Kishte kaluar viti 1997 dhe ishte gati mesi i vitit 1998. Mbrëmje, pothuajse fundi i pranverës. Po qëndroja i shtrirë pasi pata mbaruar së shkruari ditarin e mësimit për ditën e nesërme, kur erdhi ime shoqe:
– Mustafa, Mirjeta është sëmurë. Ka temperaturë. Ka edhe të vjella. Si t’ia bëjmë?
Nuk fola. U mendova dhe u ngrita. Vendosa pëllëmbët në tëmthat e kokës dhe fillova të mendohesha ashtu i ulur në divan. Ishte fëmija i tretë dhe që e doja më shumë, ngaqë e pata nisur për djalë, sepse doja të merrja emrin e tim eti. Por, Zoti i madh ma dha flori! Kështu i quaj unë vajzat. Ne nga Shijaku i quajmë vajzat “Kuleta e nënës, babës apo pse jo, edhe e vëllait”. A e dini që vëllai shkon për darkë te motra, kurse motra shumë, shumë rrallë te vëllai? A e dini nganjëherë se për arsye të ndryshme, nëna dhe baba vdesin te vajza? Dikur, kur më lindi kjo vajzë, im atë më tha:
– Je bërë pishman?
– Jo! – i thashë unë.
Atëherë më tha: – Le t’i ecë mirë jeta!
Kështu, unë mora dy fjalët e fundit “mirë” dhe “jeta”, i bashkova dhe i vura vajzës emrin e përbërë dhe shumë të bukur Mirjeta. A ka më mirë se me të ec jeta mirë?!
Për të mos u zgjatur, kështu na iku ajo natë, me zemër të ngrirë, duke u ngritur herë pas here për të parë gjendjen e saj. I qëndronim te koka: Temperaturë dhe djersë. Kur u ngritëm në mëngjes, u vesha dhe i thashë gruas:
– Unë po iki në punë. Në qoftë se Mirka (kështu e thirrnim për ledhe Mirjetën) bëhet më keq, çoje për vizite te pediatri, doktor Petriti. Shpresoj të bëhet mirë…
Kur u ktheva nga puna në shtëpi, më thanë se vajzën, mjeku e kishte çuar urgjentisht për në Durrës. Doktor Petriti, pasi e kishte vizituar, kishte thënë se ajo ishte rëndë me apendesitin. Me të ishte nisur ime shoqe dhe nusja e vëllait, e cila më tha pasi isha kthyer:
– Doktori atje më tha se Mirjetës i kishte plasur apendesiti. Pastaj, mjeku kirurg më pyeti: “Ku i keni burrat?”. Unë u mendova dhe me të qeshur ia ktheva: “Doktor, do të vijnë edhe burrat. Nuk jemi gra pa burra…”.
Kur dëgjova këto fjalë, unë u mendova ca dhe heshta. Pagën e muajit akoma nuk e kisha marrë. Kështu, u detyrova dhe shkova diku të merrja borxh një 5000 lekësh të ri për katër-pesë ditë. Operimi do të bëhej tek ish-kirurgjia e vjetër, përballë detit në Durrës. Pagesa e operimit ishte 3000 lekë të reja. Takova kirurgun dhe pasi e përshëndetëm, i futa kartmonedhën në xhepin e sipërm të bluzes së bardhë duke i thënë:
– Dua jetën e vajzës!
Ai m’u përgjigj: – Zoti na ndihmoftë! Do të bëj çmos. Mos u mërzit, operimin do ta bëj në orën 16:00. Vajzës i ka plasur apendesiti dhe ndodhet te salla e operimit.
Unë sillesha i ankthuar nëpër korridor. Pas pak doli doktor Iliri:
– O Mustafa, kam dalë të të marr leje. A mund ta shtyjmë operimin e vajzës për nja dy orë se kam me urgjencë nga Kavaja një nuse të re shtatzënë në muajin e nëntë të lindjes, që i ka plasur apendisiti?
Njerëzit e nuses së re m’u afruan me lot në sy dhe po pritnin fjalën time.
– Si ta ketë shkruar Zoti – i thashë doktor Ilirit. Ajo është vetë e dytë. Filloni me të. Zoti do t’i shpëtojë të dyja.
Ata, me lot në sy, më përqafuan e më falënderuan dhe më thanë:
– Operimin e vajzës suaj do ta paguajmë ne!
– Mos më ngarkoni me turp… – u thashë. – Mirësia le të ngelet në kujtesë. – dhe me të qeshur shtova: – Shijaku me Kavajën kanë shkuar gjithmonë mirë.
Si rezultat, të dyja operimet i shpëtuan të dyja të rrezikuarat për jetën: Shtatëzënën dhe vajzën time, Mirjetën, në atë kohë nxënëse e klasës së gjashtë. Patjetër, meritë e kujdesit të doktor Ilirit. Lum kush e respekton profesionin e tij!
Sot, Mirjeta ndodhet në Peruxha të Italisë, ku ka mbaruar për diplomaci. Tani ka edhe një djalë, Alesion, nxënës të klasës së katërt.
Lum unë që i kam të tre fëmijët e mi me arsim të lartë, Gentin skulptor, Besjanën filologe (Gjuhë Shqipe) dhe Mirjetën, diplomate.
Mustafai nga Shijaku