– Jam 22 vjeçe. U bë ca kohë që kam ankth e panik, por këtë periudhë, ankthin e kam shumë të madh dhe nuk po e përballoj dot. Po më shkatërron si njeri. Kam gati një muaj me dhimbje të tmerrshme koke, me marrje mendsh dhe nuk dal dot jashtë se më duket sikur do të bie nga momenti në moment. Më bëhen sytë me miza, prandaj po shkalloj nga kjo gjendje. Kam frikë të shkoj diku me pushime se kam hall mos sëmurem. Me pak fjalë, kam frikë për çdo gjë. Ju lutem, më jepni një mendim se po shkatërrohem. Kjo dhimbja e kokës, edhe tani që po ju shkruaj është e padurueshme. Megjithëse kam marrë mjekime bimore antidepresive, përsëri nuk shoh ndonjë përmirësim. Po shkalloj, po mbyllem në shtëpi se jam shumë e pafuqishme. Më ndihmoni ju lutem me një këshillë se këtu në Durrës ku unë jetoj, nuk njoh ndonjë psikolog.
Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – E nderuara 22 vjeçare nga Durrësi. Ti i përshkruan shumë saktë gjendjet që të shkaktojnë ankthi e paniku, por më beso se të gjitha këto vijnë nga padituritë e tua për ataket e panikut e ankthin. Nga kjo buron edhe kjo gjendje, të gjitha këto çrregullime trupore e dhimbje, si edhe frika nga sëmundjet. Unë kam shkruar shpesh për këto çështje, pasi 80 % e letërshkrueseve për ankth e panik ankohen, aq sa drejtoresha e gazetës më thotë me shaka “na ke futur në panik me këtë panikun!”… Ju thoni se në Durrës nuk ka psikolog. Në fakt, edhe në Tiranë, psikologët klinicistë numërohen me gishtat e njërës dorë, por sidoqoftë, ja tek është Tirana dhe shumë klientë vijnë shpesh e bëjnë seanca, pasi e mira e të mirave është që seancat të jenë sa më pranë njëra-tjetrës. Megjithatë, po të klikoni në internet, “Intervistën” mund ta gjeni në këtë adresë: www.intervista.al dhe te faqja e Psikologut janë përgjigjet e kaluara të psikologut, ku shpjegohen këto çështje që mund t’i shërbejnë bukur vetëndihmës tuaj. Për të gjitha problemet ju do të gjeni aty njohuritë që ju nevojiten edhe për dhimbjet e kokës, të cilat, në rastin tuaj, si të gjitha dhimbjet që përmendni, nuk janë dhimbje sëmundjesh, por dhimbje “fallco”. Fjalën “fallco” e kam përdorur për të kuptuar ju se asnjë shkak disfunksional apo patologji organesh nuk keni në organizëm, por vetëm reagim, pra, “pseudodhimbje” të cilat sikur lëvizin nëpër trup, por çakordojnë ndjeshëm ekuilibrat, ndaj edhe i shëron psikoterapia bashkë me kurat 100 % bimore. Ju thoni se keni marrë mjekime bimore antidepresive dhe përsëri nuk shihni përmirësime. Varet se çfarë keni marrë dhe ku i keni marrë, pasi reklamat dhe kartonat janë shpesh shumë të bukura, por brenda nuk e kanë atë fuqinë që kanë ilaçet bimore të prodhimit amerikan ose gjerman, të cilat në Shqipëri kanë ardhur me kohë. Nga ana tjetër, varet shumë nga mënyra e përdorimit dhe kombinimi i tyre, pasi ato bëjnë çudira dhe s’kanë asnjë dëm. Vetëm për të ndihmuar raste si ky i juaji u jam përgjigjur disa televizioneve dhe në internet janë hedhur disa intervista të miat mbi ankthin, stresin e depresionin, të cilat më vjen mirë që janë bërë shumë të shikueshme sepse më shkruajnë me mijëra veta të panjohur fjalë falënderuese dhe ky për mua është shpërblimi më i madh. Edhe përmes gazetës më është dhënë mundësia që të bëj, siç thonë fetarët sevap, sipas parimit “lum kujt i jepet që të lehtësojë e të ndihmojë të tjerët”. Këto që përmenda janë bërë për t’u shërbyer njerëzve në distancë, për vetëndihmën, porse ndërhyrja profesionale, pra, psikoterapia është e domosdoshme pasi nuk është aq e lehtë t’i heqësh vetë, ashtu si marrja e “patentës” apo gjuha e huaj që duan “mësues”. Këto siklete vërtet nuk janë sëmundje apo rrezik për jetën, ama ta “nxijnë” jetën pasi të kushtëzojnë ndjeshëm, aq sa tentojnë të të paaftësojnë.
