Ajo është artistja make-up e momentit, e preferuara e shumë personazheve VIP, nga të cilat do të veçonim Dafina Zeqirin, me të cilën Sellma ka edhe një marrëdhënie të ngushtë shoqërore. Sellma Kasumoviq vjen për herë të parë me një intervistë ku flet jo vetëm për tendencat më të fundit të grimit, por edhe për personazhet e njohura dhe kujdesin e tyre ndaj pamjes. Edhe pse ndodhet në Kosovë, janë të shumtë edhe artistët shqiptarë që zgjedhin profesionalizmin e Sellmës. Mjafton të futeni në faqen e Instagramit të Sellmës dhe do të shihni transformime të shumë fytyrave. Por, përtej së bukurës dhe profesionalizmit të saj, me Sellmën kemi folur edhe për atë vetë…
Mia Buci: – Sellma, çfarë po bën këto kohë?
Sellma: – (Buzëqesh) Për momentin, përveç obligimeve si familjare, jam e angazhuar në biznesin tim, si për ide të reja kreative rreth make up-it, po ashtu edhe duke punuar për zgjerimin e kompanisë time edhe jashtë Kosovës.
– Pse e ke zgjedhur këtë profesion?
– Gjithmonë më kanë tërhequr gjërat e bukura dhe grimi, pa dyshim, është art. Karriera ime filloi fillimisht në një biznes shumë të vogël, ku klientet e para të miat ishin rrethi im i ngushtë, duke filluar nga shoqet e mia.
– Sa vite eksperiencë ke në botën e së bukurës?
– Rreth 15 vite.
– Cilat janë sfidat me të cilat përballet një artiste make-up-i?
– Çdo profesion, i cili bëhet me pasion si dhe me ambicie për të patur sukses, pa dyshim ka edhe sfidat e tij… Ato janë të shumta.
– Nëse një klient kërkon një stil për të cilin je e sigurt se nuk i shkon, si e bind për të kundërtën?
– Mundohem ta bind duke i propozuar stilin që i përshtatet më shumë fizionomisë dhe në varësi të moshës, rastit, si dhe veshjes.
– Cili është ndryshimi mes grimit televiziv dhe grimit për një festë, për shembull?
– Grimi për televizion duhet të jetë sa më i saktë, i pastër dhe pa shumë shkëlqim, pasi ky i fundit lë përshtypje jo të mirë para ekranit, duke krijuar iluzionin e djersitjes. Grimi për festa pastaj, varet nga shumë faktorë, duke filluar nga kërkesa e klientes, stili i veshjes, rasti për të cilin bëhet grimi, kryesisht, grim solemn me më shumë shkëlqim, ngjyra dhe konture të theksuara.
– Artistët e grimit në Shqipëri thonë se Ingrid Gjoni ka fytyrën perfekte. Po në Kosovë, cila dallon?
– Në Kosovë dhe në Shqipëri ka shumë fytyra perfekte, kështu që nuk do ta kisha veçuar ndonjë.
– Çfarë e bën të fortë miqësinë tënde me Dafina Zeqirin?
– Daffye, si dhe shumë personazhe VIP, është e veçantë në mënyrën e saj. Për mua kanë shumë rëndësi, qoftë si kliente, qoftë si mike të miat.
– Cilat janë produktet që asaj i pëlqejnë më së shumti?
– Produktet që kam në studion time janë nga më të ndryshmet dhe të markave më të njohura, kështu që Daffye ka besim në zgjedhjen e produkteve me të cilat e bëj makeup-in tek ajo.
– Miqësia juaj shkon edhe përtej studios?
– Po, jemi mike shumë të mira; ajo është shumë e dashur dhe shumë modeste.
– Për shembull… Nëse një mbrëmje zgjdhni të dilni të dyja, i bën sugjerime Dafinës së çfarë të veshë dhe për grimin, apo ajo ka shumë besim te zgjedhjet e saj?
– Ka ndodhur që i kam propozuar ndonjë ide, edhe pse Daffye ka stilin e saj të veçantë, për të cilin kujdesen dizajnerët e saj personalë.
– Vendet që frekuentoni bashkë…
– Varet nga disponimi si dhe rasti. (Buzëqesh)
– Ke menduar për një linjë tënden kozmetike?
– Ndoshta në të ardhmen, pse jo?!
– Cilat janë trendet e preferuara të këtij sezoni?
– Tone sysh më të lehta dhe me shumë shkëlqim, po ashtu buzët me shkëlqim, por pa e tepruar dhe fokusi të jetë te qerpikët me shumë volum. Grimi “smokey eye”, me dominim të ngjyrave të tjera, përveç të zezës, pa penel, me buzë natyrale-nude, të lyera njëtrajtësisht. Sytë supernatyralë, me buzë të theksuara.
