Nga unë, Flamur Bërdëllima, urime për ju…
V.O: Edhe një gjë do ta them, Zoi: Shyqyr që je shqiptare “bio” 100 për qind, se përndryshe do mburreshin të tjerat, të paktën për gjysmën tënde. Dhe atëherë, kush e di sa do të binin në gjendje “blackouti”, si thotë titulli i këngës tënde të fundit! Mua më duket pa kuptim, po kuptim je Ti!
– I dashur Erion Veliaj! Unë nuk kam shitur fiq, po për këtë, të heq kapelen. Veçse dua të dish që në vend të fiqve, unë kam mbajtur plot 22 vjet thasë mielli në kurriz, në Fabrikën e Miellit nr. 1. Punoja natën dhe diten vazhdova dhe mbarova 2 fakultete. U bëra edhe me ndonjë titull. Por, çudi, asnjëri nuk më bëri minister. Ministër jo e jo, po më lanë edhe pa punë, pasi falimentoi gazeta “Pasqyra” e KSSH-së. Mbi 20 letra të kam çuar, po ti nuk më dhe përgjigje. Edhe kur ishim te vakia e S. Olldashit (bashkë me E. Gjermenin) më përcolle. Por, populli thotë: Të rrimë shtrembër e të flasim drejt: Unë shtrembër po rri se më dhemb mesi (22 vjet hamall), por po flas drejt. Të uroj nga zemra për trotuaret. Duket sikur Tirana është shumëzuar me 2. Lus fort Zotin, mos të të ikë vullneti, siç ka ndodhur këto 25 vjet, ku të gjithë e fillojnë me yrysh dhe mbarojnë… Lus Zotin, me gjithë mend, o dhëndrri i shokut tim Arben Xoxa. Gjithsesi, shumë urime. Po të dërgoj edhe një libër timin, me këtë rast!
– Po të flas si prind që jam, e dashur Aleksa, vajza e mikut tim të vyer, Krenar Zejno. M’u bë zemra mal, kur të pashë me lule dhe kartolina që po ia çoje nënës për datëlindje. Me dhimbje e them (po nuk mund të hesht) se fëmijët e mi vijnë tek unë vetëm për lekë. Nuk u bie ndërmend nëse jam sëmurë apo kam ndonjë gëzim! Nejse, kështu i ka edukuar ish-gruaja, por ata mbeten fëmijët e mi. Për t’u kthyer te ti: Të uroj me zemër që të duash të dy prindërit, pa dallim, gjithë jetën! Të përqafoj fort, dhe… mbaj një hudhër me vete, mos të të marrin msysh, se je bërë… ç’të të them! Urime pra dhe nëna 100 vjeç!
– Me daten 18/09/2015 të pashë në televizor miku im i vjetër, aktualisht drejtor i Analtirit, Ilir Mataj. Fole për vështirësitë e shoferave shqiptarë që paguajnë një taksë të padrejtë kur shkoje në Itali. Dhe jo pak, po mbi 20 mijë kamionë çdo vit. Dhe kështu, 25 vjet. Iku Prodi, nuk bën gjë Berluskoni, jo e jo, por edhe Renci doli rrenc. Të uroj fort për shpirtin qytetar që ke, që denoncon premtime të dhena, por të pambajtura. 20 mijë shoferë janë një armatë, që po të mos e paguanin atë taksë të padrejtë, do të kishim makinat xixë. Edhe një herë të uroj fort, i dashur Ilir, djalë trim!
– Mamaja e Bora Zemanit, (po edhe në një gazetë e lexova), më tha se kjo e fundit do të fillojë te Supersporti një emision. U bë 6 vjet që e ndjek ecurinë e saj. Gazetare e motit, emisione për fëmijë, koordinatore këngësh dhe ja tani sporti. Që t’i bësh mirë këto të ndryshimet, do shumë dhunti, po duket se Bora i ka. Ndaj urime dhe puthe fort Arborin, që është nipi i një shoqes sime të shkollës dhe që ti e ke vjehrrë! Urime, mikja ime që je aq kinge, edhe pasi ke lindur!
