– Doktor Agroni, kam një problem me mamin tim. Ajo është diagnostikuar me hernie diskale dhe ndenji një javë e shtruar në spital. Kishte shumë dhimbje, këmbën e majtë nuk e vinte dot në tokë dhe as nuk flinte natën, sado që bënte gjilpëra e qetësues. Doktoresha e nxori nga spitali dhe i tha të operohej në Tiranë, se hernia i ka kapur nervin, por mami nuk pranoi të operohej. Doktoresha i dha disa ilaçe dhe mami erdhi në shtëpi. Tani që është në shtëpi nuk ka dhimbje si në spital, por e kapin herë pas here. Ajo nuk çohet nga krevati, rri vetëm shtrirë se i dhemb këmba. Ngrihet vetëm për nevoja personale, por duke e mbajtur për krahësh. Dhimbjet në këmbë njëherë i ndalojnë, njëherë i fillojnë. Edhe ca ditë i mbarojnë ilaçet dhe nuk dimë ç’të bëjmë se nuk ka ndonjë përmirësim të madh. Të bëhet operacion te neurokirurgu apo ta çojmë diskun e skanerit që ka bërë te neurokirurgu dhe t’i japë ilaçe të tjera? Thonë se po të bëhesh operacion, hernia rikthehet dhe ka persona që janë bërë operacion nga 3-4 herë. Na jepni një mendim se çfarë të bëjmë. Ilaçet që i dha neurologia janë: lyrica 150 mg. 56 kaspula 2 x 1 në ditë dhe barca 600 mg. 10 kapsula.
Dr. Agron Islamaj, neurolog: – Në përgjigje të letrës suaj, unë do të thosha që hernia diskale, nga e cila vuan edhe nëna juaj, siç e dini, është dalja e një kërci që ndodhet midis dy rruazave e më shpesh ajo del në nivelin e belit (ose siç e quajmë ne mjekët, pjesa lumbare), por mund të shfaqet edhe në qafë e më rrallë, në pjesën e rruazave të gjoksit. Shkaqe janë sforcimet, ose lëvizjet e pakontrolluara të kolonës në këtë nivel, si për shembull, ngritja e peshave të rënda, ulja e ngritja e pakontrolluar etj. Është kjo arsyeja pse kjo shihet në profesione të tilla, siç janë punët në ndërtim, në bujqësi etj. Fillimi është i menjëhershëm, me një dhimbje mesi që përhapet në këmbën përkatëse, gjatë rrugës së nervit ishiatik kryesisht, ose atij të kofshës (n-femoral). Ky i fundit preket më rrallë. Diagnostikimi bëhet nëpërmjet një radiografie, ose skanerit, apo rezonancës magnetike, të kolonës në pjesët e belit. Këto ekzaminime tregojnë jo vetëm praninë e hernies, por edhe shkallën e daljes së kërcit në këtë nivel, pasi kemi tre gradë që ne gjykojmë për mjekimin e këtyre të sëmurëve:
– Grada e parë e hernies, kur ajo sapo ka dalë dhe jo tërësisht, karakterizohet me dhimbje jo të forta e shenja jo shumë të shprehura.
– Grada e dytë, kur hernia ka dalë pothuajse plotësisht e shenjat klinike janë dhimbja apo pozicioni i të sëmurit e detyron të rrijë shtrirë.
– Grada e tretë, kur hernia diskale (pra, kërci), ka dalë plotësisht nga foleja midis dy rruazave dhe shoqërohet me dhimbje shumë të forta. Në fazën e parë, ne mjekët tentojmë të përdorim mjekimin me barna të kombinuara dhe me procedura riaftësuese e tërheqje (traksion) të kolonës, ndërsa në fazën e dytë e të tretë, i sëmuri duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjes neurokirurgjikale, e cila është një operacion shumë i thjeshtë dhe i sëmuri brenda 24 orëve çohet nga shtrati. Kjo ndërhyrje, që bëhet me mjaft sukses nga mjekët tanë specialistë (neurokirurgë), nuk ka ripërsëritje, sepse në këto raste hiqet disku i dalë dhe për pasojë, s’ka arsye që të ripërsëritet, sidomos në atë nivel. Po ashtu, duhet thënë se pas ndërhyrjes, e cila shoqërohet me këshilla e riaftësim, i sëmuri kthehet brenda një kohe të shkurtër në normalitet. Shtoj se këta të sëmurë duhet të shmangin për një periudhë kohe sforcimet, ngritjen e peshave të rënda, ose lëvizjet e sforcuara etj. Së fundi, për rastin e nënës suaj do të këshilloja, në qoftë se mjekimi nuk ka dhënë efekt (pra, barnat e përdorura) dhe vazhdon me dhimbje të lokalizuara në kolonë e në këmbë, atëherë ajo duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjes neurokirurgjikale, që të kthehet në normalitet.