Që të bëhesh stjuardesë në Kinë duhet të kesh trupin e një modeleje dhe fuqinë e një luftëtari të arteve marciale. Këto vende pune janë shumë të lakmuara dhe tërheqin me mijëra vajza që aplikojnë për to dhe interesi i tyre për punën nuk është pakësuar, me gjithë abuzimet që bëhen.
Në shoqërinë ajrore China Southern Airlines, kandidatet nuk duhet të jenë më të mëdha se 24 vjeç dhe të jenë mbi një gjatësi mesatare. Në shoqërinë Hong Kong Airlines ato duhet të dinë kung fu. Në Kunming Airlines, siç shihet në foto, ato duhet të jenë aq kompakte sa një bagazh dore.
Siti i një rrjeti shoqëror të njohur kinez ka publikuar kohët e fundit fotot e disa stjuardesave të futura në bagazhin e kabinës së avionit, që ndodhet mbi kolltuqet e pasagjerëve. Ky është rituali i fillimit të punës, i cili ka pesë vjet që praktikohet për stjuardesat e reja që kanë 30-50 orë fluturim. Vetëm gratë e pësojnë këtë lloj trajtimi nga kolegët e tyre meshkuj, që i detyrojnë stjuardesat të futen në bagazh, nganjëherë edhe duke mbyllur kapakun e tyre. Ato që përpiqen të evitojnë këtë praktikë të çuditshme quhen arrogante dhe jo bashkëpunuese. Disa foto tregojnë fytyrën e vajzave të reja të zhytura në cepin e bagazhit dhe një tjetër tregon duke pozuar pranë saj një koleg mashkull duke bërë shenjën e paqes me gishta, ndërkohë që stjuardesa fsheh fytyrën me duar. Fotot dhe artikulli shoqërues bënë bujë në Kinë gjatë fundjavës së shkuar, duke ngjallur komente të tipit “kjo praktikë përbën një fyerje për femrat” dhe “ajo është vërtet perverse”. Të tjerë shkruan se kjo “shaka” nuk duhej marrë shumë seriozisht, duke theksuar se dukej që disa vajza ishin futur aty thjesht për “zbavitje”.
Kunming Airlines kërkoi falje për incidentin të hënën, duke thënë në një deklaratë se ata nuk e mbështesnin këtë lloj tradite, e cila është ndjekur nga disa stjuartë dhe punonjës së sigurisë pas orëve të udhëtimit. Shoqëria ajrorje merr zotim të marrë masa disiplinore për t’i dhënë fund sjelljes së tyre. Megjithatë, kjo shoqëri kishte prej koshësh dijeni për këtë sjellje, sepse stjuardesat ishin ankuar edhe më parë, por pa rezultat. Kjo sjellje u bën jehonë standardeve strikte që kërkohen nga stjuardesat në Kinë. Në fakt, autoritetet e aviacionit civil kërkojnë që stjuardesat të jenë ndërmjet 1.57 m-1.7m të gjata dhe të peshojnë nga 45-72 kg. Në gusht, një stjuardesë nga Qingdao Airlines nuk u la të fluturonte sepse kishte tejkaluar raportin gjatësi-peshë. Nuk është çudi pra se pse stjuardesat futen në bagazhet e kabinës. Rregullat e forta sugjerojnë se, nëse ajo nuk futet dot në to, nuk është e përshtatshme për fluturim.