– I dashur Ibrahim Valbona, nuk të njoh. Jo pse je 77 vjeç, se edhe unë po shkoj 62, po nuk kam patur fatin të kaloj atij krahu. Më ngrohu shumë intervista babaxhane, realiste, dashamirëse, që bëre në një televizion, rreth datës 20 gusht 2015. Fjala e vërtetë ngjit. Zoti e bëftë mbarë të pimë një kafe bashkë. Të përqafoj dhe miqësisht, po të dhuroj dy libra të mitë!
– Bashkë jemi takuar vetëm një mbrëmje, kur ishe me shoqen tonë të përbashkët Erisa Xhixhon. Nuk pata kohë të të them se si rrallë ndonjë gazetar, të ndjek. Dhe absolutisht, nuk e kam fjalën vetëm për intervisten me Ramën. Jo, i dashur Muhamet Veliu! Te ti më pëlqen sistematika, parapërgatitja. Nuk i lihet gjithçka intuitës dhe përvojës. Studim, krahasim, referim, këto i japin staturë një gazetari informacioni. Më pëlqen edhe qetësia jote. Kam parë edhe kolegë të tjerë që duan modeomos vëmendje, edhe kur nuk kanë ndonjë surprizë për të thënë. Kjo lloj gazetarie alarmante, vetëm më vë buzën në gaz. Gjithsesi, të uroj fort dhe të fala Erisës prej meje, po e takove. Suksese Muhamet!
– Pasi mbarova librin “Pronësia intelektuale” të F.Degës, pas befasimit dhe mrekullimit që më shkaktoi, si pak bukinist, pashë se cila ishte shtëpia botuese. O Zot: “Morava”. U lumturova Goni! Ti, nuk i ndahesh librit cilësor. Pas librit për shërimin e prostatës, ja dhe ky. Me siguri, edhe plot tituj të tjerë. Të uroj fort ish-koleg, po shok gjithmonë, Agron Morava!
– Të pashë te homazhet e të madhit të paharrueshëm A. Verria dhe u ngroha shumë nga fjalët e tua, i dashur Dritan Leli. Unë, jo se jam ndonjë mjeshtër në psikolinguistikë, por intuita si shkrimtar s’para më ka gabuar, që në fjalët e para të tjetrit. Uroj që kjo ngrohtësi si e imja të jetë reale dhe ti të bësh për Vlorën, atë që ajo meriton. Oh, sa pengesa, deri mafioze, ke! Po, burri këtu duket, kur fiton mbi të keqen. Nga ana tjetër, mbiemri yt më kujton dy njerëz të dashur të jetës sime, Resmiun dhe Bari Lelin. Mund të jetë rastësi, por kryesore është: Të përqafoj fort Dritan dhe dritë paç përherë në shpirt!
– Shpëtim – Piloti, i thërrasin shokët e tij më të afërt, aty te liqeni: Është rasti që edhe unë t’i uroj 65 vjetorin e lindjes, paçka se pak kohë ka kaluar. Shpëtimi, që më shumë se muzikën që prodhojnë celularët, do këngën e zogjve dhe zhurmën e gjetheve kur ka pak erë… Ja që ka edhe të tillë. Domethënë, të tillë të mrekullueshëm. Pale muskujt! Në fakt: Vetëm muskuj, pa pikë dhjami. Po zemra? Pilot, mor jahu! Të përqafoj fort, mik i dashur, Shpëtim!
– Jo të gjithë e dinë pse kërkohen nga të gjithë studentët që mbarojnë universitetin “Polis”. Aty, veç programeve dhe laboratorëve, ka një veçanti: Nuk ka një pronar të vetëm! Jo! Janë katër pedagogë (pra, që japin mësim e të cilët janë edhe aksionerë të universitetit. Zgjidhje origjinale që rrit përgjegjshmërinë. Plus që janë emra nga më të spikaturit. Të falënderoj o miku im Arben Shtylla (gjithashtu, pedagog te “Polis”-i) që gjithnjë më thua gjëra interesante. Urime!
– Një i afërmi yt më tha se kishe festuar 18 vjetorin e vajzës, i dashur Met Novi. Uroj që ajo të mos jetë Maria Stjuart apo Elisa Dete, por t’i ngjajë babait që, kur të flasin për të, të thonë “Aaa! Kjo është goca e Met Novit”. Ju uroj të dyve jetë të gjatë, miku im!
