EDI RAMA
E lexuat këtë javë e-mailin që u dërgonte kryeministri Rama ministrave të tij? E vutë re se si fillonte ai? “Që në fillim të kësaj aventure të përbashkët dhe në vijim ju kam folur mbase jo aq shpesh sa është dashur për rrezikun nr 1 që kërcënon ecurinë e punës sonë: Arrogancën…”. Na bëri përshtypje një shprehje e tij: “Aventurë e përbashkët”. E ka menduar mirë zoti Rama këtë shprehje? Vërtet, aventurë është për zotin Rama kjo qeverisje? Nëse me fjalën aventurë ai kupton atë që thuhet në fjalorin e gjuhës shqipe kur vjen fjala për politikën “Punë a veprim që bëhet pa i menduar mirë rrethanat, mundësitë, forcat dhe pa parashikuar përfundimin ose pasojat”, atëherë na ka marrë lumi të gjithëve. Apo jo, zoti Rama?
SAIMIR TAHIRI
Deshëm të intervistonim këto ditë edhe Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, por nuk mundëm. Deshëm ta pyesnim për akuzat që iu bënë këtë javë për lidhjen e tij me trafikantët e drogës dhe të shpresonim të merrnim ndonjë përgjigje konkrete për këto akuza… Se, gjithmonë, ai, në përgjigje të akuzave, artikulon vetëm fjalë të përgjithshme e sulme ndaj Berishës. Pse nuk thotë asnjë fjalë, për shembull, për makinën që përdornin trafikantët? Është vërtet e tija? Po skafi që ka transportuar drogë, i tiji është? Ua ka lënë në përdorim makinën dhe skafin kushërinjve të tij trafikantë? Ka lidhje me kushërinjtë e tij? I takon, flet në telefon? Janë të gjitha këto akuza shpifje të Berishës, apo ka diçka të vërtetë në to? Pse nuk thotë çfarë është shpifje e çfarë e vërtetë? Se, duke mos sqaruar, ne mund të mendojmë që të dy variantet janë të mundura… Aq më shumë që historikisht, në Shqipëri, mafia ka qenë e lidhur me shtetin…
FATOS NANO
Një pyetje deshëm t’i bënim këtë javë ish-kryetarit të PS-së, Fatos Nano, këtë herë si themelues i saj. Si mendon ai, pse u katandis kështu Partia Socialiste? Një deputet futet në burg se qëllon me armë në rajon të policisë, tjetri shkon me këmbët e tij vetë në burg në Itali, ndërsa ai që ka radhën për t’i zëvendësuar ata në parlament, është në burg. Pse u katandis kështu PS-ja, tani, pas 25 vjetësh nga themelimi?! Pse vetëm të burgosurit pranojnë të bëhen deputetë të PS-së? Vetëm ata janë të denjë për PS-në, apo vetëm atyre u kërkohet të bëhen deputetë? Do të ishim kuriozë të dinim se çfarë mendon Fatos Nano për këtë…
MILENA HARITO
Na bëri shumë kurioze këtë javë zonja Milena Harito, Ministre e Inovacionit dhe e Administratës Publike. E patë edhe ju, të dashur lexues, kur në Parlament, ajo nuk i hiqte kufjet gjatë gjithë seancës?! Nuk është se po fliste në telefon, jo. Ajo heshtte dhe dëgjonte me vëmendje atë çka përcillnin kufjet. Por çfarë dëgjonte vallë? Muzikë franceze (meqë ka qenë në Francë), apo tallava, meqë ishte në Parlament? Kjo na bëri shumë kuriozë ndaj deshëm ta pyesnim. Se fakti që zonja nuk begenis të dëgjojë kolegët e saj parlamentarë nuk na bën shumë përshtypje (edhe pse nuk është aspak normale që një ministër të shkojë në parlamënt e të mbyllë veshët). Por, ani, thonë malësorët, nuk ka humb gjë… Edhe ajo e ka kuptuar se diskutimet në Parlament nuk vlejnë…
ERION VELIAJ
Një pyetje deshëm t’i bënim edhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt këtë javë: A i di ai detyrat e kryetarit të bashkisë? A e di ai se përgatitja e shkollave për vitin arsimor është një nga detyrat e tij kryesore? Pse duhet të dalë atëhere në TV e në mediat sociale për të trumbetuar se çfarë ka bërë, kur kjo është thjesht detyra e tij dhe kur as këtë nuk e ka bërë mirë?! (Shumë shkolla në Tiranë, si ajo “Naim Frashëri”, për shembull, për të cilën një deputete socialiste bëri thirrje për ndihmë, nuk janë gati për një shtator). A nuk është më mirë zoti Veliaj që të punoni më shumë e të dilni më pak në televizione? Të paktën kur nuk bëni ndonjë gjë më shumë sesa për punën për të cilën jeni zgjedhur e për të cilën paguheni…
SALI BERISHA
“Përshëndetje, para 1 muaji me tha nje burr nga katundet e durrsit. kusherira e tij punon ne konvaleshenc te ministris brendshme ne durres si pastruse. ka pastruar nje dit ne mengjes dhomen e tahirit ne konvaleshenc gjat veres. ishte tmerruar. drog te vjella shoshe e te dhjera mbush dhoma. i kishin then pastro e qepe se ha dreqi po fole. ta tregova kte qe ta dish. kurse nje ekip urgjence me doktora te besushem kish ardh ta sjell ne vehte tahirin. nje nga mjeket kish marr paralajmerim qe pe cpe ktu mos fol..” Ky ishte denoncimi që bëri këtë javë publik në statusin e tij në Facebook për ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, ish-kryeministri, Sali Berisha (dhe që ne po e botojmë siç e publikoi ai, pa redaktuar!). Ne deshëm t’i bënim vetëm një pyetje zotit Berisha pasi lexuam këtë: A i ka hije një ish-kryeministri, një plaku, një gjyshi dhe, në fund fare, një njeriu normal të shkruajë kështu e të merret me këto gjëra?!