Ishte fundi i vitit shkollor 1966-1967. Isha maturant. Ma merr mendja, fundi i muajit mars. Do s’do, ishim të rinj. Në atë kohë, sapo ishte mbajtur Plenumi i 6 Shkurtit dhe sapo kishte filluar aksioni i luftës kundër shfaqeve të huaja dhe fesë. Kur i thonë: budallallëqe me okë që i kthyen në ligje. E kështu filluan budallallëqet, si: Mos mbaj flokë të gjata, mos u bëj synet (që është pastërti), mos mbaj syze, mos vendos emra muslimanësh, si: Beg, Zonjë, Beglije, Hajër, Hamdi, etj., mos dëgjoni muzikë të huaj, mos festoni festat fetare, por Vitin e Ri. Por lind pyetja: Kush e bëri këtë ligj në politikë? Duhet të dalë se kush, sepse ngarkesën ia lanë rinisë, me anën e gjoja të aksionit. Kështu, u ngritën edhe grupet e spiunimit.
Pa u larguar shumë nga historia që dua t’ju tregoj, një shoqja ime e maturës, më tha:
– Mustafa, nuk e di a ke radio, por sot, në orën 13:30 jepet te stacioni RAI UNO një koncert nga këngëtari italian Adriano Çelentano.
Nuk fola, por truri filloi të punonte.
Në orën 12:20 mbaroi ora e fundit për atë ditë. Pasi u larguam nga oborri i shkollës duke u ndarë me shokët e shoqet e klasës, u dhashë këmbëve sa më shpejt. Kështu, sapo arrita në shtëpi, u futa në dhomë. Lashë çantën diku mbi një minder dhe shkova të ndizja radion që sapo e kish blerë vëllai i madh që ishte mësues, i cili në atë moment, sapo ishte kthyer nga puna e po hante drekën. Unë ndeza radion që ishte e markës SONRA, markë gjermane.
Vëllai i madh (unë isha vëllai i tretë) pasi më pa, ma priti: – Mbylle dhe dil jashtë!
Nuk e mbylla.
Ai vazhdoi të bërtiste: – Mbylle dhe dil jashtë, thashë!
Dola. Ç’të bëja? Tre nga këngëtarët e mi më të preferuar të asaj moshe ishin: Luçiano Tajoli, Domeniko Modunjo dhe Adriano Çelentano. Zërin e tyre e dëgjoja tinëz në radion e sapoblerë, por koncertin e Adrianos nuk e dëgjova. S’ke ç’bën. E kishte fajin 6 Shkurti, Pleniumi me plot budallallëqe që na ndau nga zhvillimi i botës e që e mbylli shqiptarin si në tufëzimin e mëvonshëm të bagëtive. S’ke ç‘bën, bota shqiptare është botë picirruke para njohjes së botës botërore. Do s’do, inat të rinjsh. Pa kënaqësi.
Pas tre vjetësh, vëllai i madh (Sot, ndjesë pastë, i vdekur) m’u afrua e më tha: – Inatçi i madh je. Ti kishe të drejtë, por a e di që mezi jetojmë!? Muret kanë vesh, spiunët bëjnë punën e tyre, dëgjojnë muzikën, shkojnë te vendi e më heqin nga puna. Ndofta na çojnë edhe “te vendi”.
I dhashë të drejtë vëllait dhe i kërkova të falur. Ç’të bëja, ishte vëllai i madh. Siç thotë im vëlla, piktori i merituar Agim Faja: “Kujdes me jetën! Teli i zhveshur s’kapet me dorë”.
E sot… Sot sa herë që shoh Adrian Çelentanon në koncert a intervistë, më shkon mendja te koncerti i vitit 1967, i cili më ndau për tre vjet me vëllain, vetëm sepse ai nuk më la të dëgjoja koncertin e tij.
Ah, mor 6 Shkurt, ç’na bëre! Ishalla s’na vjen më. Na “bëre synet” në të gjithë drejtimet. I mallkuar qofsh! Mos u ktheftë më kurrë diktatura!
Mustafai nga Shijaku