Kur babai ka një vajzë, nuk ka veç
botën, por ka edhe qiellin
Dikur s’e kuptoja mirë këtë proverb
derisa u dëgjua qarja e saj e parë…
Një vibrim krejt tjetër ndieja në zemër
dhe një vullkan, që sapo kish marrë zjarr!
Ajo buzëqeshte ëmbël si një fëmijë,
shkëndit’ në sytë e mi mund të ndiznin diellin…
Eh, kur në jetë babait i vjen një bijë,
nuk ka veç botën, por ka edhe qiellin!
Kur ajo belbëzonte ba-ba-ba,
edhe buza ime mjaltimin e merr.
Me time bijë lozja: – Hopa, ha-ha-ha,
në fëmijëri kthehesha dhe një herë.
Në hapat e parë i jepja kuraj’ e përkrahje,
trokëllimë e çapave, pranverë
më dhuronte ime bijë pa dashje
edhe zemrën ndieja si kështjellë! Nga “Hiri i lotëve” Skënder Lazaj
Është e mundur?
T’i mbyllësh sytë kësaj marrëzie
Kësaj bote, kaq të lëkundur
Mbushur nga gjurmë mizorie
Si të heshtësh? Ěshtë e mundur?
Më dalin tëmthat nga mërzia
Si mund të rrosh me thonj në fyt
Kur s’ ekziston më drejtësia
Është e drejtë të mbyllësh sytë?!…
Ka pasur raste, veshët kam mbyllur
Mos të dëgjoj asgjë nga ç’thonë
Por kjo botë është kaq e hidhur
Sa dhe të shurdhërit i helmon!
Të nxjerrë mizerjen, syve përpara
Kurrë mos të gjesh paqe në shpirt
Reklama gjaku, me jetë fëmijësh
Në zymtësinë e saj të hirtë!
T’i zësh të gjitha sy e veshë
Madje edhe zemrën ta bësh hekur
Por dhe kështu nuk mund të gjesh
Sepse i thonë që të kesh vdekur!
Mos vallë të shoh punët e mia
Të zë një qoshe në këtë botë
Të them jam mirë se ka më keq
Jo, këtë nuk e bëj dot…
Por s’ kuptoj, çfarë bëjmë, ku vemi
Udhëhequr nga marrëzia
Na qëlloi këtu të jemi
Këtu kushtoka mirësia! Bledi Ylli
Udhës meditim
Sytë e tu margaritarë
Sa i dua sytë e tu
Flet me veten një i marrë
Ashtu kot në kuturu!
Nata udhën e mbulonte
Njerëz rrallë, aty-këtu
Dhe i marri që vazhdonte
“Sa i dua sytë e tu”!
Çfarë të ketë ky rob i Zotit
Këtij të mjerri ç’t’i ketë ngjarë
Flet me veten kot së koti
“Sytë e tu margaritarë”!
Atij njeriu iu afrova
E pranë tij ecja ngadalë
Kurrsesi një fjalë s’i fola
Ai po të njëjtat fjalë…
Sytë e tu margaritarë
Sa i dua sytë e tu
Nuk shoh më asnjë të marrë
Shtëpia ime është këtu…
Buzëqesh me çfarë kish’ ngjarë
S’ke ç’i bën ndodh edhe kështu! Bledi Ylli
Zemrat tona do të takohen përsëri…
Ndjenja ime për ty, po aq e zjarrtë,
Si argjend më vezullon këtë natë…
Nga kujtesa ime nuk fshihet kurrë,
Në çdo hap të jetës më shoqëron si dikur.
Jo, nuk mund të mbetesh i harruar,
Sytë i mbylle, po ti më shfaqesh praruar,
Zemra ime më shtrëngon e më lëngon,
Kjo ndjenjë thellë shpirtin ma mundon.
Do të doja të harroja, por s’harroj dot,
Kujtimet e tua më ndjekin sot e mot.
Ndonjëherë çuditem me veten, ti a e di,
Sa e zjarrtë ka qenë dashuria ime për ty?
Nuk e kam ditur, kur ti ishe gjallë,
Se për ty do më digjte përjetë ky zjarr,
Mbase më shumë u kushtohesha të vegjëlve tanë,
Ndaj më fal, në të kam lënduar, të lutem më fal…
Më fal i dashur, se kur ti pranë më doje,
Në momente kritike në krahë më shtrëngoje,
Mbase zemra të la, kur unë në komë isha,
Ndjehem me faj, që pranë teje nuk isha.
Vitet kalojnë e ti mbetesh ende i gjallë,
Malli më shtohet e me djeg si vullkan,
Mundohem të ngushëllohem me nipat tanë,
Më vjen keq, që s’i përqafove këta margaritarë.
Do të doja që ty të të kisha tani pranë,
Të më pëshpëritje në vesh fjalët plot zjarr,
Ai zjarr që do mbetet ndezur në përjetësi,
Se zemrat tona do të takohen përsëri. Luljeta Gjosha Pashollari1818