Propozimi i një Ylli
Në mbrëmjet e verës e vetmuar
Shpeshherë kur qëndroj në ballkon
Shoh qiellin e kaltër të mbuluar
Plot yje që xixëllojnë
Kur drita e hënës, ngadalë bie mbi mua
Një yll i vogël nga lart më shikon
Më buzëqesh, kërkon të flasë me mua
E përshëndes me dorë, i thërras
Por sdi vallë a më dëgjon
Ai papritur e pa u ndjerë
Pranë meje qëndron
Ky yll i dashuruar me mua
Para se të largohet, t’më lërë të vetmuar
Më shpreh plot zjarr dashurinë që e përvëlon
Më lër të të prek, të të përqafoj
Të dëgjoj afshin e frymarrjes tënde
Era e atij afshi gjithnjë
Më tërheq pranë teje
Më bën të puth ato buzë të bukura
Që skuqin nga zjarri i dashurisë
Se sa të dashuruar janë
Ato duan të shprehin
Dhe unë atë e kam kuptuar
Prandaj të të bëj një zog, dua:
T’më ndjekësh nga pas e të shohësh nga lart
Të gjithë njerëzit që ecin në tokë
Të të kenë zili që je e dashuruar me mua!
Qëndroj e heshtur duke e dëgjuar
Dhe menjëherë i përgjigjem:
Mos është e pamundur o ylli im
Midis nesh diçka ka, që këtë dashuri pengon
Ai e kupton reagimin tim
Më përkëdhel lehtë e më përqafon
Më ëmbëlsinë që ai ka, më thotë
Erdhi ora ime të iki, po të lë të mendohesh
Pasi dhe gjumi të erdhi
Po mbyll qerpikët e tua të harkuar
Që poshtë tyre fshehin
Ato sy të bukur të lotuar
Me magjinë e tyre dikë pranë kërkojnë
Magneti që ato kanë dhe mua pranë teje
Çdo natë vere më afron
Natën e mirë, o ëndrra ime! – më thotë ylli
Natën e mirë, o ylli im! – i përgjigjem unë. Marjana Sulejmani (Gjoka)
Moment
I ftohtë jep ndjesinë liqeni sot
Mërzitshëm bari ka marr ngjyrë ndryshk
Ca pata bregut kot vinë vërdallë
Trëndafili i shtëpisë pa ndier u vyshk!
Dielli i përgjumur përton të dalë
Makina të fjetura rrugës shikon
Pemët po zhvishen pa patur turp
Natyra në sofër dimrin e fton.
Ashtu përgjumur ndihem edhe unë
Bile edhe kafeja mezi më bën punë
Kruspull dua të rri në gjirin e natës
Dhe me natën bashkë dua të fle gjumë
Por më shkund mengjesi, ngrihu thotë, s’ka gjumë
Flokët m’i hedh anash, dielli fshehtaz puth
Në krahë e hedh çantën mbushur me momente
Diellit i shkel syrin, jam gati për udhë. Aurora CM
Dashuria në fjalë-art
Preferoj të jem i humbur, përkrah teje dashuri
Se i ditur i k’saj jete që çdo ditë dhëmbët tregon
Dua shpirti im i lodhur të jetë i mbushur veç nga ti
Sepse ti, veç ti i duhesh kësaj bote. Botës sonë!
Ndonjëherë humb nëpër letra e mundohem të ngre lart
Duke i mbyllur sytë mizerjes edhe llumit që sundon
E ti bëhesh më p’rrallore, kur lundron në fjalë-art
Por në fundin e çdo shkrimi, prap’ vë re që ti mungon!
E unë shkruaj, vetëm shkruaj, zgjuar po edhe në gjumë
Për ty, vargjet dashuri sigurisht do jenë pa metër
Ti qëndromë brenda shpirtit, nuk kërkoj asgjë më shumë
Le të shkel në botën tënde e të rroj në një botë tjetër! Bledi Ylli
Vjen me një libër në dorë…
Çdo ditë nga larg i heshtur vije,
Në shi e dëborë, nga një fshat matanë.
Me një libër nën dorë me dije,
Sa i madh më dukeshe, gjigand!
Dashuria për shkronjat te ti,
Ish si nëna kur mban foshnjën në gji.
Me endje na këndoje dhe me lot në sy,
Ndonjë varg të Naimit, a ndonjë poezi!
Ti, mësuesi im zemërmirë,
Sa herë që shkoj në atë shkollë,
Vjen prapë me mëngjesin pa gdhirë,
Ashtu si dikur, me një libër në dorë… Eljona Bramo
Për ty ndjej mall, prapë e prapë
Ti vjen pa ftuar n’shtratin e memories
dhe më bën rrëmujë, për çdo natë
kur hapat në ikje ndihen shëtitores
për ty ndjej mall, prapë e prapë!
Ti vjen e shtrihesh memories sime
pa mend më lë, siç bëjnë shpesh gratë
pastaj ikën pa thënë e ngelesh kujtime
për ty ndjej mall, prapë e prapë!
Ikën e vjen, sa e sa herë
ëndrrat pas teje rendin me vrap
herë bëhesh fllad, herë tjetër erë
për ty ndjej mall, prapë e prapë!
Ti vjen pa ftuar, me hënën n’duar
hapat e tua, lëshojnë tinguj si harpë
turrem pas tyre, fort i penduar
për ty ndjej mall, prapë e prapë! Skender Laze Trebeshina
Faji i askujt
Kur toka prekte këmbët e tua
Unë isha thjesht një tulipan
Prisja të vije ti tek unë
Me erën sillesha anë më anë…
Kur dielli prekte floket e bukur
Ato të tuat, natyrisht
Unë shndërrohesha në flutur
Afërsisë t’i bëja bisht!
Kur heshtja e natës, bashkë na donte
Atëherë të dy bëheshim erë
Kështu dhe mbrëmja na harronte
Por unë e ti? Jo, asnjëherë!
Kur vija unë, ti hapje krahët
Pluhur bëhesha kur vije ti
Jeta në ëndrra-nate s’mbahet
Dhe pa kontakt s’ka dashuri!
Kur i shkel dita e fundit, Majit
Vjen i pranverës, përfundim
Unë kujt t’ia hedh një pjesë të fajit
Se pjesa tjetër ish’ faji im! Bledi Ylli