I panikuari provon të tilla ndjesi sikur bota të përmbysej mbi të, ose e ndjen veten në buzë të greminës e mundet që do patjetër një person që ta ketë kudo me vete, pasi i duket sikur do të vdesë, do të mbytet, do të humbë kontrollin, do të çmendet, do të bjerë në depresion apo do t’i bjerë të fikët.
– Edhe vetë familjarët, sidomos në fillimet e tyre, tmerrohen nga këto gjendje dhe frika e tyre e frikëson më shumë personin. Edhe pse kohën e kanë patur të mjaftë për ta vërtetuar se asgjë nga këto nuk ka ndodhur, ata kujtojnë se kanë mbijetuar rastësisht, ose se i ka ndihmuar “fati”, kurse në fakt nuk e dinë se “fati” i vërtetë është se te këta njerëz, të gjitha këto sëmundje përjashtohen, madje simptomat jo vetëm që s’tregojnë sëmundje, por janë tregues për qëndrueshmëri, fuqi reaguese e jetëgjatësi. Duke mos u informuar për këto frikëra, mundet pra që ato t’ju çojnë në disa fobi si, frikë nga pushimi i zemrës, frikë nga çmendja e të tjera dhe vetë fjala fobi do të thotë frikë e tepruar, absurde, e çuditshme dhe që pasohet nga zakoni i keq për t’u trembur nga çdo gjë. Bëhesh e mbindjeshme, dyshuese duke menduar shumë e duke keqinterpretuar ndryshimet në organizesm e stërholluar mendimet, sidomos duke kërkuar pa pushim në internet. Edhe kjo është një fobi me vete e cila quhet saiberkondri.
Pra këtyre njerëzve u bëhet zakon të gjejnë kudo e kurdoherë diçka për t’u shqetësuar. Tregojnë një anektodë të tillë një grua e mbindjeshme, që kudo fliste sikur do të bëhej “qameti” dhe të tjerët po ashtu, vetëm për “qamete” tregonin, sipas temës së saj që ajo nuk e hiqte nga goja. Mirëpo sipas ligjit të Karmës, çdo gjë që “transmeton” të kthehet mbrapsht, ndaj edhe kjo grua me kalimin e kohës u mbyll në shtëpi, tepër e trembur duke i thënë të shoqit e sigurt, që do të bëhej “qameti”. E shoqja kishte shumë frikë dhe nuk rrinte dot asnjë minutë pa të shoqin as në shtëpi. I shoqi i shpiku një marifet: bëri sikur e mësoi nga Njeriu i Shenjtë se kur do të ndodhte kjo dhe fshehurazi vajti me gruan në një zabel e u futen nën një kasolle barinjsh, mbuluar me llamarina. Aty, shokët e tij ishin porositur të gjuanin fshehurazi me gurë e zhavorr pa pushim 2 orë… E shoqja, duke u dridhur e me sytë të mbyllur, çuditërisht “shpëtoi” dhe e largoi frikën nga “kijameti”, i cili iku, kaloi. Por, çfarë ndodhi?! – Ajo nuk i bënte më punët si më parë, ishte mësuar përtace dhe gjente gjithmonë arsye për t’iu shmangur… I shoqi e kuptoi se ajo tashmë ishte mësuar “keq” në zonën e rehatisë, ishte keqpërshtatur, kishte humbur pra aftësitë e mëparshme dhe e inkurajoi, por edhe e detyroi dhe e rifitoi përditshmërinë, pra, edhe gruan e rifitoi…