Ju e dini tashmë se sytë pasqyrojnë ndjenjat tona, por disa studime thonë se ata tregojnë edhe shumë gjëra për shëndetin. Meqë disa ngjyra sysh lidhen me disa probleme shëndetësore, ju mund të vlerësoni nga ngjyra e tyre se nga cilat sëmundje rrezikoheni më shumë, të paktën teorikisht. Sigurisht, rreziku i sëmundjeve varet nga faktorë të tjerë të panumërt, si mjedisi rrethues dhe gjenet. Edhe diçka tjetër; ju duhet të jeni doktor sysh për të dalluar shenjat paralajmëruese më serioze, por, nëse doni të dini se cila ngjyrë sysh është e lidhur me një sëmundje të caktuar, lexoni shkrimin tonë…
Kur bebja e syrit është kafe
“Sa më e errët të jetë bebja, aq më të mbrojtur jeni nga rrezet ultravjollcë”, thotë oftalmologu Ivan Shvab, zëdhënës i Akademisë Amerikane të Oftalmologjisë (“Kjo nuk do të thotë se duhet të evitoni kremin dhe syzet e diellit”, shton ai). Pra, ju keni më pak gjasa se të tjerët që kanë sy me ngjyrë të hapur të keni kancer lëkure dhe syri, si edhe perde (e cila mjegullon lenten e syrit). Studime të tjera tregojnë se ju mund të keni më shumë gjasa për të pasur vitiligo, një sëmundje autoimunitare e lëkurës, e karakterizuar me njolla të bardha në lëkurë. Gjithashtu, ju mund të keni më pak tolerancë ndaj dhimbjes dhe më shumë ankth se njerëzit me ngjyrë të hapur sysh, sidomos gjatë lindjes së fëmijëve. Studiuesit thonë se shkaktarë për këtë janë gjenet tuaja.
Kur bebja e syrit është ngjyrë lajthi
Thuhet se njerëzit me ngjyrë sysh lajthi mund t’i durojnë më pak dhimbjet dhe kanë më shumë ankth sesa ata me ngjyrë të hapur, sipas një studimi amerikan, që i grupoi sytë kafe dhe lajthi në një kategori të vetme, në atë të syve me ngjyrë të errët.
Kur bebja e syrit është jeshile
Sipas studimit, gratë me sytë me ngjyrë të hapur mund t’i durojnë më shumë dhimbjet dhe rrezikohen më pak nga ankthi dhe depresioni, veçanërisht gjatë lindjes së fëmijëve. Sytë tuaj me ngjyrë të hapur ofrojnë më pak mbrojtje ndaj rrezeve ultravjollcë, gjë që tregon se ju rrezikoheni më shumë nga melanoma e syve.
Kur bebja e syrit është blu
Sipas një studimi të kohëve të fundit, përveç rreziqeve të njëjta me ato të syve jeshilë, ju mund të keni më shumë tendencë të keni varësi nga alkooli. Autorët e studimit pranuan se nuk mund ta shpjegojnë këtë lidhje dhe se duhen bërë studime të mëtejshme në këtë drejtim.
Sytë e kuq
Çdokush mund të ketë skuqje të syrit herë pas here, kur enët e gjakut zgjerohen. Zakonisht, kjo shkaktohet nga tharja e syrit, alergjitë, ekspozimi ndaj diellit, apo pluhurit. Gjithashtu, skuqja e vazhdueshme e syrit është lidhur me depresionin, veçanërisht te njerëzit e moshuar. Nëse sytë tuaj janë të kuq më shumë se dy ditë rresht, duhet të shkoni te doktori që t’ju diagnostikojë. Ju mund të keni sindromën e Sjorgrenit, një sëmundje e përhapur autoimunitare, një infeksion, parregullsi në enët e gjakut, ose diçka më serioze.
Sytë e verdhë
Kur e bardha e syve tuaj ka një nuancë të verdhë, ju mund të keni probleme me mëlçinë. Sytë e verdhë janë simptomë e verdhëzës, një sëmundje mëlçie që pengon aftësinë e trupit për të filtruar një substancë të caktuar. Gjithashtu, kjo është vënë re tek alkoolikët.