– Jam Elsa nga Dibra, 16 vjeçe. Në familjen time, mes babait tim dhe vëllezërve të tij, kanë lindur disa konflikte për shkak të një testamenti të cilin gjyshi im i ndjerë e ka lënë në emrin e babait tim. Doja t’ju pyesja, a ka gjasa që testamenti të rrezohet nga gjykata, edhe pse është në emrin e babait tim? Do t’ju isha mirënjohëse në qoftë se më ndihmoni sepse ndihma juaj do jetë ndoshta dhe zgjidhja e konflikteve që kanë lindur.
Av. Alban Duraj, “Duraj Law Firm”, email: info@durajlaw.com, Tel. ++35544532512: – Përshëndetje Elsa. Ju falenderoj shumë që më keni kontaktuar në këtë rubrikë. Për të kuptuar shqetësimin tuaj, le të shtrojmë disa pyetje të cilave ne do t’u japim përgjigje nëpërmjet parashikimeve që bën Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë:
– Cili është kuptimi i testamentit?
– Testamenti është një veprim juridik i njëanshëm i kryer nga vetë trashëgimlënësi, me anë të të cilit ky disponon pasurinë e tij për kohën pas vdekjes. Testamenti nuk mund të bëhet prej dy ose më shumë personave po në një akt, as edhe në dobi të një të treti, as me disponime reciproke. Testament mund të bëjë çdo person që ka mbushur moshën 18 vjeç, si dhe gruaja nën këtë moshë kur është e martuar. I mituri nga 14 gjer në 18 vjeç mund të bëjë testament vetëm për pasurinë që ka fituar me punën e tij. Personi të cilit me vendim gjyqi i është hequr zotësia për të vepruar, si dhe ai që në kohën e bërjes së testamentit nuk është në gjendje për të kuptuar rëndësinë e veprimit të tij, nuk mund të bëjë testament.
– Sa lloje testamentesh kemi?
– Kodi Civil përcakon dy lloje testamentesh: Testamenti Ollograf: Testamenti ollograf shkruhet tërësisht me dorën e testatorit duke vënë datën dhe nënshkrimin e vet. Data e testamentit duhet të tregojë ditën, muajin dhe vitin. Nënshkrimi vihet në fund të disponimeve. Personi që nuk është i zoti të lexojë dorëshkrimin e vet nuk mund të bëjë testament ollograf.
– Personat që nuk dëgjojnë (shurdhë) ose që nuk dëgjojnë e nuk flasin (shurdh-memecë), mund të disponojnë me testament ollograf ose me testament të marrë nga noteri, sipas rregullave të parashikuara në ligjin “Për noterinë”. Testamenti ollograf mund të depozitohet tek noteri për ruajtje sipas dispozitave për depozitimin e dokumenteve në noteri.
– Testament me akt noterial: Testamenti me akt noterial redaktohet nga noteri dhe nënshkruhet nga trashëgimlënësi në prani të noterit. Kur trashëgimlënësi nuk di, ose për shkak sëmundjeje ose të metash fizike nuk mund të nënshkruajë, testamenti nënshkruhet sipas rregullave të parashikuara në ligjin “Për noterinë”.
– Kur testamenti është i pavlefshëm?
– Testamenti me një datë të mëvonshme lë pa fuqi atë me datë të mëparshme në tërësi ose vetëm për pjesën që nuk pajtohet me testamentin e ri. Testamenti mbetet pa fuqi edhe me anë të një deklarate të bërë nga trashëgimlënësi në noteri. Testamenti është i pavlefshëm kur nuk është bërë në formën e kërkuar nga ligji.
– Testamenti është i pavlefshëm kur disponimi me testament i trashëgimlënësit, i përjashton nga trashëgimia ligjore trashëgimtarët e tij të mitur ose të paaftë për punë ose cenon pjesën e tyre ligjore.
– Testamenti është i pavlefshëm kur disponimi me testament është bërë në kundërshtim me ligjin ose në mashtrim të ligjit. Testamenti është i pavlefshëm kur disponimi me testament është bërë me ndikimin e mashtrimit, kanosjes ose dhunës, ose për shkak të një lajthimi, pa të cilën trashëgimlënësi nuk do kishte bërë këtë disponim.
– Kur testamenti deklarohet nga gjykata i pavlefshëm, në trashëgim thirren trashëgimtarët ligjorë, përveç kur është rasti i shtimit në dobi të trashëgimtarëve të caktuar në testament sipas nenit 381. Kur deklarohen të pavlefshme vetëm disa nga disponimet e testamentit, disponimet e tjera mbeten në fuqi.
– Padia për pavlefshmërinë e testamentit ose të disponimit me testament mund të ngrihet nga trashëgimtari dhe nga çdo tjetër person i interesuar brenda tre vjetëve nga çelja e trashëgimisë. Kur disponimi me testament është i pavlefshëm për shkak se disponimi nga trashëgimlënësi ka përjashtuar nga trashëgimia ligjore trashëgimtarët e tij të mitur ose të paaftë për punë ose cenon pjesën e tyre ligjore (neni 407), trashëgimtari, i përjashtuar nga trashëgimi ose të cilit i është cenuar pjesa ligjore, ka të drejtë të kërkojë nga trashëgimtarët e tjerë, sipas rastit, dorëzimin ose plotësimin e pjesës që i takon atij në bazë të trashëgimisë ligjore. Për caktimin e kësaj pjese bashkohet e gjithë pasuria që kishte trashëgimlënësi në kohën e vdekjes së tij, duke u zbritur detyrimet që rëndojnë mbi trashëgiminë dhe pjesëtohet me numrin e trashëgimtarëve që do të thirreshin në trashëgim në qoftë se trashëgimlënësi nuk do kishte bërë testament.
– Në përfundim, nëse testamenti nuk është bërë në formën e kërkuar nga Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë të cilat i renditëm më sipër, atëherë ai mund të quhet si i tillë vetëm nga gjykata, kur vendimi i saj është i formës së prerë. Uroj të kem qenë i qartë me analizën e mësipërme. Në të kundërt, ju lutem dërgoni pyetje ose më kontaktoni në: info@durajlaw.com.
Advertisement