– A arrin make up-i të krijojë iluzionin e ndërhyrjeve plastike në fytyrë?
– Në njëfarë mase po, por gjithçka, deri në momentin kur pastrohet.
– Cilat janë disa nga eksperiencat e tua më interesante?
– Ka shumë të tilla… Për momentin, m’u kujtua eksperienca e takimit me blogeren e famshme nga Dubai, Huda Katan.
– Cili është produkti pa të cilin nuk bën dot?
– Mendoj se kremrat e fytyrës janë të domosdoshme. Pa ta nuk duhet filluar dita.
– Po ai që gjendet gjithmonë në çantën tënde?
– Rimeli.
– Cili është VIP-i që transformohet plotësisht pas make up-it?
– Janë disa, por nuk do të preferoja të flisja me emra…
– Cila ka qenë e fundit?
– Gjatë gjithë ditës kemi personazhe VIP, kështu që nuk më kujtohet cila ishte e fundit.
– Cili është gabimi që bëhet shpesh në make up?
– Mospërshtatja e nuancës së pudrës, grimi i ekzagjeruar gjatë ditës.
– Një këshillë e vlefshme për të gjitha femrat…
– Sa më shumë kujdes kur vendosni makeup-in; sa më i lehtë gjatë ditës dhe sa më i pastër gjatë natës. Të përdoren produkte të përshtatshme për tipin e lëkurës.
– Çfarë duhet bërë që make up-i të zgjasë sa më shumë?
– Ekzistojnë fiksues të ndryshëm, të cilët si efekt kanë mbrojtjen e grimit. Po ashtu, gjatë aplikimit të pudrave, të bëhet përshtatja për tipin e lëkurës, si dhe të mos ekzagjerohet me masën që vendosim në fytyrë.
– E zëmë se kam 5 minuta për t’u bërë gati. Çfarë duhet të bëj?
– Theksimi i vetullave, qerpikëve si dhe formësimi i mollëzave, do të bënte një mrekulli në disa raste.
– Si mund t’i heqim qafe rrudhat nëpërmjet make u-it?
– Rrudhat janë një problem dhe në make-up u duhet kushtuar më shumë vëmendje, duke përdorur krem pudra sa më të lehta dhe të lëngshme. Duhet ta mënjanojmë pudrën e ngurtë, pasi kjo e fundit i thekson më shumë ato.
– Cili krem pudër është më i mirë?
– Varet nga tipet e lëkurës, por edhe se për çfarë rastesh aplikohen, pasi disa janë më të përshtatshme për sesione fotosh, disa për evenimente live e kështu me radhë…
– Si të zgjedhim të kuqin perfekt të buzëve?
– Buzëkuqin e duhur, nëse bëhet fjalë për përditshmëri, do t’jua këshilloja në një apo dy nuanca më të mbyllura sesa ngjyra e buzëve, por varet edhe nga shija dhe stili i femrës.
– Çfarë i sugjeron një vajze në ditën e dasmës?
– Dita e dasmës është e veçantë për secilën. Për një luk të tillë, do t’u sugjeroja një grim të lehtë, me më shumë shkëlqim dhe tone jo shumë të theksuara të syve apo edhe të buzëve.
– Kur i kuqi i buzëve është zgjedhja e duhur?
– Kur do të ndiheshim komode me atë buzëkuq, qoftë në kombinim me veshjen, rastin, si dhe moshën.
– A je edhe ti me mendimin se çdo ditë e më shumë po shikohet tendenca e femrave për t’i dhënë më shumë rëndësi pamjes së jashtme sesa asaj të brendshme?
– Nuk do ta kisha menduar kështu, pasi një femër që kujdeset për dukjen e saj, në njëfarë forme shpreh gatishmërinë të kujdeset edhe për të tjerët. Kujdesi fillon nga vetja, pastaj te të tjerët!
– A arrin kujdesi për pamjen e jashtme të rregullojë edhe gjendjen shpirtërore apo është thjesht një maskë e përkohshme?
– Unë besoj se po, qoftë për disa momente.
– Sellma, si ia bën ti me VIP-at? Vijnë ata te ti apo ndodh edhe që të të marrin ty këtu në Shqipëri?
– Në të dyja mënyrat; varet nga rastet si dhe koha. Unë mundohem të jem aty ku më kërkojnë.
– Cilën nga VIP-at e huaj do të doje të kishe në karrigen tënde?
– Ndoshta Bijonsen…
– Le ta mbyllim intervistën me disa fjalë për ty: Kush është Sellma?
– Sellma është një artiste që ka studiuar në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, dega Dizajn Grafik, që punon për të bukurën, por që e do edhe atë, të cilën nuk mund ta zbukurojë make up-i: shpirtin e bukur!