– Doktor Agroni, ju lutem, më thoni diçka për sinusitin. A është e vërtetë që nëse nuk ndiqet si duhet, ai të çon gjer në verbim? Unë kam sinusit kronik, por nuk marr gjithmonë mjekim. Përgjithësisht, ai më shfaqet në periudhat kur ndryshon stina. Pres një përgjigje. Faleminderit.
Dr. Agron Islamaj, neurolog: – Në përgjigje të letrës suaj do t’ju thosha se sinusiti është një infeksion i gropave të kokës në nivelin e ballit e të dy faqeve (fronto-maksilar, siç i themi ne mjekët). Shkaqet mund të jenë nga infeksione të tilla si për shembull gripi, infeksionet e dhëmbëve, të veshit etj., por ai mund të jetë alergjik, siç mund të jetë edhe konkretisht te ju. Ky është një infeksion që mjekohet nga mjekët otojatër (pra, ata që merren me mjekimin e sëmundjeve të aparatit të hundëve, veshëve dhe sinuseve), si dhe mjekët alergologë. Vetëm pasi të zbulohet shkaktari, atëherë i duhet nënshtruar mjekimit (qoftë kundra shkaktarit mikrobial, qoftë edhe atij alergjik). Lidhur me pyetjen tuaj nëse jep verbim sinusiti, mund të them se po qe një infeksion i rëndë, siç është ajo që ne e qujmë “sepsis”, pra, mikrobi qarkullon në gjak e helmon me helmet e tij gjithë organizmin tonë, atëherë krahas prekjes së shumë organeve, që janë jetësore (tru, zemër, mushkri, veshka etj.) mund të japë edhe verbim, prandaj nuk duhet ta mendoni këtë gjë në rastin tuaj. Së fundi, një konsultim me mjekët otojatër e alergologë dhe marrja e një mjekimi sa më të saktë, do t’ju kthente në normalitet. Ju uroj shërim të shpejtë.