për ta marrë.

– Rritja e mjekrës është kthyer në trend tashmë, edhe nga personazhet publike. Si duket, e ke ndjekur edhe ti…

– Mjekra? E lashë edhe unë një herë, ta shikoja ndryshimin, po do ti, s`po marr guximin ta heq, sepse po më dhimbset! Por, më duhet ta heq sepse ka efektet e veta, negative dhe pozitive; pozitive është që po më pëlqen vetja dhe Adelinës po i pëlqej kështu. Negative: policia po më ndalon më shpesh. Për më tepër, tani më duhet ta heq sepse kam disa personazhe pa mjekër për të interpretuar.

– Për ta mbyllur gëzueshëm, festat e fundvitit ku ju gjetën?

– Në Zvicër kam festuar. Me këtë rast, u uroj të gjithë shqiptarëve një vit të mbarë e të gëzueshëm!

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

2 vjeçari nga Deçani shpallet “Misteri i Vogël i Pavarësisë 2016”

Next Post

Eni Koçi: Po ndërtoj perandorinë time...

Advertisement