– Prej vitesh, për vetë pjekurinë e televizioneve, gazetaria ekonomike ka dalë në “Kuvertën” e sipërme. Lloj-lloj emrash, stacione të ndryshme, po më janë fiksuar Alba Caroshi, një kinge e papërsëritshme, Enio Civici, Teuta Shamku e ndonjë tjetër. Mirëpo edhe ti me emisionin tënd, ia bëre fora, e dashur Aurora Sulçe. Unë shoh pjesëmarrjen, shoh problemet, shoh këndvështrimin. Madje, shoh edhe faktin që ti shpesh di më shumë se ata që fton. Të uroj fort nga zemra, në këtë rrugë, aspak të lehtë! Urime!
– Ndodh rëndom të na shkojë mendja te njerëz që i ke njohur vetë më parë, po tani nuk i sheh. Me të vërtetë unë të shoh në televizion, i dashur Çim Isufi (djali i Haxhiut) dhe kënaqem. Pashë së fundmi pjesën humoristike “Njerëz të Gjetur”. Unë të kam ndjekur edhe në të tjera skeçe dhe po të them se për mua je ndër aktorët më finë të humorit që ka Shqipëria. Krejtësisht vetvetja, i paimitueshëm. Të uroj fort, miku im. Nuk e di sa fëmijë ke, por i paç me shëndet dhe jetë të gjatë! Suksese, gjithnjë!
– Më tha Tosi, e dashur Ilda, se ia kishit kaluar shumë mirë me pushime dhe se ishit të gjithë, që do të thotë, edhe shoku i vajzës tënde… Nuk e di pse vetëtimthi të mendoj duke shtyrë ngadalë një karrocë me një bebush të bukur brenda. Ilda, gjyshe! Oh sa dëshiroj, si shok, si mik të të shoh të ndriçuar nga kjo dritë e re jete. Nga ana tjetër, të uroj me gjithë shpirt!
– Që kam filluar të plakem, këtë e ndjej, ngaqë më pëlqen të shoh me një vemendje disi të veçantë, vajzat e reja. Sidomos ato që kanë këmbë të gjata dhe që me plot dëshirë i ekspozojnë, me ndihmën e veshjeve super-mini. Gjithçka ndodh andej nga liqeni, ku ato vërshojnë për sport ose shëtitje. Epo, rrofsh o liqen që më kujton atë fjalën “shih me sy e plas me zemër”. Por, rrofshi ju vajza, që gjithsesi ma ngrohni shpirtin. Sikur… vetëm mua! Po, nejse, urime!
– Kur të takoj ty, miku im i vjetër dhe gjithë mend, Spartak Melcka, shumë kujtime më kaplojnë. Ca në rrugë të vet, ca të përziera në “tenxheren” e trurit. Ca lidhen me “1 Majin” (lulishten e famshme), ca me frigoriferin, ca me babanë tënd, Shefqetin, trim i rrallë dhe burrë zotni. Populli nuk të ngre kot këngë. Gjithsesi, ajo që dekanton, që rezulton, është Mirësia jote, e përzier me një humor që edhe te Gaz Demi, nuk e gjen. Gjithsesi ju uroj të dyve. Gjithë të mirat.
– “A duhet të ndryshohet sistemi i titujve shkencorë?”. Ky ishte titulli i shkrimit tënd, i dashur Fatos Dega. Më vure në mendime. A ka sot Shqipëria aq konkurrim veprash, idesh dhe aftësish krijuese, që të justifikojë praninë mes nesh të kaq shumë Profesorëve dhe Doktorëve? Po çfarë bëjnë vallë? Ne jemi në zgrip për shumë gjëra, kurse titujt tunden dhe tunden poshtë ekraneve, në libra, nëpër gazeta. Mos vallë kemi një vlerësim anakronik, iluzionar, parazitor e spekulativ? Ja, këto shqetësime kaq konkrete u ngritën nga ti i dashur Fatos, madje edhe kur thua “Kemi më shumë profesorë se policë”. Prandaj të uroj fort të kesh frymëzim për t’u ulur dhe për të qëlluar në shenjë. Të përqafoj fort!
Advertisement