Lisandra Rrapa ose siç njihet në muzikë, Sandra, ka sjellë në treg dy klipe njëri pas tjetrit, klipe të cilët kanë pasur suksesin e tyre që në momentin që janë prezantuar. “Shaci” dhe “Kam sevdanë” janë këngët që i dhanë emër kësaj këngëtareje. Ajo premton edhe këngë të tjera, me të cilat do të merret vetë, ashtu si edhe me dy këngët e para. Duke i uruar suksese Sandrës, ju ftojmë te lexoni intervistën me të…
Fabjola Kuburi: – Sandra, kur e ke zbuluar talentin tënd në muzikë?
Lisandra Rrapa (Sandra): – Muzikën e kam pasur pasion që në fëmijëri dhe me kalimin e kohës, duke e praktikuar edhe live, arrita këtu ku jam sot.
– A je e lumtur për atë që ke arritur deri tani?
– Jam shumë e lumtur që kam arritur këtu ku jam. Njeriu asnjëherë nuk kënaqet me të mirën, por gjithçka ka kohën e vet. Ia kam dalë mbanë vetëm dhe, çfarë kam kërkuar, e kam arritur.
– Si e mendoje botën e muzikës dhe sa ndryshe ështe ajo nga çfarë kishe ëndërruar?
– Botën e muzikës e shikoja si një ëndërr që shpresoja ta ktheja në realitetin tim. Sot ia kam arritur dhe ndihem shumë e dashuruar pas tingujve të saj!
– A do të ketë këngë të tjera prej teje shumë shpejt?
– Sigurisht që do të ketë, sepse kam filluar të realizoj gjithçka nën emrin tim.
– Klipi yt “Shaci” është shumë i realizuar dhe besoj se edhe ka kushtuar shumë… Kush të financon për realizimin e klipeve?
-“Shaci” është kënga dhe klipi im i parë. Është një këngë e bukur që të bën për vete, sepse vetë si këngë shpreh lajka. Është një klip që është realizuar tërësisht nën financimin tim dhe kjo është ajo që më bën të ndihem më mirë.
– Si u realizua ky klip, kujt ia besove atë?
– Ka qenë një gërshetim i ideve të mia me ato të Svvart Albania. Ka dalë diçka e bukur që do të pasohet nga një më e bukur në të ardhmen.
– Cila ka qenë skena më e bukur e këtij klipi?
– Momenti i puthjes, sepse në shumë dubla më kapte e qeshura, ndërkohë që skena duhej realizuar.
– Pse janë kaq në trend bashkëpunimet?
– Sepse ka kombinim mes stileve dhe zërave. Kam përshtypjen që kjo është arsyeja pse kjo mënyrë prezantimi ka ecur kaq shumë.
– Na trego pak për këngën tënde më të re…
– Kënga e radhës dhe më e reja, që momentalisht është në treg, titullohet “Kam sevdanë”. Është një këngë që ka motive jugu që unë i dua shumë, sepse më kujtojnë edhe origjinën.
– Kush merret me paraqitjen tënde skenike dhe a kërkon këshilla për pamjen tënde?
– Deri tani jam marrë vetë me veten, por edhe me pak ndihmë. Nuk diskutohet që këshillat bëjnë mirë.
– Do të pranoje të eksperimentoje deri në ekstrem me lukun tënd thjesht për të qenë më e pëlqyer?
– Po, pse jo? Ama, deri në atë fazë ku mua më shkon. Një imazh ndryshe, do të ishte shumë bukur.
– Po për jetën sentimentale, ç’do të na thuash? A ka një dashuri në jetën tënde?
– Për jetën time sentimentale nuk kam koment. Tani nuk kam kohë të merrem me jetën sentimentale, dua vetëm tingujt e muzikës.
– A mendon se muzika shqiptare, ashtu siç janë shprehur shumë këngëtarë, ka më shumë femra seksi sesa këngëtare që dinë vërtet të këndojnë?
– Muzika kudo ka bukurinë e saj, muzika nuk ka fund, imazhi i këngëtarit është një pjesë plotësuese. Unë jam e mendimit se dikush që di të performojë live, di edhe ç’do të thotë vërtet të këndosh. Unë nuk do t’i jepja shumë rëndësi imazhit seksi!
– Cili është mesazhi yt për të gjithë lexuesit e gazetës tonë?
– Intervista më pëlqeu, është vërtetë e arrirë dhe shpresoj të përcjellë te lexuesit një frymë pozitive. Dua të falënderoj të gjithë ata që pëlqejnë muzikën time, por edhe lexuesit e “Intervistës”.