Jo të gjitha rastet e diabetit të tipit 2 paraqiten me simptomat e zakonshme: Etje të pashuar, vajtje shpesh në banjo dhe mpirje të duarve dhe të këmbëve. Ja disa shenja të tjera që tregojnë se mund të keni probleme me sheqerin në gjak.
- Keni vënë re ndryshime të pakëndshme të lëkurës
Ju mund të keni vënë re njolla me ngjyrë të errët, vjollcë në palat e lëkurës, zakonisht në qafë, bërryla, ose duar, të cilat janë shpesh një shenjë paralajmëruese e nivelit të lartë të sheqerit në gjak. Megjithatë, edhe faktorët gjenetikë, ose ndryshimet hormonale mund të shkaktojnë këtë problem të lëkurës, të quajtur acanthosis nigricans. “Kur vë re këto njolla, gjëja e parë që bëj janë analizat e gjakut të pacientëve të mi, për të parë nivelin e sheqerit në gjak”, thotë doktor Saini, dermatolog. “Insulina e lartë nxit rritjen e qelizave të lëkurës dhe melanina, pigmenti që ndodhet në to, i bën njollat të errëta”. Testi mund të tregojë se pacienti ka diabet, por ka më shumë gjasa të tregojë nivelin e lartë të nivelit të sheqerit, gjë që tregon se pacienti do të sëmuret prej diabetit, shpjegon Saini. Rënia në peshë, qoftë edhe 5 kg, mund të ulë nivelin e sheqerit në gjak dhe të ndihmojë në pakësimin e rrezikut. Gjithashtu, ai thotë se një dermatolog mund ta trajtojë problemin me terapi me lazer, ose krem me retinol A.
- Shikimi juaj përmirësohet papritur
Për fat të keq, heqja e menjëhershme e syzeve mbase nuk është lajm i mirë. “Ju mund të keni lexuar se shikimi i trubullt është një simptomë diabeti, por në fakt, shikimi mund të përmirësohet, ose keqësohet”, thotë doktor Hauard Baum, asistent profesor për diabetin në universitetin Vanderbilt. “Kam pasur pacientë që më kanë thënë se shikimi i tyre është përmirësuar kur niveli i sheqerit ka qenë i lartë dhe pasi kanë filluar trajtimin kundër diabetit, kanë pasur përsëri nevojë për syze”. Çfarë ndodh? Diabeti shkakton lëvizjen e lëngjeve të trupit, përfshi këtu edhe ato në sy, gjë që shpjegon këtë lëvizje të pamjes.
- Keni shumë kruarje
Mendoni se është qesharake të shkoni te doktori për një kruajtje? Jo edhe aq. Diabeti dëmton qarkullimin e gjakut, gjë që shkakton tharje dhe kruarje të lëkurës. “Disa nga pacientët e mi të sapodiagnostikuar thonë se kanë kruarje në duar dhe këmbë. Kjo pra është diçka që doktorët duhet ta marrin në konsideratë, së bashku me simptoma të tjera”, thotë Baumi. Nëse përdorimi i rregullt i kremit hidratues nuk e rregullon kruarjen, thuajani doktorit tuaj.
- Dëgjimi juaj nuk është më si më parë
Nëse e kapni veten duke dëgjuar televizorin me zë të lartë, ose nuk e ndiqni dot bisedën pa u kërkuar njerëzve të përsërisin atë që kanë thënë, thuajini doktorit se keni nevojë të kontrolloni sheqerin në gjak. Një studim i Institutit Kombëtar të Shëndetit në SHBA, sugjeron se humbja e dëgjimit mund të jenë shenjë e hershme e diabetit. Njerëzit që kanë një nivel të lartë të sheqerit në gjak, por pa diabet, kishin 30% më shumë gjasa të kishin humbje dëgjimi, sesa ata me nivele të shëndetshme të sheqerit. Studiuesit mendojnë se diabeti dëmton enët e gjakut dhe nervat në veshin e brendshëm, duke shkaktuar këtë humbje dëgjimi.
- Ju gërhitni si traktor
«Afro gjysma e diabetikëve të tipit 2 kanë probleme me frymëmarrjen që pengon gjumin“, thotë Baumi. Kështu, pra, nëse ju kanë diagnostikuar me këtë sëmundje, të karakterizuar me gërhitjen me zë të lartë dhe përgjumjen gjatë ditës, është mirë të kontrolloni nivelin e sheqerit në gjak. Një studim kanadez i kohëve të fundit tregoi se 23% e pacientëve që vuanin nga një apne e lehtë, ose e moderuar e gjumit, do të sëmureshin nga diabeti brenda 5 vjetëve e gjysmë. Lidhja ende nuk është krejtësisht e qartë, por dihet se pacientët që kanë probleme me frymëmarrjen në gjumë kanë tendencë të lëshojnë hormonet e stresit gjatë gjumit, gjë që mund të shtojë nivelin e sheqerit në gjak.